E Shtunë, 31 Tetor 2026

Platforma e Sejdiut për LDK

Fatmir Sejdiu është duke provuar ta rikthejë Lidhjen Demokratike të Kosovës në fuqi të parë politike, përmes një platforme që synon ndryshime rrënjësore në Kryesinë e partisë që udhëheq.

Burime të Expressit brenda LDK’së, sqarojnë se është duke u përgatitur varianti i ndryshimeve duke filluar nga Sekretari i Përgjithshëm dhe nënkryetarët.

Një zyrtar i lartë i LDK’së ka thënë se ideja e Kryetarit të ngrirë është që të emërohet një sekretar i përgjithshëm, i cili do të merret ekskluzivisht me partinë dhe nuk do të mbajë post shtetëror. Në të njëjtën kohë, Fatmir Sejdiu parasheh edhe zvogëlimin e numrit të nënkryetarëve - nga pesë sa ka aktualisht, në dy.

Ky ekip, sipas zyrtarit të LDK’së që foli në kushte anonimiteti për Express, duhet ta çojë partinë drejt zgjedhjeve të reja që pritet të mbahen vjeshtën e këtij viti.

Duket se Sejdiu tashmë i ka të qartë edhe emrat që do të delegohen në pozitat e reja.

“Pozitën e Nënkryetarit të Parë pritet të marrë Isa Mustafa”, ka thënë burimi i gazetës.

Zyrtarët e LDK’së thonë se nuk janë në dijeni të ndryshimeve që pritet të ndodhin, por janë të pajtimit për lëvizje të reja.

“Këto ndryshime mund të ndodhin, por unë nuk e di këtë projekt. Ideja jonë është që diçka me ndryshu”, ka thënë Nënkryetari i Parë i LDK’së, Eqrem Kryeziu, të dielën, për Express.

Derisa, anëtari i Kryesisë së LDK’së, Ismet Beqiri thotë se ditët në vijim janë vendimtare për të ardhmen e partisë.

“Ky është viti i zgjedhjeve për LDK’në. Do të ketë ndryshime dhe në ditët në vijim dhe do të ketë hapa konkretë në fuqizimin e Partisë. Sigurisht se do të fitojë ideja që do ta kthejë LDK’në në fuqi të parë politike duke angazhuar figura të reja”, ka thënë Beqiri për Express.

As Sekretari tekniko-administrativ i LDK’së, Sadri Ferati nuk ka dëgjuar për ndonjë ide për ndryshimet brendapartiake.

“Me sa di unë, në asnjë forum nuk është diskutuar një ide e tillë. Por, me të thanë të drejtën, si ide më kishin pëlqyer këto ndryshime”, ka thënë Ferati, kur është pyetur për propozimin e fundit për ndryshimet e strukturës udhëheqëse të LDK’së.

Ndryshe, Eqrem Kryeziu thotë se është i gatshëm t’ia lirojë postin Isa Mustafës në përbërjen e re të udhëheqjes së LDK’së, derisa është pro emërimit të një sekretari të përgjithshëm, i cili do të merrej vetëm me çështje administrative.

“Aktualisht, Isa Mustafa pati një bum në popullaritetin e LDK’së. Besoj se duhej shfrytëzuar njërin që ka një autoritet të tillë. Forcimi i Kryesisë pa nënkryetarë, edhe kjo mund të ndodhë. Ky është një modalitet interesant”, ka thënë Kryeziu.

“Ne provuam me Blerim Kuçin dhe Sadri Feratin, mirëpo nuk dha fort rezultate të mira. Unë jam pro ndarjes së administratës dhe të politikës së LDK’së. Kjo do të ishte punë shumë e mirë”, ka vlerësuar ai.

Kryeziu nuk e mohon mundësinë që në Këshillin e Përgjithshëm të propozohet rizgjedhja e Fatmir Sejdiun në krye të LDK’së. Ai jep arsyen pse mendon se Presidenti aktual duhet të vazhdojë të udhëheq partinë e dytë në Kosovë.

“Liderët nuk ndërtohen për çdo ditë. Edhe pse vuajmë nga një figurë konkrete e liderit në jetën politike të LDK’së, megjithatë ndoshta është rrezik më i madh me prodhu lider tjetër”, vlerëson ish-Kryetari i Prizrenit.

Ai thotë se është në dispozicion të LDK’së për çfarëdo pozite që t’i ofrohet me kusht që të ketë fuqizim të partisë.

“Jam në dispozicion, por nuk kam kurrfarë ambicie për të udhëhequr LDK’në”, ka thënë Nënkryetari i LDK’së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›