Malaj: Dështim i buxhetit suplementar 2007
Deputeti socialist analizon buxhetin faktik të 2007-ës TIRANË- Deputeti socialist Arben Malaj ka deklaruar gjatë ditës së djeshme se buxheti faktik 2007 ka dështuar. “Kryeministri njeh shifrat, kupton dështimin dhe e deformon atë, duke pasqyruar si suksese dështime kaq të mëdha dhe konkrete – kjo është demagogji suplementare. Një qeveri që karakterizohet nga paaftësia, mashtrimi dhe demagogjia me taksapaguesit dhe opinionin publik, edhe me shifrat e buxhetit është jo vetëm e dështuar. Buxheti suplementar i vitit 2007 rezultoi demagogji dhe dështim total i kryeministrit Berisha. Nuk jam këtu për të shprehur kënaqësi opozitari për dështimet e qeverisë Berisha, por për të argumentuar me shifra dështimin real të kryeministrit Berisha.Paralajmëruam disa herë gjatë vitit 2007 për dështimin e hartimit dhe implementimit të këtij buxheti.Po komunikojmë sot me publikun vetëm me shifrat e buxhetit faktik të vitit 2007, i cili do të diskutohet në Parlament”,- tha Malaj. Sipas analizës së bërë nga ish- ministri i Financave, Malaj buxheti i miratuar për vitin 2007 në dhjetor të 2006 ishte 253.8 miliardë lekë dhe në korrik 2007 ai u rrit në 264.3 miliardë lekë. “Po jemi në vitin 2008 dhe shohim se buxheti i realizuar në 2007 është 251.6 miliardë lekë. Këto shifra janë sipas Ministrisë së Financave”, tha Malaj. Nga të dhënat e bëra publike nga Malaj gjatë ditës së djeshme, buxheti faktik është 2 miliardë lekë ose 25 milionë dollarë më pak se plani dhe 13 miliardë lekë ose 165 milionë dollarë më pak se buxheti suplementar. “Mosrealizimet në fund të vitit janë më të mëdha se shtesa e buxhetit suplementar dhe mosrealizimet në investimet publike janë 13,4 miliardë lekë ose 171 milionë dollarë”, tha Malaj.