E Shtunë, 31 Tetor 2026

AKKP, shpërndarja e lekëve peng i qeverisë

Mungesa e vendimit nga ana e Këshillit të Ministrave pritet ta shtyjë këtë proces më afër fushatës

TIRANË- Jo vetëm legalizimet, por edhe kompensimi i ish-pronarëve për vitin 2008 duket se ka mbetur peng i fushatës së ardhshme elektorale. I përcaktuar për t’u ndarë në muajin qershor, fondi prej 5 milionë dollarësh, i përcaktuar në buxhetin e shtetit për kompensimin financiar të pronarëve për këtë vit, ka mbetur ende i bllokuar. Shkak është bërë mungesa e një vendimi të kabinetit Berisha për kriteret e shpërndarjes së tij, çka pritet të shtyjë këtë proces sa më afër fushatës së ardhshme elektorale. Është numri dy i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Genci Çela, ai që bën të ditur faktin e një pengese të tillë nga ana e qeverisë. “Shpërndarja e fondit bëhet në bazë të kritereve që do përcaktojë vendimi i Këshillit të Ministrave i cili ende nuk ka dalë. Në media thanë që në qershor dhe unë e konsiderova të mirëqenë këtë fakt, por edhe sot unë nuk di që të ketë një vendim të zbardhur të Këshillit të Ministrave për këtë punë. Pra unë nuk kam marrë dhe nuk di të ketë marrë Këshilli Ministrave një vendim të tillë. Mund të jetë diskutuar, por nuk ka një vendim të tillë”, - tha nëndrejtori i AKKP-së Genci Çela. Megjithatë ai shprehet se kjo mbetet thjeshtë një pengesë procedurale pasi edhe këtë vit kriteret duket se do të jenë të njëjta me ato që u zbatuan një vit më parë. “Besoj se do jenë po ato kritere që kanë shërbyer edhe në vitin 2006 dhe 2007. Pra lidhur me atë fond të kompensimit monetar parashikohet që të jetë vetëm kompensimi i truallit deri në 200 m2 për subjekte të cilët nuk kanë përfituar nga prona e tyre, pra që nuk kanë pasur kthime ose nuk kanë pasur fare blerje”, - tha Çela. Megjithatë një pengesë në këtë drejtim mbetet edhe pezullimi i hartës aktuale të vlerës së tokës, e cila, siç është bërë e ditur edhe më parë është duke u rishikuar nga Ministria e Financave dhe ajo e Ekonomisë. Sipas Çelës nuk përjashtohet mundësia që në fund të këtij viti të ketë dhe një fond shtesë për këtë qëllim, ashtu siç edhe ka deklaruar kryeministri Sali Berisha në takimet që ka pasur me drejtuesit e mëparshëm të AKKP-së. “Natyrisht ajo nuk varet nga agjencia. Është bilanci që bëhet nga buxheti i shtetit, është Ministria e Financave që jep sugjerimin dhe Këshilli i Ministrave që vendos”, - tha Çela. Ndërkohë, përveç kompensimit financiar qeveria dhe agjencia e kthimit dhe kompensimit të pronave kanë bërë gati dhe fondin e tokave bujqësore për kompensim fizik. Nëndrejtori i AKKP-së shprehet se ky fond deri më tani përbëhet nga 17500 hektar tokë bujqësore në të gjithë vendin. “Ka një shifër rreth 17 mijë e 500 hektarë për tokat bujqësore dhe një vendim tjetër për pyjet. Nuk i kam këtu dy vendimet dhe nuk i jap dot të sakta shifrat. Vendimi i Këshillit të Ministrave përcakton dhe rrethet, në secilin rreth janë këto sipërfaqe. Natyrisht ka filluar një punë që është e përbashkët, e agjencisë tonë, e zyrave rajonale tonat. Ato që quhen zyrat e mbrojtjes dhe të administrimit të tokës, që janë të Bujqësisë dhe natyrisht me drejtoritë e pyjeve për pyjet. Pra po punohet për verifikimin e parcelave dhe sipërfaqeve për të parë fizikisht ku ndodhen, juridikisht si është statusi i tyre ligjor dhe më tej për të plotësuar dokumentacionin e nevojshëm që të bëhen të mundshme për t’u transferuar pronësia nga shteti te subjektet e shpronësuara që do kompensohen”, - tha Çela.  

AKKP ka dërguar procedurat plot një vit më parë pranë Ministrisë së Drejtësisë

Procedurat e ndarjes së lekëve, ende peng i qeverisë

TIRANË- Procedurat për kompensimin financiar të ish-pronarëve janë përcaktuar prej kohësh nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Vendimi i kësaj Agjencie vazhdon të qëndrojë në sirtaret e Ministrisë së Drejtësisë, ndërkohe që kjo është thjesht një procedure formale, pasi pritet të mos ketë asnjë ndryshim në procedurat e përcaktuara nga AKKP. Ashtu si edhe vitet e tjera, kompensimi financiar do të bëhet për trojet deri në 200 metra katrorë. Ndërsa renditja do të jetë sipas kronologjisë së marrjes së vendimit për kompensim. Ndryshe nga herët e tjera, AKKP ka përcaktuar në procedurat e saj se nga ky fond përfitojnë vetëm personat ose subjektet, prona e të cilëve ka qenë e gjitha për kompensim. Të vetmit që nuk përfitojnë janë ata persona që kanë përfituar nga kthimi i pronave. Në këtë fond të kompensimit ndryshe nga vitet e tjera pritet që të përfshihen subjekte nga i gjithë territori i Republikës së Shqipërisë. Shuma e parave në dispozicion nga Buxheti i Shtetit do të jetë po ajo që është aplikuar një vit më parë: 500 milionë lekë ose e thënë ndryshe 5 mln dollarë. Procedurat pritet të fillojnë me vendimin e Këshillit të Ministrave, ku përveç procedurave të përzgjedhjes se si do të shpërndahet fondi, do të përcaktohet edhe afati i pranimit të kërkesave, që është përcaktuar të jetë vetëm një muaj. Ndërkohë, në muajin Qershor, qeveria miratoi vendimin për krijimin e fondit të kompensimit fizik. Përmes miratimit të këtij vendimi, Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave iu vu në dispozicion një sipërfaqe prej 17.500 hektarësh, prona shtetërore të ish-ndërmarrjeve bujqësore si dhe institucioneve kërkimore të Ministrisë së Bujqësisë. AKKP-ja tashmë ka filluar verifikimin përfundimtar të pronësisë së truallit dhe për sipërfaqetqë përfshihen brenda zonave kadastrale ku ka përfunduar procesi i regjistrimit fillestar, konfirmimin e bën zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme (ZVRPP).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›