Malaj: Sfida e së majtës, imponon filozofi të re
Aristir Lumezi
Anëtari i kryesisë socialiste, Arben Malaj, në një intervistë ekskluzive për “Panorama” analizon disa nga faktorët që çuan në rezultatin zgjedhor të 28 qershorit. Malaj insiston në një filozofi të re bashkëpunuese, që duhet të përqafojë e majta në përgjithësi dhe PS në veçanti, për të dalë fituese në zgjedhjet e ardhshme. Sipas tij, e majta ka nevojë për një filozofi ku të përfshihen të gjithë kontributet në PS, aleatët dhe vetë shoqëria civile. Anëtari i kryesisë socialiste shpreh rezerva ndaj sjelljes që PS ka pasur me aleatët. Sipas tij, në përballjet e reja elektorale kërkohet në mënyrë e domosdoshme jo vetëm forcimi i bashkëpunimit me aleatët tradicionale, por dhe zgjerimi i aleatëve edhe nga e djathta. Malaj shprehet se forcimi i bashkëpunimit dhe zgjerimi me aleatë të rinj është jetik për fitoren e zgjedhjeve, pasi diferencat mes dy partive janë shumë të vogla. “Në rast të kundërt, ne rrezikohemi të jemi një parti me mbështetës solidë me vlera dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, por ky numër tenton të jetë jo i mjaftueshëm për të qenë fitues në ballafaqimet e ardhshme elektorale, lokale apo kombëtare”, shprehet Malaj. Sipas tij, me partitë aleate apo dhe individë nuk duhet të ketë fushatë negative nga asnjë nivel i Partisë Socialiste. Duke analizuar aktorët që morën peshën kryesore në garën e fundit elektorale, Malaj mendon se roli i kryetarit dhe i ekipit të kandidatëve për deputetë, janë shumë më të rëndësishëm se programi elektoral, duke përcaktuar në këtë mënyrë dhe fatin e rezultatit zgjedhor. Analizën e procesit dhe rezultatit zgjedhor, Malaj e sheh si një moment për të korrigjuar të gjithë ato elementë që penguan socialistët të vinin në pushtet, por shprehet se solidariteti nuk duhet të keqpërdoret për të ruajtur statuo-quon, pasi, sipas tij kjo do të ketë efekte negative për të ardhmen e PS-së. Ai shikon si emergjencë rikthimin e besimit dhe optimizmit të mbështetësve dhe elektoratit te PS-ja.
Zoti Malaj, duket se rezultati i zgjedhjeve, dhe pse mbeten disa qendra votimi të paqartësuara, tregon se koalicioni i djathtë i kryesuar nga PD është fitues. Cilat mendoni se ishin disa nga arsyet që e lanë sërish PS në opozitë?
Jemi në momentin dhe detyrimin ndaj çdo vote të socialistëve dhe mbështetësve tanë. Akoma janë të paqarta përmasat dhe cilësitë përbërëse të koalicioneve fituese dhe në opozitë. Një gjë është e qartë, që Partia Demokratike nuk e fitoi votën e shqiptarëve për t´i drejtuar ata. Një analizë më e plotë e faktorëve politikë të këtyre rezultateve kërkon më shumë kohë konkrete, kërkon qetësi dhe një këndvështrim vetëm pozitiv për përballimin e sfidave të së nesërmes së afërt.
Përveç Kodit Zgjedhor dhe ndonjë parregullsie në procesin e votimit, mendoni se kërkojnë rishikim edhe teza të tilla si “bashkim përtej të majtës dhe të djathtës”?
Nuk besoj se kjo tezë ka sjellë efekte negative në rezultatin e zgjedhjeve. Anëtarët dhe mbështetësit e dy partive të mëdha nuk ndikohen lehtë nga elementë të tillë të fushatave, ndërsa te grupet e tjera sociale ajo synonte efekte pozitive. Forcat politike tradicionale kanë nevojë të jenë të qartë në filozofitë në të cilat ato bazohen, por jo të ngurtësuara. Fleksibiliteti në funksion te një misioni dhe fleksibiliteti përballë një konkurrence jo të lehtë, duhet të jetë jo thjesht një mesazh, por një filozofi e liderëve politikë. Pa u ndalur ne detajet e analizës, një gjë është fakt që diferencat midis partive tradicionale ngushtohen, pushteti i medias është rritur, influenca e sindikatave dhe grupeve sociale ka rënë.
