Malaj: Të ndalim rrjedhjen elektorale

Anëtari i kryesisë së PS, Arben Malaj, i njohur për qëndrimet e tij kritike kundër kryesocialsitit Edi Rama, së bashku me deputetët Kastriot Islami dhe Andis Harasani, thotë se “PS duhet shpëtuar nga rrjedhja elektorale”. Shqetësimin e tij deputeti socialist e ka shprehur jo vetëm në vijim të turit të bashkëbisedimit me socialistët në gjithë Shqipërinë, por edhe në komunikimet që ka patur me mediat, apo në bashkëbisedimet virtuale me miq në rrjetin social Facebook. “Në zgjedhjet lokale PS humbi shumë terren elektoral në shumë rrethe të vendit, megjithë mbështetjen e madhe që gëzon si forcë politike”- thotë Malaj, ndërsa atakon edhe njëherë vendimin personal të Edi Ramës për të mbajtur PS-në jashtë dyerve të parlamenti për një kohë ekstremisht të gjatë.
“Ne kemi një debat, nuk e fshehim dot; jemi disa kolegë deputetë që mendojmë se ne duhet të jemi në parlament. Bojkotimi i Kuvendit ishte dhe mbetet një vendim i gabuar, i cili në rastin më të keq veçse i ka sjellë tkurrje elektorale PS-së”- thekson deputeti socialist, Arben Malaj.