E Martë, 3 Nëntor 2026

Malaj: Brenda 2025-ës mbyllet procesi për rivlerësimin e pronave dhe çmimet e referencës

TIRANË, 27 shkurt/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj bëri të ditur sot se për pak javë do të nisë diskutimi me grupet e interesit për çmimet e reja të referencës së pronave, mbi bazën e të cilëve më pas do të zhvillohet edhe procesi i rivlerësimit të tyre.

Në një intervistë në media, Malaj informoi se nga 1 janari i vitit 2026, të gjithë qytetarët shqiptarë do të kenë mundësi që t’i kenë pronat të rivlerësuara me çmimet reale të tregut.

“Është e vërtetë, vitin e kaluar pati një iniciativë dhe një nismë për të bërë një rivlerësim të pronave, me një normë të reduktuar. Ministria e Financave gjykon që përpara sesa të vijojë me këtë proces, do duhej që të ripërcaktoheshim çmimet e referencës së pronave për të gjithë territorin shqiptar, përveç Tiranës, e cila e ka të azhornuar për sa i përket çmimeve të referencës”, tha ai.

Sipas Malajt, të dy këto procese duhet të shkojnë paralelisht.

“Ne mendojmë që duhet të shkojnë paralelisht me njëri-tjetrin, në mënyrë që t’u japim mundësi të gjithë qytetarëve shqiptarë, në të gjithë Republikën e Shqipërisë, që të kenë mundësi të bëjnë rivlerësimin e pronës në vlerën e tregut dhe paralelisht të paguajnë një normë të reduktuar tatimore për vlerën që do t’u rivlerësohet prona”, u shpreh kreu i financave publike.

Sipas tij, nëse do të kryhej rivlerësimi para përcaktimit të çmimeve të referencës, do të penalizoheshin qytetarët.

“Nëse do të bënim njërin proces, dhe pastaj do të bënim procesin tjetër më mbrapa, do t’i binte që këta që bënin rivlerësimin e pronave pas procesit të parë, do duhet të paguanin 15%, në vend të normës së reduktuar që përcaktohet nga Ministria e Financave”, shtoi Malaj.

Malaj tha se ka një draft paraprak për çmimet e referencës në të gjithë territorin.

“Ne po vijojmë me grupet e punës. Kemi një draft paraprak për sa i përket çmimeve të referencës për pronat në të gjithë territorin e Shqipërisë. Është duke u punuar nga grupi i punës. Ne besojmë se deri nga fundi i marsit 2025 do të kemi një raport të plotë, do të vijohet me konsultime me grupet e interesit për sa i përket çmimeve që do të përcaktohen nga ky grup pune”, deklaroi Malaj.

Më pas, theksoi ai, do të vijohet me miratimin e paketës ligjore në mënyrë që të hidhen të dyja nismat paralelisht në zbatim.

“Ne mendojmë që brenda vitit 2025 do ta mbyllim të gjithë procesin, në mënyrë që duke filluar nga 1 janari 2026, të gjithë qytetarët shqiptarë të kenë mundësi që t’i kenë pronat e rivlerësuara me çmimet aktuale të tregut”, tha Malaj.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›