Malaj: Po përgatis platformën e konkurrimit për kryetar të PS në Kongresin e 29 gushtitNga Anëtari i Kryesisë së PS, Arben Malaj, njëherësh deputet i kësaj partie, tha dje për “Zërin e Amerikës” se do të shpallë në Kongresin e 29 gushtit një platform
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Malaj: Po përgatis platformën e konkurrimit për kryetar të PS në Kongresin e 29 gushtitNgaAnëtari i Kryesisë së PS, Arben Malaj, njëherësh deputet i kësaj partie, tha dje për “Zërin e Amerikës” se do të shpallë në Kongresin e 29 gushtit një platformë konkurrimi për postin e kryetarit të PS. Ai shprehet se në bashkëpunim me një grup ekspertësh të politikës po përgatit platformën e tij të konkurrimit për postin e kryetarit të PS, në thelbin e së cilës është pikërisht modernizimi i Partisë Socialiste. Ai u shpreh dje se prioriteti kryesor i Partisë Socialiste është efikasiteti i saj brenda institucioneve. Malaj tha se PS nuk duhet të mungojë, në asnjë mënyrë, në parlamentin e vendit të saj, tashmë kur vendi është në sfidën për të plotësuar elementët teknikë të përfitimit të lëvizjes së lirë, dhe janë mijëra shqiptarë që e presin. Ne duhet të rrisim eficiencën në parlament dhe me kontrollin parlamentar qeveria të mos na e fshehë më dështimin se përse shqiptarët mbetën jashtë përfitimit për heqjen e vizave
Cili është komenti juaj për rezultatin e zgjedhjeve dhe situatën në Partinë Socialiste pas tyre?
Lidhur me rezultatin e zgjedhjeve duket që këto zgjedhje do të rezultojnë një shans i humbur për standardet evropiane. Si një parti që respekton shtetin ligjor dhe institucionet ne do të presim edhe vlerësim përfundimtar nga OSBE-ODIHR, një vlerësues ndërkombëtar, i cili do të qartësojë përfundimisht edhe qëndrimin e institucioneve ndërkombëtare për këto zgjedhje. Kjo nuk na pengon të themi që duke e parë edhe si një sfidë kombëtare, përveçse politike, ne nuk arritëm përfundimisht të plotësonim disa standarde, të cilat duhet të na ndihmonin në sfidat integruese të vendit. Kjo përbën një kosto shtesë për vendin.
Zoti Malaj, Asambleja e fundit krijoi një kohë relativisht të gjatë deri nga fundi i gushtit, kur është thirrur Kongresi i Partisë Socialiste...
Një nga produktet pozitive të Asamblesë Kombëtare ishte fakti që edhe për shkak të një imponimi publik që ne i kemi bërë opinionit mbështetës në PS u arrit përfundimisht që të unifikohet një qëndrim që PS e sheh misionin e saj dhe i ka mundësitë e plota për të kontribuar vetëm në institucionet e saj, ku vendi i saj tashmë, edhe pse në opozitë, ndoshta edhe e pamerituar, është pikërisht në parlamentin e vendit tonë.
Si do ta karakterizonit ju këtë periudhë kohore? Është kjo një periudhë për reflektimin e rezultatit të zgjedhjeve apo një periudhë kur po përgatiten kandidaturat e reja për postin e kryetarit të partisë?
Unë mendoj që Partia Socialiste një nga mësimet e para që duhet të ketë marrë nga humbja e saj është kufizimi i demokracisë së brendshme, krijimi i modelit të keq në politikë, një lider absolut që do të kishte përgjegjësi absolute për humbjen. Ky eksperiment doli i pasuksesshëm dhe ndoshta nuk do të jetë më i vlefshëm, jo vetëm në Partinë Socialiste por as për partitë politike shqiptare. Unë besoj shumë që Rama t’i përmbahet filozofisë së tij dhe një nga këto do të jetë edhe mos-kandidimi i tij, për shkak se është ndërprerë mandati pas humbjes. Nuk e shikoj këtë si një sfidë personale, por Rama duhet të mbahet mend si njeriu që solli një përgjegjësi për rastet e humbjeve sesa si njeriu që për interesa dhe solidaritet të momentit do ta shkarravisë jo thjesht këtë paragraf të statutit, por këtë filozofi.
Në Kongresin e fundit të gushtit midis kandidaturave të tjera do të jeni edhe ju. Çfarë përmban platforma juaj dhe paketa juaj në kandidimin për postin e kryetarit të Partisë Socialiste?
Me një grup kolegësh ekspertë të politikës dhe ekonomisë unë po punoj për ta paraqitur platformën time në Kongresin e 29 gushtit. Sigurisht që modernizimi i forcës politike është shtylla kryesore. Unë besoj që prioriteti kryesor i Partisë Socialiste është efikasiteti i saj brenda institucioneve. Partia Socialiste në asnjë mënyrë nuk duhet të mungojë në parlamentin e vendit të saj, tashmë kur vendi është në sfidën për të plotësuar elementët teknikë të përfitimit të lëvizjes së lirë, dhe janë mijëra shqiptarë që e presin. Ne duhet të rrisim eficiencën në parlament dhe me kontrollin parlamentar qeveria të mos na e fshehë më dështimin se përse shqiptarët mbetën jashtë përfitimit për heqjen e vizave. Nuk kërkohet një vendim politik, por kërkohet plotësim kushtesh teknike dhe kjo është detyra numër një e opozitës. Paaftësinë e mazhorancës mund ta nxjerrë në pah opozita. Vendi është në fazën që duhet të marrë statusin e çeljes së negociatave për t’u bërë kandidat i Bashkimit Evropian. Nuk flitet thjesht për një fitore politike, flitet për akses në rritje në politikat e Bashkimit Evropian dhe në fondet e tij për tre elementësh të rëndësishëm: fonde më shumë për të ngritur kapacitetet, pra një shtet ligjor dhe administratë efikase; fonde më shumë për zhvillimin rural, ku Shqipëria ka probleme të mëdha, sepse jeton pjesa më e madhe e popullsisë dhe prodhohet 22 për qind e asaj që prodhon ekonomia shqiptare; dhe fonde më shumë për bashkëpunimin ndër-rajonal, pasi ekonomia shqiptare nuk mund të përballojë kriza pa zgjeruar mundësinë për tregje të reja. Pra, ne nuk duhet ta quajmë fatkeqësi faktin që nuk erdhëm dot në pushtet dhe po rrimë në opozitë për një mandat të dytë. Nuk është e lehtë për mijëra socialistë, nuk është e lehtë, kur kjo qeveri abuzon me pushtetin e saj ndaj mbështetësve dhe votuesve tanë, por përballë një fakti që ka ndodhur ne duhet të orientohemi pikërisht nga sfidat dhe jo nga analiza e së shkuarës, nga keqpërdorimi i solidaritetit socialist, qoftë dhe për interesave kongresuale duke i dhënë një imazh krejt ndryshe nga çfarë Partia Socialiste është në thelbin e saj. Është një forcë moderne, ka kapitalin njerëzor shumë të kualifikuar, njerëz me vlera dhe përgjegjësi konkrete, të cilët duhen maksimizuar dhe nuk duhen keqpërdorur.
Marrë nga “Zëri i Amerikës”