Malaj: Rritje me 498,6 milionë euro të ardhurat në buxhet gjatë 8-mujorit

TIRANË, 16 shtator /ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj bëri të ditur sot se të ardhurat e mbledhura në buxhet nga tatimet, doganat dhe kontributet, gjatë periudhës janar-gusht 2025, arritën në 498,6 miliardë lekë.
Malaj përmes rrjeteve sociale njoftoi se të ardhurat për këtë periudhë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, u rritën me rreth 33,9 miliardë lekë ose 7,3% më shumë. Ky tregues është realizuar në masën 101,4% të planit të periudhës.
Malaj bëri të ditur se të ardhurat nga Administrata Tatimore dhe Doganat për periudhën janar–gusht 2025 arritën në 331,5 miliardë lekë, duke tejkaluar planin me 704 milionë lekë (ose 0,2% më shumë), dhe janë 8,7% më të larta se e njëjta periudhë e vitit 2024.
Konkretisht, nga Administrata Doganore (TVSH importi, akciza, renta minerare, taksa doganore) të ardhurat totale arritën në 158 miliardë lekë ose 5,4 miliardë lekë më shumë, me rritje 3,5% krahasuar me 2024 dhe me realizim 99% të planit të periudhës.
Sa i takon të ardhurave nga Administrata Tatimore (TVSH neto, tatimi mbi fitimin, të ardhurat personale, taksat nacionale) ato u rritën në total në shifrën e 173,4 miliardë lekëve, ose 21,3 miliardë lekë më shumë, me rritje 14% kundrejt 2024 dhe me realizim 1,4% mbi planin e periudhës.
Malaj bëri të ditur se trend në rritje shënojnë edhe shpenzimet publike në 8-mujorin 2025.
Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 8-mujore të vitit 2025, arritën në rreth 457,4 miliardë lekë me një realizim në masën 98,9% të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024 ky zë ka rezultuar 12,7% më i lartë ose rreth 51,5 miliardë lekë më shumë.
Ndërsa niveli i suficitit, rezultoi në rreth 41,2 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë niveli i suficitit ka rezultuar 29,8% më i ulët ose 17,5 miliardë lekë më pak.
1 nga 4/e.xh//r.e/a.f/