Një mashtrues nën hijen e BerishësNga Mero BazePër të disatën herë më duhet të shikoj me keqardhje se si disa stacioneve televizive që bëjnë pasqyrën e shtypit në mëngjes, dhe veçanërisht kolegu Hoxha, iu duhet të fshehin titujt e parë të gazetës “Te
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Një mashtrues nën hijen e BerishësNga Mero BazePër të disatën herë më duhet të shikoj me keqardhje se si disa stacioneve televizive që bëjnë pasqyrën e shtypit në mëngjes, dhe veçanërisht kolegu Hoxha, iu duhet të fshehin titujt e parë të gazetës “TemA”, kur bëhet fjalë për Rezart Taçin. Nuk më shqetëson si qëndrim personal ndaj gazetës, pasi e di që nuk është i tillë. Nuk është as politike, pasi të njëjtat stacione i lexojnë me qejf titujt kundër Berishës apo qeverisë në përgjithësi. Por është e dhimbshme që një biznesmen, nga ata që po ringjallin kohën e piramidave në Shqipëri, është shfaqur dhe po dikton politikën dhe medien prej vitit 2001, kur Ilir Metës i duhej mbijetesa në Kuvend përballë Nanos, e deri sot, kur Sali Berishës i duhet Ilir Meta.
Quhet Rezart Taçi dhe është nga soji i biznesmenëve që janë katapultuar në biznes nga politika dhe tashmë e diktojnë atë. Në një votim të vështirë për Ilir Metën në vitin 2001, ky njeri çoi me makinë në Kuvend vjehrrin e vet, atëherë deputet i Legalitetit, dhe përfitoi me prokurim të drejtpërdrejtë për llogari të një kompanie italiane një kontratë për naftën krudo. Fitimi neto ishte rreth 2 milionë dollarë me një gjest politik. Prej atëherë ai u bë pjesë e pandarë e biznesit politik me naftën. Pas ikjes së Metës vazhdoi me Nanon dhe Berisha e akuzonte se ishte bërë pronar i portit të Shëngjinit. Kohët ndryshuan dhe në vjeshtën e vitit 2005 ky njeri u shfaq sërish në hollet e hoteleve duke kërkuar miq të Sali Berishës. Pas pak kohësh ia arriti. Vajza e kryeministrit e bëri klient dhe gruaja e tij filloi të shfaqej në mbrëmjet e bamirësisë së zonjës Berisha. Mbaj mend se nga fillimi i vitit 2006, Sali Berisha fare papritur më hapi një bisedë për të duke më thënë se e kishte ngatërruar me dikë tjetër këtë Rezart Taçin. Ky i vërteti, sipas Berishës, ishte biznesmen i ndershëm.
Prej atëherë Rezart Taçi vazhdon të jetë dora e djathtë e Berishës në biznesin e naftës. Banka e familjes Berisha u bë garante e një pagese ende të papasqyruar në buxhetin e shtetit për blerjen formale të ARMO-s, ndërsa gruaja e kryeministrit u shfaq në krah të tij për të legjitimuar sjelljen super të shtrenjtë të Milanit në Shqipëri si vepër bamirësie.
Tashmë ky biznesmen i ka miliona euro borxh “Albpetrol”-it, se nuk i ka paguar naftën që merr për ARMO-n, i ka borxh “Bankers”, të cilën po ashtu nuk e ka paguar, ka lënë pa rroga punëtorët e “Albpetrol”-it që s’kanë të ardhura, pasi ua ka marrë naftën pa lekë, u ka borxh tatimeve shqiptare, të cilat e tolerojnë me urdhër të Berishës. Gjatë muajit korrik iu desh të bënte një skenar të tërë mashtrimesh që nga blerja e Bolonjës deri te takimi me Berluskonin që të fuste një vapor me naftë pa doganë dhe ia arriti. Sot nafta e vaporit “Athina” është shkarkuar në depot e tij dhe ai ende s’i ka dhënë asnjë qindarkë shtetit shqiptar. Sapo anija u shkarkua, ai njoftoi që nuk e blen Bolonjën. Pra, miti i njeriut të pasur nuk i interesonte më këtë muaj.