Në këtë ambient të ri social dhe politik, gjithnjë e më qartë do të jetë fituese ajo forcë kryesore politike që synon dhe konkretizon zgjerimin me partnerë edhe nga krahu opozitar. Sot në shumë vende evropiane janë prezent koalicionet e mëdha apo edhe të përziera.
Në fushatën zgjedhore përfaqësues të lartë të PS kanë mbështetur epërsinë e saj ndaj kundërshtarit politik bazuar në tre komponentë; një lider, një program dhe një ekip. Cili nga këto tre komponentë ndikoi në rezultatin e arritur?
Janë faktorë integralë të një fitoreje, por misioni i liderit tenton të këtë një impakt më përcaktues në modernizimin e forcës politike dhe nëpërmjet saj edhe të vendit të tij. Përderisa rezulton që maxhorancat i përmbahen jo shumë programeve elektorale edhe votuesit orientohen më pak nga premtimet elektorale. Lideri dhe ekipi me vizionin dhe kredibilitetin e tyre janë më përcaktues në arritjen e suksesit elektoral dhe qeverisës.
Sa efektiv para dhe gjatë fushatës ishte koalicioni i kryesuar nga PS dhe mendoni se u përsëritën po ato gabime që u bënë edhe në zgjedhjet e vitit 2005?
Kur parti apo individë ftohen të bëhen aleatë të një sfide, ato duhet të mbështeten maksimalisht, mbështetja e tyre duhet të jetë reale dhe produktive. Koalicionet nuk janë garë brenda vetë partive përbërëse. Pa suksesin e partive të koalicionit, rezultatet mbeten thjesht ato të partive më të mëdha, të cilat rezultojnë të pamjaftueshme për një shumicë të qartë dhe të qëndrueshme qeverisëse. Jemi ndeshur jo pak me këtë debat në fushatë. Qëndrimi im është publik, këto parti duheshin vlerësuar dhe falënderuar që janë pjesë e koalicionit tonë. Më këto parti dhe individë nuk duhet të ketë fushatë negative nga asnjë nivel i Partisë Socialiste. Çdo votë e Partisë Socialiste duhet t´i takonte vetëm Partisë Socialiste ndërsa partitë aleate duheshin mbështetur më mirë që të mund të merrnin më shumë vota nga votuesit indiferent dhe të pavendosur.
Padyshim që lidershipi i ri i Partisë Socialiste në të ardhmen nuk duhet ta nënvlerësojë sado pak në formulat dhe realitetet elektorale, domosdoshmërinë e zgjerimeve me aleate. Në rast të kundërt, ne rrezikohemi të jemi një parti me mbështetës solidë me vlera dhe përkushtim te jashtëzakonshëm, por ky numër tenton të jetë jo i mjaftueshëm për të qenë fitues në ballafaqimet e ardhshme elektorale, lokale apo kombëtare. Nuk duhet harruar, që kur humbjet janë të njëpasnjëshme ky grup mund të mos rritet, ndërsa grindjet e brendshme rriten duke paralajmëruar edhe humbje te ardhshme.
Nëse do ishim sot një vit para zgjedhjeve të përgjithshme, çfarë defektesh duhet të ishin riparuar dhe si mund të parashikonit rezultatin e një procesi zgjedhor normal dhe të lirë?
Do të jetë një analizë dyplanëshe. Në aspektin politik dhe në analizën e elementëve ligjore që lejuan apo favorizuan deformimin e vullnetit të votuesve. Strukturat ligjore të procesit zgjedhor deri tek KQZ u keqpërdoren politikisht, procesi elektoral rezulton i mbingarkuar politikisht. Në aspektin politik, do të ketë një analizë të plotë dhe më këndvështrim vetëm pozitiv. Një analizë për të korrigjuar gjithçka që na pengoi të ishim fitues, dhe jo një analizë për të rikrijuar kriza mosbesimi dhe konfliktesh. Ky do të jetë një moment shumë i rëndësishëm dhe jetik për sfidat e ardhshme të Partisë Socialiste. Solidariteti dhe uniteti janë vlera të rëndësishme, por keqpërdorimi i tyre për të ruajtur statuo-quon, është përgjegjësi e madhe me pasoja jo pozitive afatgjata. Gjithkush duhet t´i shikojë proceset e ardhshme në Partinë Socialiste si një mundësi për të rikthyer besimin dhe optimizmin.
