Malaj: Buxheti i ri, populist
Javën e kaluar, Ministria e Financave publikoi planin e ri buxhetor, sipas të cilit, shpenzimet në total do të ishin rreth 39 miliardë lekë më pak nga sa ishte vendosur më parë. Kjo manovër nuk vlerësohet me efekt pozitiv nga specialistët e fushës. Ish-ministri i Financave në qeverinë e fundit socialiste, Arben Malaj, deklaron se ndryshimet e buxhetit që po tenton të bëjë qeveria janë në kahun e gabuar dhe qartazi me karakter populist. “Një qeveri që shkurton me 9.5 për qind shpenzimet në total, por me 27 për qind investime nuk është vetëm se populiste. Kjo është masa më e keqe që mund të merret dhe pasojat negative për ekonominë do të ndihen vitet në vijim”, deklaron Malaj. Zoti Malaj thotë se keqmenaxhimi i financave publike e ka zhytur ekonominë në një rreth vicioz ku njëra krizë ushqen tjetrën. “Ndërsa rritja ekonomike nuk do të jetë në nivelet që kishte parashikuar qeveria shpenzon në mënyrë jo efiçente. Ka rritur borxhin, ka rritur deficitin dhe ka rritur edhe koston e parasë në ekonomi”, vijon më tej eksperti i opozitës. Fakti që qeveria nuk arriti të marrë borxh në tregun ndërkombëtar, në një kohë që gjendja në ekonomitë e Eurozonës mbetet e paqartë, për ekspertin e opozitës paralajmëron kohë të vështira për ekonominë shqiptare.
#