Por në historinë e tij të vitit të fundit ka disa mite të tilla të vetë-krijuara prej tij dhe medias rrogëtare shqiptare. Miliona shqiptarë për shembull e dinë tani se Rezart Taçi ka blerë “Sheraton”-in. Mediet e blera prej tij dhanë lajmin me bujë 9 muaj më parë dhe nuk e sqaruan kurrë që as e ka blerë e as e blen dot. I vetmi që është bërë me dhimbje koke është menaxheri i “Sheraton”-it që ka fyer prestigjin e hotelit me këtë përgojim popullor prej medias shqiptare. Këtë mashtrim e bëri atëherë kur ne po ngrinim dyshimet tona për mospagesën e ARMO-s. Më pas, kur vijuan dyshime të tjera për të, media i doli në krah dhe tha se po blen një bankë arabe. Në fakt bëhet fjalë për një sportel banke te rruga e “Petro Ninit” në Tiranë që s’ka punuar asnjë ditë dhe s’ka as licencë, se ia ka hequr Banka Qendrore. Dhe ky lajm nuk u përgënjeshtrua kurrë. Një ditë pasi gazeta “TemA” publikoi tri javë më parë lajmin se anija e tij po tentonte të shkarkohej pa paguar, shpiku lajmin e Bolonjës. Bëri dhe gjithë lëvizjet e duhura publike ta bënte të besueshme. Besimi jonë te mashtrimet e tij na bindi të shkruanim që atë ditë në gazetë se ky njeri s’do ta blejë dot Bolonjën dhe ja ku përfundoi me një sms halabakësh fundi i kontratës.
Por pavarësisht qartësisë që kemi treguar ndaj këtij sekseri të politikës në biznesin e naftës, ndjehem thellësisht i dëshpëruar, që një pinjoll i ri i Sudes, Xhaferrit, Alimuçës apo të tjerëve të vitit 1996, është rikthyer në skenë me të njëjtin sfond politik. Piramidat u bënë popullore pikërisht pas fushatës së zgjedhjeve të vitit 1996, dhe atëherë Berisha kishte fitore të plagosur, dhe atëherë paraardhësit e Rezart Taçit e mbështesnin fort atë. Madje, Vehbi Alimuça arriti të fuste dhe makinat e VEFA-s në Formula Uno. Media po ashtu u bënte hosanna, dhe populli besonte se Zoti i kishte dërguar ata për t’i shpëtuar. Por Zoti në të vërtetë tregohet i pamëshirshëm me ne në këto raste. Kam frikë se kjo vjeshtë që vjen do të jetë e vështirë për tipa si ky. Dhe pas kësaj kolapsi mund të jetë zinxhir, se ky njeri ka marrë peng shtetin. Ky nuk u ka borxh fshatarëve apo hallexhinjve si Xhaferri. Ky mund të ikë duke marrë me vete shumë buxhete publike që u ka borxhe. Dhe nuk është se i ka bërë keq llogaritë. Ka blerë gjithë medien shqiptare, ka blerë gjithë klasën politike nga e majta tek e djathta, ka blerë familjen në pushtet, por si çdo krim i papërsosur ka hyrë tashmë në gojën e medias italiane me mashtrimin e fundit. Shpresoj që ky të jetë shansi për të ndriçuar një histori qesharake mashtrimi me miliona euro nga xhepat e shqiptarëve që harxhohen për të ndërtuar mitin e suksesit te një biznesmen që nuk është i tillë. Historia e Rezart Taçit është skaneri real i korrupsionit politik dhe kapjes së shtetit në Shqipëri. Suksesi i tij i vetëm deri më sot është blerja e medias shqiptare dhe familjes në pushtet, por kaq nuk mjafton të blesh të shkuarën dhe të ardhmen tënde.