E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malaj: Ramës nuki vjen e keqja nga ne

Deputeti socialist, Arben Malaj shpjegoi dje për "Gazeta Shqiptare" arsyet se përse ai së bashku me deputetin Andis Harasani hartuan një buxhet alternativ dhe përse morën pjesë në diskutimet dhe votimin në Kuvend. Sipas Malajt, buxheti alternativ është pjesë e ofertës politike të PS-së për zgjidhjen e krizës. Ai nuk "ka frikë" nga ndonjë masë ndëshkimore për pjesëmarrjen, ndryshe nga vendimi i grupit në seancën ku u votua buxheti.
Zoti Malaj, ju së bashku me deputetin Harasani keni marrë pjesë dje në votimin e disa neneve të buxhetit, ndërkohë që grupi u largua. Përse vendosët kështu?
Buxheti alternativ, i iniciuar nga ne dhe i plotësuar edhe me propozime të kolegëve, ishte një përpjekje profesionalisht serioze dhe politikisht kredibile për të diskutuar për risqet dhe kostot në rritje që ka vendi nga papërgjegjshmëria dhe dështimet e kësaj qeverie që vetëm keqqeveris.
Kjo nuk ishte një iniciativë spontane. Sapo buxheti mbërriti në parlament, ne kishim diskutuar me kolegët tanë, që si forca politike opozitare më e madhe në vend të programonim dhe realizonim një oponencë publike sa më profesionale dhe sa më të qartë për publikun. E gjitha kjo ishte në detyrim të përgjegjësisë që kanë opozitat në çdo vend për të qartësuar risqet dhe dështimet e maxhorancave, si edhe për të ballafaquar alternativat ndryshe lidhur me sfidat e vendit. Pra, një programim dhe harmonizim sa më i mirë i debateve publike, në të njëjtën ditë që kryeministri do të prezantonte në parim buxhetin e qeverisë, të kishte një deklarim të qartë të Partisë Socialiste për oponencën tonë dhe mundësisht një buxhet alternativ të opozitës, kur të diskutohej nen për nen. Ne falenderojmë kolegët dhe ekspertët e ekonomisë që vlerësuan profesionalizmin me të cilin u përgatit buxheti alternativ. Pra, angazhimi ynë ishte një përpjekje serioze për të debatuar për sfidat reale të ekonomisë së vendit tonë dhe për të qartësuar taksapaguesit dhe gjithë shqiptarët për risqet dhe pasojat në rritje të papërgjegjshmërisë së kësaj maxhorance.
Po kështu, ju morët pjesë edhe në mbledhjen e komisionit parlamentar të Ekonomisë mbrëmë (në mes të seancës së fundit). Pse dhe çfarë diskutuat aty? A mund të na thoni?
Aty u ballafaquan argumentet tona me ato të qeverisë. Kjo është pjesë e një procedure parlamentare, të cilën ne, kur kemi qenë në maxhorancë e kemi zbatuar me shumë rigorozitet. Në këtë mbledhje të komisionit parlamentar, qeveria pranoi se rritja ekonomike 2011 ka risqe, jo të pakonsiderueshme, sipas tyre ato rriten në qoftë se vendet partnere tregtare do të kenë situata të vështira ekonomike. Në këtë ballafaqim argumentesh qeveria pranoi shqetësimin që vazhdon ende ngurrimi për kreditimin e sektorit privat nga bankat dhe njëkohësisht u pranua edhe shqetësimi i ngritur nga kompanitë e ndërtimit, të cilat kërkojnë rreth 10 miliardë lekë apo 100 milionë dollarë punime të papaguara nga investimet e viteve 2009-2010.
Përfaqësuesit e maxhorancës votuan politikisht, duke rrëzuar buxhetin tonë alternativ. Qartësuam faktin që nëse nuk miratojnë rishikimin e ritmeve të rritjes ekonomike nga 5.5 në 4.5% dhe nëse nuk pranojnë uljen e defiçitit nga 3.5 në 2.5%, propozimi ynë bie dhe çdo element tjetër i tij nuk ka më mbështetjen tonë për ta trajtuar si propozim të opozitës. Siç do të verifikohet në buxhetin e dekretuar, maxhoranca nuk ka mbështetur asnjë nga elementët e propozimit tonë për një buxhet alternativ, që në thelb duhet të jetë buxheti i konsolidimit fiskal. Ndaj vota jonë që në nenin një ishte qartësisht dhe publikisht kundër.
A patët konsultim paraprak me grupin për të bërë propozimet tuaja për buxhetin dhe për të votuar?
Normalisht duhet të ishte Grupi dhe strukturat këshillimore të politikave ekonomike pranë Partisë Socialiste iniciuese të një oponence sa më të plotë profesionale dhe politike mbi buxhetin e vitit 2011. Fakti që në grupin parlamentar buxheti alternativ u mbështet, madje u ra dakord që kolegët e tjerë të paraqisnin propozime, besojmë e qartëson thelbin e pyetjes suaj. Ne ishim shumë fleksibël që propozimet tona të paraqiteshin edhe si propozime të grupit, siç edhe u vendos njëkohësisht, ishim shumë bashkëpunues me të gjithë kolegët e grupit parlamentar që do të dëshironin të bënin propozime të reja, siç edhe ndodhi në realitet.
Lidhur me votimin, ne argumentuam në grup që duhet të debatojmë qartë për ligjin më të rëndësishëm ekonomik të parlamentit. Duhet të rrisim transparencën ndaj publikut për përmasat dhe pasojat e keqqeverisjes së vendit. Argumentuam se përgatitja e një buxheti alternativ, bazuar në politika konkrete të të ardhurave, shpenzimeve, nivelit të defiçitit, borxhit publik, të burimeve dhe kostove të financimit të tyre do të ndihmonte rritjen e efikasitetit parlamentar dhe publik të Partisë Socialiste, element thelbësor për të qenë një opozitë që rrit shpresën dhe meriton mbështetjen për të qeverisur sa më parë vendin e saj.
A i "druheni" masave ndëshkimore për hir të këtij veprimi?
Përgjegjshmëria politike orientohet nga detyrimi për të qenë sa më aktiv në debatet parlamentare për sfidat e vendit tënd. Partia Socialiste po paraqet ofertën politike për ta nxjerrë vendin nga kriza politike, ndërsa ne si pjesë e saj paraqitëm ofertën ekonomike/buxhetin alternativ, për të ndalur përkeqësimin e stabilitetit fiskal të vendit. Nuk mund të jemi të habitur pse nuk ishim të gjithë bashkë, për të diskutuar dhe votuar kundër për ligjin më të rëndësishëm ekonomik të vendit tonë. Nuk jemi të zhgënjyer nga demagogjia dhe hipokrizia e maxhorancës, që në këtë rast u bë akoma më e qartë. Nuk kemi ndonjë vetëkënaqësi të tepruar nga vlerësimi që kolegët dhe ekspertët e pavarur i bënë buxhetit tonë alternativ dhe njëkohësisht nuk kemi ndonjë frikë.
Të shpresojmë që lidershipi i Partisë Socialiste, jo thjesht dhe vetëm për këtë rast, të jetë ndërgjegjësuar se fitorja politike nuk mund të vijë nga krijimi i armiqve imagjinarë brenda Partisë Socialiste apo së majtës, por nga përgjegjshmëria dhe angazhimi për fitoren politike të Partisë Socialiste në të gjitha sfidat e saj.
(Intervista eshte botuar sot ne Gazeta Shqiptare)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›