Makthi i diplomave, studentët: Nuk i kemi marrë ende
Makthi i diplomave në universitetet publike nuk ka përfunduar ende, ndonëse kanë mbaruar grevat dhe është gjetur gjuha e përbashkët ndërmjet Ministrisë së Arsimit, universiteteve dhe studentëve, këta të fundit nuk kanë marrë ende në dorë diplomën e 3 viteve të shkollës së lartë. Ende, edhe pas një viti që nga data kur kanë përfunduar shkollimin, e ndërsa shumë prej tyre janë në studimet e nivelit të dytë, diplomat nuk janë shpërndarë akoma. Studentët paralajmërojnë se nëse nuk e marrin diplomën brenda muajit do të dalin në protesta masive.
Diploma e re, që është miratuar vetëm një muaj më parë, ndryshon rrënjësisht nga varianti i vjetër dhe do të ketë një sërë elementesh të reja, duke iu përputhur kërkesave të ligjit.
Diploma e re duket se është frymëzuar nga universitetet evropiane, duke marrë një format krejt tjetër nga ai që na janë mësuar sytë. Në të do të vendosen të gjitha detajet e përcaktuara në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit, si emri i universitetit, fakultetit, emërtimi i diplomës, firmat e rektorit dhe dekanit, si edhe numri i amzës dhe i diplomës. Burime nga Universiteti i Tiranës bëjnë të ditur se kjo diplomë, ndonëse nuk do të ketë titullin, do të përmbajë profilin e degës së studiuar, në mënyrë që edhe kërkesat e studentëve të plotësohen, edhe formati të jetë tërësisht i përputhshëm me ligjin.
Këtë e kishte deklaruar edhe rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Dhori Kule. Në një deklaratë për “standard”, ai kishte thënë: “Do të hartojmë një model të ri diplome”, që do të ishte “në përputhje me udhëzimin e ri të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe me standardet e Bolonjës”, si dhe në bashkëveprim mes “Universitetit të Tiranës, senateve akademike dhe studentëve”. Ai kishte paralajmëruar se diplomat e reja do të ishin pak më të kushtueshme, por do të ishin cilësore për të diplomuarit.
Por, për të arritur në këtë rezultat, diplomat kishin kaluar një sërë peripecish. Pas shumë vitesh, Ministria e Arsimit është tërhequr përpara pretendimeve të universiteteve të Tiranës, duke pranuar gabimet e udhëzimit, të nënshkruar nga ish-ministri Pollo. Në një udhëzim të ri, ministri Beja, duke iu përputhur kërkesave të ligjit të arsimit të lartë, u ka lënë në dorë universiteteve që të modelojnë grafikisht diplomat, duke hequr kriteret e peshës së fletës dhe të ngjyrave që do të hidheshin mbi të.