E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fundi i bazës së Pashalimanit, nëndetëset dërgohen për skrap

Janë 44 mjete detare që do të çmontohen dhe shiten për hekurishte. E vetmja e mbijetuar, një nëndetëse për muze

VLORË- Nëndetëset e Pashalimanit dhe të gjitha mjetet e tjera detare të kohës së komunizmit do të shiten për skrap. Edhe pse u fol shumë për shitjen e tyre ose kthimin në muze, 44 mjetet detare do të kthehen në hekur.

Deklarata është bërë dje nga kreu i flotës detare shqiptare, Kristaq Gerveni, në bazën e Pashalimanit gjatë një takimi në përkujtim të 50 -vjetorit të krijimit të brigadës mbrojtëse në Sazan. Gerveni ka pohuar se nuk mund të mbahen më mjete të tilla detare, të cilat prej 15 vjetësh janë tërësisht jashtë përdorimit.

E vetmja që do të mbahet është një nga nëndetëset, mostër kjo që do të dëshmojë për historinë e tyre të dikurshme, si edhe një nga anijet e luftës. Pasi është bërë gjithë spastrimi i silurëve, dhe armatimeve të rënda, një vit më parë, tashmë do të hiqen edhe disa nga mjetet e lundrimit.

"Ka prej tyre që kanë rrezikuar mbytjen, duke u bërë kështu pengesë për bankinat, madje një prej tyre është mbytur. Ne kemi evidentuar tashmë 44 anije, pjesë të së cilave do të priten, e më pas do të shkojnë për skrap.

Kjo është në varësi të ndryshimit të kushteve atmosferike pasi presim që moti të ngrohet, për tu krijuar kushte pune palombarëve, të cilët do të merren me këto mjete",- tha Gerveni.

E zhvendosur nga bankina ku prej vitesh gjendeshin katër nëndetëset, sot është një prej tyre, duke evituar mbytjen e saj. Në bazën e Pashalimanit janë gjithsej tetë anije dhe nëndetëse, të cilat do të shkojnë për skrap.

Eliminimi i këtyre anijeve bëhet edhe për t'i hapur rrugë punës së kantierit për ndërtimin e anijeve patrulluese, kantier i cili ka nisur nga puna.


50- vjetori i krijimit të brigadës mbrojtëse të Sazanit, ka mbledhur dje në ambientet e bazës së Pashalimanit dhjetëra ish-kuadro të flotës detare, ish-ushtarakë si dhe efektivë të kësaj flote. Veteranë të kësaj arme janë ndalur në zhvillimet e atëhershme, nivelin e mjeteve, në atë kohë i krahasueshëm edhe me vende të tjera në botë, si dhe përkushtimin për ecurinë e flotës.

Me këtë rast, veteranëve të flotës, që kanë spikatur në kontributin e tyre u janë shpërndarë medalje mirënjohjeje, si nga shoqata e detarisë në Vlorë, ashtu edhe në emër të forcave të armatosura shqiptare.

Komandanti i flotës detare shqiptare, Kristaq Gerveni, ndër të tjera është njohur edhe me rolin e tanishëm të flotës shqiptare. Sipas tij, tashmë misioni i kësaj flote është pak më ndryshe, pasi lidhet edhe me atë të rojës bregdetare.

Ai ka njohur gjithashtu me dy projekte të rëndësishme, projekti i vëzhgimit të hapësirës bregdetare, si dhe i dyti i rëndësishëm sipas tij është ai i ndërtimit të katër anijeve patrulluese, puna për të cilat ka nisur.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›