E Diel, 1 Nëntor 2026

Bandat frymore, koncert me muzikë filmash

Aktiviteti Nata e parë e festivalit iu kushtua melodive më të njohura, të përpunuara për këtë rast

Muzika e disa prej filmave më të njohur të kinematografisë botërore, e përshtatur për formacione bandash muzikore, ishte prurja më e spikatur e natës së parë të Festivalit të Orkestrave Frymore, që ka nisur mbrëmjen e së shtunës në Sarandë.

Një segment i shëtitores së qytetit u kthye në skenë për këtë eveniment artistik që realizohet preh 5 vitesh në Sarandë. Koncertet e natës së parë i ka çelur e vetmja trupë profesioniste në vendin tonë, Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura.

Nën drejtimin e dirigjentit të mirënjohur Halim Teqja, kjo trupë performoi një koncert interesant, i cili u prit ngrohtë nga spektatorët që kishin zënë vend në sallën e hapur verore, të improvizuar në shëtitore, por edhe nga qytetarë e pushues të shumtë, që ndalën hapat për të ndjekur koncertin. Krahas pjesëve të bukura: “Wine, blu, wine”, “Virgjëresha Makarena”, “Boosa Nova”, “Gladiatore”, “Karnavalet e Venecias”, “Tiko-Tiko” etj., kjo orkestër përcolli me emocion te spektatori edhe kolonat zanore të disa prej filmave më të njohur. Një prej tyre ka qenë muzika e filmit “San Trope”, e përshtatur për bandë muzikore. Në prezantimin që i bëri vetë dirigjenti Halim Teqja, tha se “kjo muzikë i kushtohet kryeqytetit turistik të Francës dhe vjen në vendin e në kohën e duhur, pasi edhe Saranda është një San Trope për Shqipërinë”.

Me muzikantët që këndonin jo vetëm me instrumente, por edhe me zë, u bashkua edhe publiku i entuziazmuar. Kjo marrëdhënie e vendosur mes skenës dhe publikut shoqëroi edhe mjaft pjesë të tjera të ekzekutuara me profesionalizëm nga trupa e Orkestrës Frymore të Forcave të Armatosura, si “Wilhelm Teli”, “I will follow you” etj.

Me një tingëllim të veçantë është prezantuar edhe trupa e dytë e natës së parë. Kanë qenë 11 muzikantë të repartit të instrumenteve të tunxhit nga orkestra shtetërore e Athinës, e njohur në Greqi dhe në Europë. Drejtuesi i saj, Kosta Vivino, tha se kanë qenë në Sarandë edhe tre vjet më parë dhe ka vërejtur rritjen e Sarandës e të festivalit. Edhe në repertorin e kësaj trupe zotëruan meloditë e filmave të famshëm grekë dhe botërorë, si nga filmi “Dritat e qytetit”, nga fondi i artë i Moricones, krijuesit të muzikës së më shumë se 100 filmave. Nga krijimtaria në këtë gjini të kompozitorit grek,

Haxidhaqis, u ekzekutua një potpuri e plotë, që finalizoi me “Djemtë e Pireut”.
Vend të rëndësishëm në repertorin e trupës greke patën edhe pjesë nga muzika e filmave kompozuar nga një autor tjetër i madh i Greqisë, Vangjelis Papatahansiu, i nderuar me çmimin “Oscar”. Kështu, u luajtën “Gladiator” dhe “I fundit i Mohikanëve”, të orkestruara për bandë nga Panajotis Vllahos. Me duartrokitje është shoqëruar edhe interpretimi i “Summer time” nga Vasja Zaharopoulu.

Në fakt, ky edicion i pestë ka nisur që paraditen e së shtunës, me çeljen e mësimeve në kuadër të Akademisë Muzikore Verore, brenda formatit të festivalit. Koordinatori i përgjithshëm i festivalit, Bektash Mamuçi, tha ka nisur veprimtaria Master Klas, me instrumentistë të ndryshëm si: në klarinetë, flaut, trombë e trombone, bateri etj.

Ai thotë se Akademia Muzikore zhvillohet nga pedagogë të Akademisë së Arteve Tiranë dhe pedagogë të ardhur me Orkestrën Shtetërore të Athinës, që kanë zhvilluar në mjediset e shkollës së mesme të Hoteleri-Turizëm në Sarandë Master Klas me studentë nga Kosova, Shqipëria e Greqia. Kjo përbën eksperiencën e parë në pasurimin e programit të festivalit të orkestrave frymore. Mbrëmjen e djeshme skena ishte në natën e dytë të festivalit për Orkestrën Frymore të Bashkisë së Tiranës, për trupën e ardhur nga Maqedonia, dhe për ekipin simpatik të Folk Fanfara, “Tirana”.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›