E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dallime strategjike

Shefi i UNMIK’ut, Lamberto Zannier thotë se marrëdhëniet e këtij misioni dhe Prishtinës janë përmirësuar, por edhe më tutje ekzistojnë dallime, të cilat kanë të bëjnë me Strategjinë për veriun e Kosovës, transmetojnë mediet serbe.

“Është normale që edhe më tutje ekzistojnë dallimet, ta zëmë, me rastin e Strategjisë në lidhje me veriun e Kosovës”, ka thënë Shefi i UNMIK’ut në një intervistë për numrin e së dielës të gazetën serbe, “Politika”.

Zannier ka shprehur kënaqësinë që edhe Pieter Feith, Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, ka vlerësuar se duhet durim që Strategjia të zbatohet.
“Ne kemi reaguar dhe kemi paraqitur frikën tonë në lidhje me këtë. Jemi të brengosur për shkak të modaliteteve të aplikimit të kësaj strategjie për veriun e Kosovës dhe mendojmë se kjo duhet të zhvillohet në biseda me të gjitha palët e interesuara dhe me njerëzit, të cilët janë të përfshirë në këtë strategji”, thotë Zannier.

“Të hënën kam qenë në Veri të dhe kam parë se njerëzit atje ndiejnë nevojën për dialog për shkak të zgjidhjes së problemeve personale. Është me rëndësi të trimërohet dialogu i këtillë dhe tashmë po punojmë për të krijuar kushte për këtë, pa marrë parasysh se kush është ndërmjetësues. Është me rëndësi që të kërkohet zgjidhja për probleme konkrete, e jo të ballafaqohemi me demonstrata”.

Zannier ka theksuar që roli i tij më i rëndësishëm ka qenë që të aktivizohet dialogu, i cili duhet të fokusohet në problemet praktike.

Ai ka shtuar se marrëdhëniet ndërmjet UNMIK’ut dhe pushtetit në Prishtinë vitin e kaluar kanë kaluar nëpër një fazë të vështirë. Mirëpo, tani ka ardhur deri te përmirësimi, sepse pala kosovare e ka kuptuar se kjo është në interesin e tyre.

“Njerëzit në Kosovë tani e kuptojnë realitetin, kanë aspirata që të anëtarësohen në organizatat ndërkombëtare dhe në OKB. Mendoj se kanë ardhur deri te përfundimet se është në interesin e tyre që të mbajnë marrëdhënie të mira me UNMIK’un”, ka thënë Zannier.

Në pyetjen se a është e vërtetë se në Prishtinë më nuk mundet as të përmendet Plani i gjashtë pikëve, Zannier u përgjigj se, “kjo është pjesë e raportit të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Sigurimit të OKB’së”.

“Në disa fusha ka pasur ndonjë përparim, si ta zëmë në polici. Ekzistojnë fusha, të cilat nuk janë në Plan të gjashtë pikave, siç është kthimi dhe do të dëshiroja që të shoh se po punohet në këtë plan”, ka thënë Zannier, duke shtuar se është shumë me rëndësi çështja dhe trashëgimia e Kishës Ortodokse Serbe, për çka është caktuar Përfaqësuesi i BE’së, të cilin e kanë pranuar të dy palët dhe që është një model i mirë për përparim në fushat e rëndësishme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›