Malaj: Rritja ekonomike, qeveria gënjen buzagaz
Ish-ministri socialist i Financave, Arben Malaj, akuzoi mazhorancën se nuk ka marrë parasysh asnjë propozim të opozitës për paketën stimuluese të ekonomisë. Sipas tij, konstatohet se sa më shumë qeveria i deformon shifrat, aq më pak ajo ndien përgjegjësi për realitetin dhe risqet e ekonomisë sonë. "Sa më shumë qeveria zbukuron realitetin e ekonomisë shqiptare, aq më vonë ajo ndërmerr hapat e domosdoshëm për ta reduktuar rrezikun e krizës globale", u shpreh Malaj. Teksa shtoi se sa më shumë qeveria vonohet të veprojë, aq më e madhe dhe e rëndë bëhet kostoja e kësaj krize. Sa më shumë afrohen zgjedhjet, vijoi ai, aq më shumë miliona dollarë spotesh televizive do të keqpërdoren për të fshehur realitetin ekonomik shqiptar, aq më shumë miliarda lekë do të keqpërdoren për investime pjesore pa efekt ekonomik, por thjesht ‘nis dhe mos mbaro‘. "Kjo politikë ekonomike vetëm e fsheh situatën e vështirë, duke e bërë më të rëndë dhe më të gjatë. Çdo qeveri që e fsheh situatën e krizës përpara zgjedhjeve duke shpresuar ta menaxhojë atë pas zgjedhjeve, ka sjellë kosto më të rëndë për taksapaguesit e vendit të saj", nënvizoi Malaj. Në analizën e tij, situatat e vështira menaxhohen me kurajë politike dhe profesionale, edhe duke i humbur zgjedhjet, jo duke tentuar t‘i fitosh ato me mashtrime. "Guximi për të mashtruar buzagaz - është kërcënimi më i madh që i bëhet qeverisjes së vendit. Cilat janë disa nga argumentet profesionale pse kjo shifër është jorealiste", tha Malaj. Ish-kreu i Financave tha se ka rënie të dërgesave të emigrantëve, i cili ka qenë një burim i rëndësishëm i konsumit dhe investimit në ekonominë tonë, Banka Qendrore deklaron një rënie me 13-23% ose 150-250 milionë euro më pak. Ashtu sikurse ka rënie të eksporteve ku diferenca në rritje e deficitit tregtar e ul rritjen ekonomike të një vendi dhe nuk e rrit atë. "Për këtë mjafton të shikojmë se ç‘po ndodh me sipërmarrjet private që punojnë me lëndë të parë të porositësit (ata janë eksportuesit kryesorë dhe të vetëm, mbasi për mineralet koniunktura botërore është e pafavorshme)", u shpreh Malaj. PS vë re se ka vështirësim të marrjes së kredisë dhe ka ngadalësim të ritmeve të rritjes së saj, deri në shtator 2009 investimet publike ishin në shifra shumë të ulëta, më pak se 50%, çka përjashton mundësinë që ato të kenë qenë faktori i rritjes 9,9%. "Investimet private në sektorin e ndërtimit janë në rënie, gjë që tregon se jo e gjithë rritja e investimeve publike është rritje shtesë në ekonomi", nënvizoi Malaj.