E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga Durrës-Kukës, parë në një dimension tjetër



Ndërsa kam lexuar disa shkrime rreth projektit shumëdimensional të rrugës Durrës-Kukës, kam vënë gjithashtu re se komentohet rregullisht dimensioni i saj fizik dhe ekonomik! Nuk analizohet, ose preket vetëm cekët, plani tjetër i këtij projekti të cilin mesa duket jo të gjithë mund t’ia lexojnë funksionin. Sipas meje, e rëndësishme tek ky projekt nuk është rruga fizike dhe makinat, mallrat, njerëzit që do kalojnë dhe kur, por funksioni i saj gjeopolitik e psiko-social dhe kulturor, i cili ka filluar tashmë veprimin e tij. Kjo në funksion të inspirimit politik dhe social që ajo sjell në rajon, por në mënyrë të veçantë në territoret shqiptare të Ballkanit edhe padyshim këtu midis nesh dhe ekuilibrave tonë psiko-social dhe politik! Padyshim që kjo rrugë hedhur si rezultat i të tashmes dhe projektim i së ardhmes, ajo sjell një riformim të bindjeve gjeopolitike në shoqërinë e gjerë kosovare dhe rrit optimizmin e tyre për të ardhmen politike të shtetit më të ri evropian. Kjo rrugë konceptohet prej tyre si mundësi më shumë për pavarësinë e tyre ndaj shtetit serb dhe bashkëpunim më të madh midis shqiptarëve në të gjithë rajonin e trazuar, ku çështja shqiptare në të shkuarën ka qenë e eklipsuar.

Fillimisht dua të them se mjafton të shohësh reagimet më të vendosura politike që vijnë nga Prishtina kundrejt Shkupit dhe Beogradit, faktin që Presidenti i sapozgjedhur maqedonas, Georgo Ivanov, jo rastësisht kërkon të takojë Presidentin shqiptar, Bamir Topi, privatisht dhe flitet vetëm për Kosovën! Por nga ana tjetër duhet thënë gjithashtu se ky projekt me kalimin e kohës do të bëjë që edhe vetë Serbia të moderojë qëndrimet e saj ndaj Pavarësisë së Kosovës dhe sigurisht që nuk duhet të mbyllë lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve me të.

Një moderim i tillë mund t’i mundësojë Serbisë tashmë ëndrrën shumëshekullore gjeopolitike të daljes në det! Sigurisht që këtë gjë mund ta bëj vetëm nëpërmjet territorit kosovar si shtet i pavarur prej saj.

Jeta politike e rajonit tashmë ka marrë një drejtim krejt të kundërt me vitet 1913, 1920, 1944 dhe pse jo edhe viteve 1990. Kjo padyshim do reflektohet edhe brenda shoqërive përkatëse, të cilat nuk mund të qëndrojnë të painfluencuara nga rrjedhat historike të politikës.

Kjo kthesë filloi në sajë të rolit të politikave anglo-saksone ndaj vëmendjes së Perëndimit për Ballkanin dhe sigurisht kundrejt atij ruso-sllav tradicional në rajon. Viti 1999 dhe ndërhyrja e NATO nën rolin principal të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe shënoi fillim e kësaj kthese të madhe historike për vendet ish-jugosllave dhe tërë Ballkanin.

Dimensioni psiko-social i rrugës në Shqipëri e më gjerë...

Padyshim që vëmendje ky projekt kërkon edhe në ekuilibrat socio-kulturor dhe politik të diferencave veri-jug edhe brenda Shqipërisë. Temë kjo reale, anipse për arsye krejt objektive trajtohet deri diku si tabu! Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për këto diferenca edhe pse për to flasim gjithmonë me gjysmë zëri. Ato janë politike, kulturore, gjuhësore dhe ekonomike. Këto diferenca nuk kanë ardhur në realitet nga shkaqe abstrakte, por thjesht reale dhe objektive. Veriu i Shqipërisë edhe prej shkaqeve dhe projekteve gjeopolitike të dikurshme (të cilat i prekëm kalimthi edhe më lart) ka qenë më i varfër dhe më i izoluar se Jugu i Shqipërisë. Kjo është konvertuar edhe në diferenca kulturore, ekonomike dhe si rezultat edhe psiko-sociale. Fakti që komunizmi shqiptar, origjinë e së majtës edhe të sotmes anipse të moderuar, ka penalizuar këto treva më shumë se të tjerat, ka bërë shoqëritë respektive ta paguajnë këtë kosto me rezultate të ndryshme.

Mjafton të kujtosh që para viteve 1990 qytetarët e Kukësit, Tropojës, Peshkopisë, Shkodrës dhe më gjerë, për shkak të mbylljes së kufijve shtetërorë, mund të kërkonin një jetë më të mirë vetëm në Tiranë! Kjo, anipse Tirana kryeqyteti i Shqipërisë nga pikëpamja gjeografike dhe urbane ishte më e largët se qytetet e tjera jashtë Shqipërisë dhe duke mos harruar se këtë duhet ta bënin vetëm në mënyrë të kontrolluar nga partia e vetëm nëpërmjet procesit të famshëm të pasaportizimit!

Kukësi me Prizrenin, Tropoja me Gjakovën, Shkodra me Podgoricën, Peshkopia me Dibrën e Madhe (edhe të tjera qytete me radhë) vetëm pas viteve 1990 mundën të rikomunikojnë me kushërinjtë e tyre dhe të bëjnë pse jo edhe biznese të përbashkëta. Kjo mundësi e re ardhur me demokracinë në Shqipëri dhe Ballkan padyshim që u dha hapësirë të mëdha kësaj pjese respektive të shoqërisë sonë për më shumë liri, veprim dhe pse jo edhe rol në zhvillimet politike të Shqipërisë dhe më gjerë në rajon. Kjo nisje e re u kristalizua më e qartë dhe më e lexueshme me çlirimin e Kosovës nga Serbia dhe pavarësinë e saj; me më shumë demokraci dhe liri për shqiptarët e Maqedonisë dhe me lëvizjen e lirë si koncept dhe standard evropian.

Rruga Durrës-Kukës mund të shihet vetëm në funksion të këtij standardi të lirisë, i cili sjell mundësi prosperiteti social dhe ekonomik në këto treva dhe fillimisht ndez një dritë në tunelin e të ardhmes të të gjithë shqiptarëve në rajon.

Ajo do lidhë fillimisht interesat e të gjithë shqiptarëve të Shqipërisë se Mesme dhe Jugore me Veriun dhe të gjitha territoret shqiptare të Ballkanit dhe kjo ka nisur me dimensionin psiko-social, i cili ka filluar funksionin e tij tashmë dhe kjo është e lexueshme vetëm politikisht.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›