E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagojnë qytetarët, kërkojnë që kaosi në qendër të Tiranës të marrë fund

30-08-2011 / Gazeta 55

Bashkia e vjetër e Tiranës i la kryeqytetit një trafik kaotik,si trashëgiminë më katastrofike të tij. Rreth rrotullimi mes Unazës së Re dhe rrugës së Laprakës është porta kryesore e hyrjes në Tiranë. Për mijëra qytetarë  që vijnë nga Shkodra, Lezha, Kukësi, Kosova, Dibra, Burreli, Laçi dhe nga Jugu, që nga Saranda, Vlora, Fieri, Berati, Lushnja e deri në Durrës. Për çdo ditë mijëra e mijëra qytetarë duhet të presin për disa orë në trafik pasi rreth rrotullimi një prej nyjeve më të kritikuara që nga ndërtimi i tij nuk e përballon dot fluksin e automjeteve.
Bashkia e vjetër ia la trashëgimi kryeqytetit dhe mijëra  qytetarëve të rretheve të tjera  që vijnë çdo ditë në tiranë. Por a duhet që Tirana të vazhdojë jetojë nën stresin dhe katrahurën e trashëguar nga punime të kryera pa studime e plane afat gjata për t’i dhënë fund makthit të lëvizjes me  automjete, kur mijëra makina bllokohen për çdo ditë e për çdo orë në këtë  nyje.
Ndërhyrja në rikonceptimin e saj duket emergjente. 
Një mbikalim si ai i Kamzës është përfolur disa herë nga ekspertë dhe  specialistë të inxhinierisë rrugore, si zgjidhje e këtij problemi të përditshëm. Me ndryshimin e drejtimit të Bashkisë dhe rikonceptim të menaxhimit të Tiranës , zgjidhja nuk duhet të mbetet vetëm ide sepse rregullimi i trafikut do të ishte dhe shërbimi më i mirë që Bashkia e Tiranës do t’u bënte banorëve të saj.

Qytetarët: Kaosi në qendër të Tiranës duhet të marrë fund
Sheshi “Skënderbej”, i emëruar kështu nga pleqësia e burrave të Tiranës në vitin 1912, zemra e kryeqytetit dhe e vendit tonë, është kthyer prej kohësh në një kantier punimi, i cili ngjall stres, tension dhe trafik tejet të rënduar për qytetarët e Tiranës. Qytetarë të ndryshëm, shprehen të revoltuar për kaosin e nxitur prej projektit 10 milion euro të ish-kryetarit të bashkisë, Edi Rama, duke kërkuar me padurim zgjidhjen e situatës.
Sipas Bujar Hidit, një i moshuar autokton Tiranas, për të cilin Sheshi “Skënderbe”, simbolizonte pikënisjen e çdo kujtimi, duhet rregulluar dhe jo shkatërruar.
“Ky shesh është pjesë e imja”, tha ai, duke kujtuar me nostalgji dhe me lot në sy, luftën për çlirimin e Tiranës, bombardimin britanik në qendër të saj gjatë vitit 1944.
“Ky shesh duhet të pasqyrojë historinë e kryeqytetit, me anë të monumenteve historike, fotove të cilat pasqyrojnë  historinë e këtij sheshi dhe jo të shkatërrohet me gropat dhe ndërtesat e pa kuptimta”, shtoi Hidi, teksa na tregonte me detaje, paradën e ushtarake, ngritjen e flamurit gjatë festës së organizuar për çlirimin e Tiranës në lulishten pranë këtij sheshi, po në vitin 1944.
Ndërsa Lumturi Shehu, e cila kishte ardhur në kryeqytet gjatë viteve 80-të, e vlerësoi tepër nismën për ta rregulluar qendrën e Tiranës, por kritikoi projektin, të cilin e konsideroi anti-qytetar, pasi sipas saj, “ky projekt, betonizon më tepër një qytet, të cilit po i merret fryma, si pasoje e ndërtesave pa kriter të ngritura në çdo cep të saj”, tha ajo, e cila kujtoi me emocion vitin 1990, kur me rastin e rënies së komunizmit, Sekretari Amerikan i Shtetit Xhejms Bejker, organizoi një miting madhështor në këtë shesh.
Ndërkohë që, njëherazi të gjithë të intervistuarit vlerësuan me nota tepër pozitive dhe optimiste nismën e kryetarit të ri të Bashkisë së kryeqytetit, Lulzim Basha, i cili me një urdhër të posaçëm, i kërkoi menjëherë ekspertëve të kësaj bashkie të nisin një studim për ndryshimin e projektit fillestar me qëllim lehtësimin e trafikut. Sipas tyre, nisma e Bashës tregon vizionin e qartë dhe vullnetin e mirë të një intelektuali për të zgjidhur problemet e kryeqytetit e jo për t’i shtuar ato.
Ndërsa, turistë të huaj, të mburritur në mëngjesin e djeshëm në Tiranë, fokusonin në objektivin e aparatit fotografik xhaminë dhe ambientin për rreth saj. Ata u shprehën të habitur për gropat të cilat ndodheshin përreth saj.
“Tirana është shumë e bukur” vlerësoi njëra prej turisteve, e ardhur nga Anglia.
“Por, sheshi “Skënderbej” ngjan me një fushë betejë”, theksoi ajo, duke pyetur e çuditur, për arsyen që shtynte qytetarët të kalonin përmes vorbullës së pluhurit të krijuar nga punimet e kryera dhe jo të zgjidhnin një rrugë alternative. 
Ndërkaq, në lidhje me sheshin “Skënderbej”,  kreu i ri i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, në një intervistë për mediat pak kohë më parë, theksoi se projekti aktual i këtij sheshi, nuk i jep një zgjidhje të qëndrueshme çështjes së trafikut. “Prandaj çlirimi i përkohshëm i trafikut është një urgjencë me të cilën po merret Bashkia dhe ekipi im”- tha Basha duke theksuar se “është e rëndësishme që zgjidhja të jetë afatgjatë, e cila respekton në mënyrë të plotë nevojat e qytetarëve jo vetëm sot, por një zgjidhje që i qëndron 50 apo 100 viteve të ardhshme”, deklaroi Basha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›