Mal i Zi, 18 të infektuar nga H1N1

Numri i të infektuarve me gripin e derrave në Mal të Zi ka arritur në 18, bën të ditur Ministria malazeze e shëndetësisë. Nga rastet e reja të të infektuarve, dy persona ndodhen në spital, ndërsa dy të tjerë në izolim shtëpiak, por sipas burimeve të Ministrisë së shëndetësisë, gjendja e tyre shëndetësore është e qëndrueshme. Siç është bërë e ditur në fundjavë, nga katër rastet e reja të të infektuarve me virusin A (H1N1), dy prej tyre kishin qenë në festivalin muzikor Exit në Novi Sad, njëri në universiadën në Beograd, dhe njëri kishte udhëtuar nga Gjermania. Përhapja e shpejtë nëpër botë e gripit të derrave, ka bërë që Organizata Botërore e Shëndetësisë të mos vazhdojë më tej të publikojë numrin e të infektuarve. Përhapja e pandemive të mëparshme nëpër botë ka ndodhur brenda një periudhe 6-mujore, ndërsa gripi i derrave, virusi H1N1, është përhapur në botë për më pak se 6 javë, informon OBSH-ja. Së fundi kjo organizatë ka kërkuar nga qeveritë e botës që të mos tregojnë numrin e të infektuarve apo të të dyshuarve me këtë virus, por vetëm të viktimave. Ndërkaq në Kosovë nuk dihet ende me saktësi nëse ka ardhur gripi apo jo. Rasti i fundit i dyshuar në Kosovë me gripin e derrave ka qenë një serbe e Fushë-Kosovës, e cila është supozuar se është infektuar gjatë vizitës së saj në Serbi. Në vende të tjera të rajonit, regjistrohen 95 të prekur në Serbi, 350 të prekur në Greqi, 13 të infektuar në Maqedoni, 5 në Kroaci , 148 në Itali, 10 në Bullgari , 310 të prekur në Francë e 506 të prekur në Gjermani.