Makthi i karrotrecëve në Tiranë
Nëse nuk e gjeni makinën ne vendin e parkimit, ka dy mundësi ose ua kanë vjedhur ose e ka marrë policia me karrotrecë. E nëse për të parën skeni më shpresa për ta rimarrë mjetin, për të dytën duhet të ndiqni një kalvar procedurash. Vuajtjet nisin që nga momenti kur policia bashkiake dhe firma e kontraktuar prej saj merr makinën pa lënë asnjë njoftim, raporton Vizion Plus.
Duhet të bësh një sërë telefonatash për të mësuar për fatin e mjetit dhe pasi kalon gjithë ditën nga një sportel tek tjetri me në fund mund të marrësh makinën. Qytetarët e Tiranës denoncojnë shërbimin abuziv të karrotracëve në Tiranë. Edhe ish-drejtues të policisë rrugore dhe ekspertë të qarkullimit denoncojnë abuzimet në shërbimin e karrotracave në Tiranë, i cili administrohet nga bashkia. Për specialistin Berti Koxha, abuzimet me këtë shërbim kanë arritur deri edhe në humbjen e mjetit për neglizhencë të kompanisë dhe policisë bashkiake. Anëtarët socialistë në këshillin bashkiak, të mbështetur dhe nga ekspertë, po hetojnë abuzimet e kryera me shërbimin e karrotrecëve. Sipas tyre përveçse monopol i një kompanie private, bashkia po vepron padrejtësisht ndaj qytetarëve. Drejtues të policisë bashkiake nuk kanë pranuar të japin sqarim mbi shërbimin e karrotrecave në Tirane dhe as detaje se kur një drejtues mjeti rrezikon ti merret makina. E ndërsa qytetarët ankohen për sinjalistikën e dobët dhe ndërhyrje të padrejta, çdo dite në rrugët e Tiranës merren me karrotreca dhjetëra makina, të cilat më pas dërgohen në ambientet e policisë bashkiake. Pasi paguan 7 mijë lekë të rinj në zyrat e bashkisë së madhe, atëherë mund të marrësh mjetin e ndaluar.