E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: S’kushtëzojmë reformën me sistemin zgjedhor

PS heq dorë nga ndryshimi i sistemit zgjedhor. Gjiknuri: Qëndrim i detyruar nga pala tjetër

Partia Socialiste heq dorë nga kërkesa e saj për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Pavarësisht kërkesave të aleatëve të vegjël dhe angazhimit të saj edhe nëpërmjet platformës “Për linjat kryesore të reformës zgjedhore”, të cilën e nënshkroi vetëm një javë më parë, PS-ja ka hequr nga lista e kushteve kundrejt mazhorancës një kërkesë të tillë. Kjo ndoshta edhe për faktin se përballë ka pasur një qëndrim të prerë të shumicës së djathtë për të mos e prekur sistemin zgjedhor. Një fakt të tillë e ka bërë të ditur dje Damian Gjiknuri, njëri prej të mandatuarve të PS-së për të ndërmjetësuar me demokratët, i cili duke folur për mediat ka deklaruar se forca që ai përfaqëson nuk do të kushtëzojë gjithë procesin e reformës me ndryshimin e sistemit. “E vetmja çështje që nuk është në rekomandimet e ODIHR-it dhe që në njëfarë mënyre është pjesë e politikës shqiptare, e debatit, është çështja e sistemit zgjedhor. Por PS-ja e ka bërë të qartë se ne nuk duam të kondicionojmë reformën me ndryshimin e sistemit zgjedhor, pra nuk është në interesin tonë ta kondicionojmë atë”, - tha Gjiknuri ndërsa ka bërë të ditur se ky ka qenë një qëndrim i detyruar nga pala tjetër, pra PD-ja, e cila sipas tij nuk pranon të ndërhyhet në sistem. Megjithatë, ai nuk ka bërë të qartë nëse me këtë qëndrim të ri socialistët heqin dorë edhe nga ndonjë reformim apo korrektim të sistemit aktual, pavarësisht se për këtë ka vënë në dukje se duhet ndryshuar ose Kushtetuta, ose ligji për ndarjen administrative. Ndërkohë që ai ka bërë të ditur se që pas vizitës që zhvilloi në Tiranë delegacioni i Komisionit të Venecias dhe ODIHR, palët kanë rivendosur kontaktet për të bërë të mundur zhvillimin e negociatave zyrtare në ditët në vijim dhe ngritjen e komisionit parlamentar të reformës. Por pavarësisht këtyre përpjekjeve, palët duket se janë ende larg në qëndrime të paktën vetëm për një çështje: ajo që ka të bëjë me konsulencën e Komisionit të Venecias dhe ODIHR. Kështu, deri më tani palët kanë mundur të zgjidhin njërën prej çështjeve që kishte sjellë ngërç, pra atë që reforma të përqendrohet brenda 52 rekomandimeve, por nuk kanë mundur të gjejnë një zgjidhje për mënyrën sesi do t’i drejtohen Komisionit të Venecias për ekspertizë. Sipas Gjiknurit e vetmja rrugë, për shkak dhe të mënyrës sesi vihet në lëvizje Komisioni i Venecias, mbetet ajo që vetë komisioni zyrtar i reformës zgjedhore t’i drejtohet këtij institucioni për asistencë sa herë që të ketë një mosmarrëveshje mes palëve në tryezë. “Komisioni i Venecias dhe ODIHR-i nuk japin asistencë për partitë e veçanta. Dhe ky ka qenë një spekulim i bërë në publik. E vetmja mënyrë që ata mund të japin asistencë dhe të cilën ata e bënë të ditur është Komisioni i Reformës Zgjedhore. Propozimet e PS-së apo të partive të tjera të cilat do të jenë të debatueshme në Komision dhe do të jenë pjesë e debatit, patjetër do të kenë apo do të marrin fjalën ose opinionin e OSBE-ODIHR dhe Komisionit të Venecias në momentin kur palët do ta kenë të vështirë të gjejnë ndonjë zgjidhje”, - tha Gjiknuri. Megjithatë, një zgjidhje e tillë duket se refuzohet nga të djathtët, të cilët këmbëngulin që nëse PS-ja kërkon t’i drejtohet Komisionit të Venecias, t’i drejtohen jashtë komisionit të reformës zgjedhore, ndërsa premtojnë se në një rast të tillë janë të gatshëm të pranojnë çdo propozim që merr pëlqimin e tyre. Ndërkohë, Gjiknuri ka bërë të ditur dhe një fakt tjetër, se PS-së nuk i intereson më as përgjigja e pyetjeve të Sekretarit të Përgjithshëm të KiE-së për Venecian, lidhur me problematikat e shfaqura në procesin zgjedhor të kryeqytetit më 8 Maj. Sipas tij, ato do të kishin rëndësi kur procesi ankimor ishte ende i hapur dhe tashmë kjo është një çështje e mbyllur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›