E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malaj: Tri sfidat që duhet t’u përgjigjet PS



Deputeti i Partisë Socialiste Arben Malaj, duke folur dje në Kongresin e PS-së, paraqiti para 1500 delegatëve 3 sfida, të cilat Partia Socialiste duhet të përballojë në kohën e sotme. Malaj tha se PS duhet të ndryshojë në mënyrë që të fitojë zgjedhjet lokale, të cilat janë vetëm 1 vit larg. "Sfida jonë e parë është modernizimi i Partisë Socialiste, si rruga më efeçente dhe e qëndrueshme për të fituar dhe merituar mbështetjen e shqiptarëve", tha Malaj i cili shtoi se "përsa i përket sfidave të modernizimit të Partisë Socialiste, asnjë prej nesh nuk ka fuqi individuale çudibërëse". Deputeti i PS-së tha se modernizimi i partisë vjen edhe nga vlera e diversitetit të mendimeve dhe harmonizimit të kontributeve në parti. "Modernizimi i Partisë Socialiste konsolidohet edhe nga vlera e shtuar e diversitetit të mendimeve dhe duhet të mbështetet në harmonizimin e të gjitha kontributeve", tha Malaj. Ai paraqiti edhe dy sfidat e tjera. "Vizioni ynë duhet t'iu përgjigjet tri sfidave. Modernizimit të Partisë Socialiste, zgjerimit të aleancave dhe zhvillimit ekonomik dhe social të vendit", tha Malaj. Përpara delegatëve të PS-së deputeti Malaj paraqiti mangësitë e partisë. Sipas tij, në PS ka një pushtet të përqendruar dhe kërkoi që marrëdhëniet nuk duhen radikalizuar me institucionet e vendit por përkundrazi. "Aktualisht, disa prej dukurive që pengojnë maksimizimin e efikasitetit të Partisë Socialiste janë: pushteti i përqendruar, radikalizmi i marrëdhënieve me një pjesë të institucioneve të vendit, si dhe konceptimi i shumicave numerike si prova reale e standardeve të demokracisë së brendshme", tha Malaj, i cili shtoi se "absolutizimi i shumicave numerike dëmton rëndë vlerat thelbësore të demokracisë. Ky dallim duhet të jetë i qartë sot, në mënyrë që nesër, të mos kthehemi në vëzhgues pasivë të deformimeve e standardeve të demokracisë dhe të keqqeverisjes së Shqipërisë". Sipas Malajt Partia Socialiste duhet të pozicionohet qartësisht si një parti e institucioneve të forta, një model ndryshe nga modeli i kësaj maxhorance, ndryshe nga modeli i liderit me pushtet absolut, i cili rrezikon të ardhmen demokratike të vendit. "Realiteti politik i të majtës progresiste evropiane na tregon qartë se fitoret politike janë jo të lehta, ndërsa mirëqeverisja e çdo vendi po bëhet gjithnjë dhe më e ndërlikuar", paralajmëroi deputeti i PS-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›