E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK: Gërdeci, përgjegjësit të dalin para ligjit

Në njëvjetorin e tragjedisë së Gërdecit, demokristianët kërkojnë drejtësi


TIRANË- Një njëvjetorin e tragjedisë së Gërdecit, demokristianët shohin me shqetësim që përgjegjësit kryesorë të kësaj tragjedie, nuk janë vendosur ende para drejtësisë. Deputeti i PDK-së, Jak Ndokaj, ka deklaruar dje se tragjedia e Gërdecit është një krim i rëndë, ndaj dhe personat përgjegjës, kushdo qofshin ata, duhet të dënohen me të gjithë ashpërsinë e ligjit.

"Nesër mbushet një vit nga tragjedia e rëndë e Gërdecit, tragjedi që u mori jetën njëzet e gjashtë njerëzve të pafajshëm, dhe ku, mbi treqind të tjerë u plagosen dhe u shkaktua një dëm material prej miliona eurosh.

Partia Demokristiane, duke u gjendur në qeverisje në ditën e tragjedisë së Gërdecit, dha një kontribut të veçantë në lehtësimin e dhimbjeve të shkaktuara nga kjo tragjedi.

Sot kur po mbushet një vit nga kjo tragjedi dhe PDK-ja shikon me shqetësim se ende nuk janë venë para drejtësisë personat përgjegjës që e shkaktuan këtë tragjedi, ndërkohë që janë shtuar spekulimet për përfitime politike nga tragjedia e Gërdecit",- tha ai.

Deputeti i PDK-së u shpreh se zbardhja e ngjarjes dhe dënimi i shkaktarëve të tragjedisë së Gërdecit me të gjithë ashpërsinë e ligjit, është prova dhe sfida e institucioneve të drejtësisë shqiptare dhe garancia se institucionet e drejtësisë po ecin në rrugën e duhur.

"PDK-ja dënon me forcë çdo përpjekje, çdo formë të presionit që u bëhet organeve të drejtësisë për të deformuar të vërtetën e tragjedisë së Gërdecit dhe për të shmangur nga përgjegjësia ligjore personat përgjegjës, shkaktarë dhe të implikuar me këtë tragjedi",- tha ai.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›