Visente del Boske e ka nisur detyrën e trajnerit të Spanjës me një fitore 3-0 në miqësoren kundër Danimarkës, por ka thënë se ka pasur vend për shumë përmirësime për kampionët e Europës, në prag të fillimit të eliminatoreve të Kampionatit Botëror të 2010-s. "E nisëm lojën keq, ishim të ngadaltë dhe shumë të kujdesshëm, - tha ish-trajneri i Realit të Madridit për gazetarët, pas miqësores në Kopenhagen. - Danimarka ishte skuadër më e mirë se ne në pjesën e parë, por ne reaguam mirë dhe më pas luajtëm një ndeshje shumë të mirë kundër një skuadre të nivelit të lartë." Spanjë nuk tregoi formë të mirë në minutat e para të ndeshjes, e cila ishte eklipsuar disi nga lajmi që 150 njerëz kishin humbur jetën në një incident ajror në aeroportin e Madridit në fillim të ditës. Danimarka kishte shumë raste në dispozicion për të kaluar në avantazh, në sajë të gabimeve të mbrojtjes spanjolle, por miqtë gradualisht i morën frenat e lojës në dorë dhe në pjesën e dytë shënuan tri gola. Mesfushori Ksabi Alsonso ka shënuar golin e parë të ndeshjes, pas një aksioni të bukur të Fernando Torres. "Duhet ta pranojmë se, nëse nuk do të ishte loja e mirë e Karles Pyjol, si dhe zotësia e Iker Kasiljas, do të kishim pësuar së paku një gol, por besimi dhe aftësitë e lojtarëve na lejuan ta fitojmë këtë ndeshje me rezultat të pastër," - tha Del Boske.
STILI"Po afrojnë eliminatoret e botërorit dhe duhet t'i rregullojmë problemet që kemi, pasi nuk mund të tolerojmë më gabime të tilla, kur ndeshjet serioze të fillojnë. Jemi pretendentët për t'u kualifikuar, por gjëja më e rëndësishme është të fitojmë ndeshjet që do të luajmë në shtëpi." Autori i dy golave, Ksabi Alonso, deklaroi se skuadra do të kërkonte të përsëriste të njëjtin stil loje që tregoi edhe në finalet e Euro 2008-s. "Ky sistem funksionoi edhe në finalet e kampionatit europian. Me lojtarët që kemi në skuadër duhet të vazhdojmë të luajmë në të njëjtën mënyrë; kjo funskionoi kundër Danimarkës, sidomos në pjesën e dytë," - tha ai për gazetarët. Mesfushori David Silva deklaroi se skuadra nuk është e ngopur nga suksesi që arriti në Europë. "Ka shumë lojtarë të rinj në skuadër dhe akoma nuk e kemi treguar potencialin tonë maksimal, - tha ai. - Dëshirojmë të vazhdojmë me ato hapa që e nisëm Euro 2008-n, si dhe duket se me Del Bosken do të vazhdojmë në atë rrugë." Spanja do ta nisë fushatën e eliminatoreve të botërorit me ndeshjen kundër Bosnjes dhe Armenisë, ndërsa kundërshtaret e tjera do të jenë Estonia, Belgjika dhe Turqia.