Islami e Majko në Gjermani për bashkëpunimin pozitë-opozitë
Kuvendi në seancën e tij të parë plenare për këtë sesion nuk do të jetë i plotë. Kjo për shkak se një delegacion jo i vogël deputetësh gjenden për një vizitë zyrtare në Gjermani, në kuadër të grupit të miqësisë Shqipëri-Gjermani. Përveç deputetëve të mazhorancës, Tritan Shehu, Gent Strazimiri, Genti Bogdani, Edi Paloka, e Aurel Bylkbashi; këtij delegacioni i janë bashkëngjitur edhe dy deputetët socialistë Pandeli Majko e Kastriot Islami. Kjo është hera e parë që deputetët e opozitës i bashkohen delegacioneve të Kuvendit, që pas bojkotit që opozita i bëri jetës parlamentare që nga zgjedhjet vendore të 8 Majit. Takimet e këtij delegacioni do të fillojnë sot dhe do të mbyllen ditën e mërkurë, ndërkohë që një nga temat e pritshme për t’u diskutuar është edhe bashkëpunimi pozitë-opozitë në funksion të statusit të vendit kandidat që Shqipëria pret të marrë.