POLONI – Policia heton një dron që fluturoi mbi ndërtesat qeveritare

VARSHAVË, 16 shtator /ATSH-PAP/ – Incidenti që përfshiu një dron që operonte në një zonë qeveritare me fluturime të kufizuara në Varshavë mund të ketë qenë një akt i pamatur dhe po hetohet si shkelje e ligjit të aviacionit, sipas raporteve nga shërbimet e zbatimit të ligjit.
Të hënën në mbrëmje, kryeministri polak, Donald Tusk shkroi në X se Shërbimi i Mbrojtjes së Shtetit (SOP) kishte neutralizuar me sukses një dron që po fluturonte mbi ndërtesat qeveritare dhe rezidencën presidenciale në Varshavë.
Edita Adamus nga Shtabi i Policisë së Varshavës i tha PAP-it se një 21-vjeçar ukrainas dhe një 17-vjeçare bjelloruse, të cilët kishin drejtuar dronin pa licencën e nevojshme dhe brenda një zone të ndaluar fluturimi, u ndaluan rreth orës 20:00.
Sipas Piotr Antoni Skiba, një zëdhënës i Zyrës së Prokurorit të Qarkut në Varshavë, shërbimet e zbatimit të ligjit po e hetonin incidentin si shkelje të ligjit të aviacionit dhe jo si spiunazh, gjë që mund të çonte në një dënim deri në pesë vjet burg.
Spekulimet në lidhje me një operacion të mundshëm spiunazhi u hodhën poshtë edhe nga Jacek Dobrzynski, një zëdhënës i ministrit-koordinator të shërbimeve speciale, i cili tha se të rinjtë mund të kenë fluturuar në mënyrë të pakujdesshme një dron rekreativ mbi ndërtesat qeveritare.
Për arsye sigurie, mjetet ajrore pa pilot nuk mund të operohen mbi ndërtesat qeveritare ose infrastrukturë tjetër kritike, të cilat janë shënuar qartë si të tilla me shenja të veçanta dhe të dukshme në një aplikim për operatorët e licencuar të droneve./ a.jor.