Mazhoranca mohon vendimin e saj për kontrollin në Ministrinë e Mbrojtjes
Edhe pse një urdhër është lëshuar nga Kuvendi për kontrollin e Imamit, deputetët e mazhorancës e mohuan atë. Opozita e quajti skandal
Komisioni i Sigurisë Kombëtare është përfshirë nga debate të forta mes anëtarëve socialistë dhe demokratë, kur i ftuar për tiu përgjigjur akuzave të socialistëve për përgjime politike dhe trafikun e armëve ishte ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, raporton Vizion Plus. Debati ka nisur për anën procedurale në momentin kur mazhoranca ka mohuar të ketë marre vendim në komision për ushtrimin e një kontrolli të mundshëm mbi Ministri. Kjo për anëtarët e majtë është cilësuar një skandal, qëllimi i të cilit është fshehja e shitjes së armeve. Debati ka vijuar më tej kur ministri Imami ka kërkuar ta zhvillojë mbledhjen me dyer të mbyllura, për shkak të informacionit të klasifikuar që disponon kjo Ministri. Deputetet e opozitës i kanë kujtuar kolegëve demokratë se kontrolli po bëhet për institucionin, i cili edhe pas ngjarjes së Gërdecit ku u vranë 26 persona nuk pati asnjë person përgjegjës për tragjedinë. Në pjesën me dyer të hapura ministri Imami nuk ka folur duke ia lënë këtë pjesë seancës me dyer të mbyllura.