E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet në Tiranë 1 kg e 200 gramë heroinë

Pas 15 ditësh ndjekje dhe
përgjimesh të shumta,
agjentët e antidrogës në
Drejtorinë e Policisë së Tiranës,
u shpërblyen dje paradite duke
kapur në flagrancë shtetasin Binak
Dobrushi, i cili ishte nisur të
kryente shitjen e 400 gramëve
heroinë. Por operacioni ka sjellë
edhe surpriza të tjera për policinë,
kur në shtëpinë e të prangosurit
u gjet edhe një tjetër sasi
e konsiderueshme droge po e
llojit heroinë. Sipas njoftimit
zyrtar të shpërndarë dje nga
Drejtoria e Policisë së kryeqytetit,
"falë një operacioni të
mirorganizuar i koduar "Fusha e
Zezë" i realizuar nga seksioni
kundër drogës pranë policisë së
kryeqytetit, arritën të sekuestrojnë
sasinë prej 1 kg e 200
gramë lëndë narkotike e dyshuar
heroinë, si dhe vendosjen nën
pranga të shtetasit Binak Sali
Dobrushi, si mbajtës dhe shitës
të saj". Mbi bazën e posedimit
të shumë informacioneve operative,
përgjatë një periudhe 2-javore
hetimi u mundësua identifikimi
dhe kapja e 48-vjeçarit
Dobrushi, banues në Tiranë dhe
i survejuar prej kohësh si trafikant
dhe shitës me pakicë e shumicë
të lëndëve të forta narkotike.
Nga tërësia e veprimeve
hetimore, duke realizuar këtë
operacion me metodat speciale
të hetimit, kapja e tij është realizuar
në afërsi të shkollës "Dhora
Leka", pranë Fushës së Aviacionit,
Tiranë. Gjatë kontrollit të
ushtruar në banesën e tij, u
sekuestrua sasia prej 800
gramësh lëndë narkotike e llojit
heroinë, ndërsa sasia prej 400
gramësh lëndë iu sekuestrua
përgjatë kontrollit personal të
ushtruar në mjetin e tij. Ndaj tij
u mor masa e menjëhershme e
arrestit në flagrancë, ndërsa materialet
i kaluan Prokurorisë së
Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën
penale të prodhimit dhe
shitjes së lëndëve narkotike, vepër
penale kjo e parashikuar nga
neni 283 e Kodit Penal. Ky sukses
i sektorit të antidrogës, vjen
vetëm dy ditë pas kryerjes së
analizës vjetore të bërë nga drejtoria
e bluve të kryeqytetit ku
përveç "duartrokitjeve" për sukseset
e arritura gjatë vitit 2008
pati edhe mjaft kritika nga eprorët
e Drejtorisë së Përgjithshme.
Jo pak rëndësi në këtë analizë i
është kushtuar edhe antidrogës,
sektor nga i cili kërkohet më
shumë efikasitet. Sipas shifrave
zyrtare, gjatë këtij viti janë evidentuar
138 raste të trafikut dhe
shpërndarjes së lëndëve narkotike,
me 226 autorë, nga të cilët
165 të arrestuar. Kështu, për
shitje dhe shpërndarje të lëndëve
narkotike, 138 raste. Duke e krahasuar
me vitin 2007, janë evidentuar
52 vepra penale dhe 102
autorë më tepër. Gjatë këtyre operacioneve
janë sekuestruar rreth
25 kg e 641 gr drogë e llojit heroinë
(pa sekuestrimin e djeshëm),
407 gr kokainë, 159 kg e 110 gr
kanabis sativa, 61 tableta metadon,
72 tableta dhe 16 kapsula
ekstazi. Në shifrat e mësipërme
vihet re se sasia e kokainës së
kapur në kryeqytet si droga më e
shtrenjtë në treg, është gati qesharake,
vetëm 407 gramë...Dhe
s‘duhet harruar se gati e gjithë kjo
sasi u është kapur shpërndarësve
të vegjël që e shesin atë për përdoruesit
me paketa 2-10
gramëshe. Në shifrat e mësipërme
vihet re se antidroga
ndryshe nga vitet e tjera duket se
po reflekton ndaj të ashtuquajturave
"droga të reja", që janë ato
sintetiket (tejet shkatërruese për
shëndetin) siç është ekstazia.
Ndërkohë, për vitin 2009 u lanë
detyra për sektorin e antidrogës,
të cilat konsistojnë në instalimin
e teknikave të sofistikuara të
hetimit, si dhe forcimi i shkëmbimit
të informacionit me homologët
e vendeve të tjera ku
kanë shtrirë aktivitetin trafikantët
shqiptarë, të cilët më së
shumti si rezidencë të aktivitetit
të tyre kanë kryeqytetin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›