E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amerika triumfon edhe në futbollin e femrave

Kombëtarja amerikane fitoi 1-0 ndaj Brazilit në finale. Sot, Belgjikë-Brazil për meshkuj

Finale (femra)

Amerikë - Brazil1-0

Shënuese: Lloid 96'

Vendet 3-4

Gjermani - Japoni2-0

Shënuese: Bajramaj 69', 87'

Kombëtarja amerikane e femrave në futboll fitoi dje medaljen e artë olimpike, të dytën radhazi, pas asaj të 4 viteve më parë në Athinë, duke mundur 1-0 në finale Brazilin. Fitorja e Amerikës erdhi në kohën shtesë, falë golit të shënuar në mintën e 96-të nga Carli Lloyd, i mjaftueshëm për të marrë një tjetër medalje ari. Një triumf i vështirë për ekipin e trajnerit Pia Sundhage që, ndonëse e nisi më humbje këtë turne, arriti të triumfojë ndaj rivaleve më të vështira dhë të ngjitet sërish në majën e podiumit. Takimi i djeshëm ka qenë i barabartë dhe futbollistet amerikane kanë vuajtur më shumë sesa parashikohej. Koha e rregullt u mbyll në barazim 0-0, ndërkohë që goli i fitores, dhe që vlejti medaljen e artë, u shënua në kohën e parë shtesë nga Lloyd, në minutën e 96-të. Kjo është hera e tretë që Amerika në futboll për femra fiton medaljen e artë, nga 4 finalet olimpike të zhvilluara deri më tani, qëkur kjo disiplinë është pranuar në Lojërat Olimpike. Të pafata futbollistet braziliane, që duhet të kënaqen me medaljen e argjendtë, ndërsa medalja e bronzit u fitua nga Gjermania, që mposhti 2-0 Japoninë, falë dy golave të kosovares Fatmira Bajramaj, në minutat 69 dhe 87. Sot është radha e meshkujve që të zbresin në fushë, në finalen për vendet 3-4, ku përballë njëra-tjetrës janë Brazili dhe Belgjika (takimi do të nisë në orën 13.00, me orën tonë). Ndërsa nesër do të jetë finalja e madhe olimpike, midis Argjentinës dhe Nigerisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›