LSI ka vendosur të bashkohet në qeverisje me koalicionin e djathtë i cili rezulton fitues në këto zgjedhje. Në kontekstin e tezës së hedhur dhe nga kryesocialisti Rama për bashkim “përtej të majtës dhe të djathtës”, është i motivuar ky bashkim?
Motivimi i kësaj aleance më shumë se sa një debat parimor, do të duhet të qartësohet për eficencën gjatë funksionimit të saj. Ndoshta do të ishte më mirë që LSI të bazohej në një fushatë parazgjedhore të opsioneve, se sa te tejpolitizimi qe e bën sot të vështirë kredibilitetin e aleancës pas zgjedhore. Ndoshta gjithnjë e më tepër politikës shqiptare do t´i kërkohet të konkurrojë me opsione aleancash se sa me fushata dhe strategji anti/kundra. Teza “Përtej të majtës dhe të djathtës”, për një parti te spektrit të majtë, minimalisht nuk mund t’i shërbejë LSI si alibi e aleancës djathtas.
Në një këndvështrim afatgjatë, Partia Socialiste do të jetë edhe vetë e orientuar drejt aleancave potenciale jo thjesht ideologjike, por të kushtëzuara shumë nga vlerat reale të përgjegjësive dhe kredibilitetit.
Zgjatja e procesit të certifikimit të zgjedhjeve dhe aq më keq një skenar për zgjedhje të parakohshme, nga këndvështrimi i ish- ministrit të Financave, çfarë efektesh negative jep në ekonominë në përgjithësi dhe në sipërmarrjen shqiptare në veçanti?
Vlerësimi negativ i procesit zgjedhor nga opinioni publik dhe certifikuesit ndërkombëtare mund të këtë kosto negative afatgjata. Vonesat e procesit kane kosto afatshkurtra, tërësia e kostove në realitet do të kushtëzohet nga kredibiliteti dhe efikasiteti i maxhorancës që synohet të krijohet, por jo vetëm prej saj.
Nëse ambienti politik paszgjedhor do të jetë i mbingarkuar me ballafaqime jo të lehta politike, nëse zgjedhjet do të marrin vlerësim negativ, nëse pasiguria e jetëgjatësisë dhe eficencës së maxhorancës në krijim do të jenë të lartë, kjo patjetër do të ndikojë edhe mbi ekonominë. Konsumatorët dhe investitorët do të jenë të ndrojtur në vendimmarrjen e tyre për shpenzimet e konsumit dhe investimet. Kjo situate ka efekt negativ mbi ekonominë, ato nuk mund të përballohen nga buxheti shtetit.
Sot ndodhemi në një situatë kur PS ka humbur zgjedhje parlamentare dhe në zbatimi të nenit statutor të miratuar në kongresin e vitit 2007, kryetari i PS duhet të largohet dhe jo të dorëhiqet. Kur mendoni se duhet të ndodhë ky përcaktim statutor dhe në ç’mënyrë duhet të zhvillohet zgjedhja e kryetarit të ri të PS-së?
Eshtë jo efikase dhe jo korrekte në raport me detyrimet ndaj gjithë votuesve për Partine Socialiste, që në këtë periudhë të shpërndahet fokusi dhe përgjegjësia, fokusi ndaj ballafaqimit jo të lehtë politik për mandatin e Fierit dhe të Beratit. Ky besoj se është detyrimi më i madh për çdo deputet dhe të zgjedhur në forumet e Partisë Socialiste. Mbivendosjet dhe padurimi cenojnë rëndë pikërisht fokusin dhe përgjegjësinë ndaj prioritetit më të madh politik, mbrojtjes së votës.
Cila mendoni se duhet të jetë platforma e ringritjes së PS në radhë të parë, por dhe e bashkimit të të gjithë të majtës për të përgatitur fitoren elektorale të radhës?
Për strategjinë dhe platformën post zgjedhore duhet punuar çdo ditë. Këtu nuk ka pse të jemi të vonuar, aq më tepër që me të do të përballemi menjëherë. Sfidat e të majtës duhen konsideruar sfida të përbashkëta. Do të jetë një proces që kërkon përfshirjen e të gjithë kontributeve në Partinë Socialiste, aleatëve të saj politikë, si edhe të shoqërisë civile.