Ryshfeti, arrestohet kreu i Partisë së Legalitetit në ElbasanNga Kreu i Partisë Lëvizja e Legalitetit në Elbasan, Shpëtim Myftaraj, ka përfunduar në prangat e policisë gjatë ditës së djeshme, pasi akuzohet për marrje ryshfeti. Policia bëri me dije se
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Ryshfeti, arrestohet kreu i Partisë së Legalitetit në ElbasanNgaKreu i Partisë Lëvizja e Legalitetit në Elbasan, Shpëtim Myftaraj, ka përfunduar në prangat e policisë gjatë ditës së djeshme, pasi akuzohet për marrje ryshfeti. Policia bëri me dije se prangosja e tij ka ardhur pas denoncimit të një qytetari, sipas të cilit Myftaraj i ka marrë shumën prej 3 milionë lekësh të vjetra. Mësohet se 32-vjeçari i kishte premtuar qytetarit kallëzues përfshirjen e emrit në listën e përfituesve të banesave që jepen për të pastrehët. Ndërkohë, burime nga policia thonë se në afera të tilla dyshohet që të jenë të përfshirë edhe disa ish-këshilltarë të Bashkisë së Elbasanit, të cilët tashmë po hetohen.
Skandali
Policia e Elbasanit, pas denoncimit të një qytetari, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, ka arrestuar paraditen e djeshme kreun e Partisë Lëvizja e Legalitetit në degën e Elbasanit, Shpëtim Myftaraj. Ky i fundit është arrestuar nën cilësinë e këshilltarit të Bashkisë së Elbasanit, pasi akuzohet se ka marrë ryshfet. Sipas burimeve të policisë, një qytetar ka denoncuar në polici dy ditë më parë Myftarajn, pasi ky i fundit i kishte marrë para zgjedhjeve të 28 qershorit shumën prej 3 milionë lekësh të vjetra, duke i premtuar se do t’i përfshinte emrin në listën e personave që përfitonin banesa që jepeshin nga ana e Bashkisë së Elbasanit për të pastrehët. “Kreu i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Shpëtim Myftaraj, i ka kërkuar rreth 3 milionë lekë të vjetra një qytetari, pasi i ka premtuar atij se do t’i përfshinte emrin në listën e përfituesve të banesave që jepen nga Bashkia e Elbasanit për të pastrehët”, - bëri të ditur policia e Elbasanit. Burime të policisë thonë se pazari ishte përfunduar dhe qytetari kishte derdhur shumën e lekëve në llogarinë bankare të kreut të Partisë së Lëvizjes së Legalitetit në Elbasan, Shpëtim Myftaraj. Këto burime thanë se ky i fundit i kishte premtuar qytetarit që e denoncoi, se do përfitonte banesën pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Por, duke qenë se kjo gjë nuk ka ndodhur, denoncuesi i ka kërkuar Myftarajt që t’i kthente mbrapsht paratë. Kur as kjo nuk ka ndodhur, qytetari i mashtruar i është drejtuar Komisariatit të Policisë së Elbasanit, duke bërë kallëzim penal ndaj Myftarajt. Menjëherë pas kësaj, oficerët e policisë nisën hetimet për të verifikuar akuzat ndaj kreut të PLL së Elbasanit, të cilin e arrestuan ditën e djeshme. Tashmë Shpëtim Myftaraj do të procedohet penalisht për veprën e “Mitmarrjes”. Sakaq, burime pranë kësaj policie thanë se hetimet për marrjen e banesave për të pastrehët, të cilët jepen nga Bashkia e Elbasanit, do të shtrihen më gjerë. Këto burime thanë se dyshohet që edhe ish-këshilltarë të Bashkisë së Elbasanit janë vënë nën hetim, pasi dyshohet se kanë marrë ryshfet, duke favorizuar qytetarë të ndryshëm në marrjen e banesave të dhëna nga ana e bashkisë. Emrat e të dyshuarve nuk janë bërë të ditur, për shkak të hetimeve, megjithëse burimet thonë se hetimet mund të zbulojnë një skandal të vërtetë në dhënien e banesave për të pastrehët nga ana e Bashkisë së Elbasanit.