Subashi: Kolegji Zgjedhor shkeli rëndë ligjin elektoral duke mohuar rinumërimin Nga “Respektova Kodin Zgjedhor, kur votova shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, por Kolegji Zgjedhor shkeli rëndë ligjin elektoral”. Ky është qëndrimi i nën
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Subashi: Kolegji Zgjedhor shkeli rëndë ligjin elektoral duke mohuar rinumërimin Nga“Respektova Kodin Zgjedhor, kur votova shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, por Kolegji Zgjedhor shkeli rëndë ligjin elektoral”. Ky është qëndrimi i nënkryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Dëshira Subashi, e cila sqaroi dje votën e saj pro shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Nënkryetarja e KQZ tha dje se Kolegji Zgjedhor shkeli rëndë ligjin elektoral duke mohuar rinumërimin në disa qendra votimi, duke theksuar se në kërkesën për rinumërim në disa qendra votimi synohej vetëm arritja e standardeve të dëshiruara, në mënyrë që të mos kontestoheshin zgjedhjet. “Gjykata nuk e bëri dhe kjo përbën për mua një shkelje të hapur të ligjit. Natyrisht, unë nuk komentoj vendimin e Gjykatës, por komentoj të drejtën time që është shkelur hapur ligji në të drejtën që unë kisha për të kërkuar rinumërimin dhe rivlerësimin e disa votave në disa qendra votimi, për të cilat unë kisha një objeksion. Objeksioni im ishte që të arrinim një standard që zgjedhjet të mos kontestoheshin. Në vetvete kjo dispozitë nuk ndryshon rezultatin zgjedhor, por është një hapësirë për të hetuar”, - u shpreh dje Subashi për mediet.
Duke iu përgjigjur kritikave të disa zërave brenda opozitës për votën pro rezultatit përfundimtar, të përfaqësuesve të opozitës në KQZ, Subashi u shpreh se vota pro rezultatit pas shqyrtimit në Kolegjin Zgjedhor, është detyrim për anëtarët e KQZ. Ajo tha se kundërshtimi i tabelave të rezultateve nga Komisioni Zgjedhor i Administrimit të Zgjedhjeve është e drejtë që u lind komisionerëve, sa herë konstatojnë parregullsi, por, nga ana tjetër, ndarja e mandateve të deputetëve është një detyrë që lind nga Kodi Zgjedhor, në emër të së cilit Subashi dhe Lazaj iu bashkuan qëndrimit të shumicës në KQZ. “Në mbylljen e vendimmarrjes për këto ankime që kishin të bënin me rezultatin zgjedhor, vendime të cilat i ka shqyrtuar dhe Kolegji Zgjedhor pothuajse konsiderohet, sipas Kodit Zgjedhor, çështje e mbyllur vlefshmëria, llogaritja e votave të marra nga çdo subjekt politik. Vendimmarrja e anëtarëve të KQZ për certifikimin përfundimtar të zgjedhjeve nuk mund t’i referohet bindjes. Për shkak se unë kisha një kontest për tabelën e rezultateve, nuk do të thotë të mos votoj ndarjen e mandateve. Ligji e ndalon këtë sjellje, që do ishte një sjellje politike dhe do ta kthente këtë institucion në një vendimmarrje politike, ndërkohë që unë kam detyrimin ligjor që në vendimmarrje t’i bazohem vetëm Kodit Zgjedhor”, -tha dje Subashi.
Deklarata
Një ndër problemet e pasqyruara në periudhën paszgjedhore, sipas nënkryetares së KQZ, ishte edhe qëndrimi i partive politike lidhur me nevojën, sipas tyre, për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Ajo tha se partitë politike e patën kohën e nevojshme për të bërë ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor, dhe se kritikat pas proceseve zgjedhore i vlerësoi të nxituara nga partitë politike. “Kjo tashmë është bërë në modën e politikës, që, sapo shpallet rezultati përfundimtar,r nxitohet për të thënë që do ndryshojmë Kodin. Partitë politike kishin kohën e nevojshme të bënin analizat e funksionimit të zgjedhjeve. Më duket pak e nxituar, ndoshta emocionale, të diskutosh për ndryshime të Kodit, ku nuk ka vetëm pak ditë, kur kanë përfunduar këto zgjedhje. Si një tekniciene e zgjedhjeve do të dëshiroja që të kishim një Kod që t’i rezistonte kohës dhe të krijonte praktika zgjedhore, sepse kjo do të stabilizonte dhe çështjen e arritjes së standardeve. Por se paku prej 6 vjetësh që unë po bëj këtë detyrë, jam ndeshur me këto nocione”, - tha Subashi. Qëndrimet e djeshme të nënkryetares së KQZ, Dëshira Subashi, erdhën pas disa kritikave që iu bënë asaj dhe përfaqësuesve të tjerë të opozitës në KQZ, lidhur me votat e tyre pro rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 28 qershorit, ku PD dhe aleatët e saj morën 70 mandate , duke u klasifikuar fitues të këtyre zgjedhjeve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatin përfundimtar katër ditë më parë, më 1 gusht, me një rezultat 7 me 0, sipas të cilit “Aleanca e Ndryshimit” mori 70 mandate, LSI 4 mandate, si dhe PS dhe aleatët e saj 66 mandate.