E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia bën gafë me dashje, rrezikon humbjen në tavolinë



Vllaznia fitoi 3-2 ndeshjen me Skënderbeun, por skuadra shkodrane rrezikon ta humbasë takimin në tavolinë, pasi në protokollin e ndeshjes stafi shkodran kishte shënuar emrin e sulmuesit Bekim Bala, ndërkohë që në lojë ka qenë i riu Ansi Nika. Gjithçka është konstatuar nga stafi korçar vetëm pas ndeshjes, çka solli edhe reklamimin e drejtuesve të Skënderbeut. Vendimi përfundimtar pritet të merret nga Komsioni i Disiplinës. Gjithsesi, duke kaluar te ndeshja, ishte Enkel Alikaj që kaloi në avantazh Vllazninë në minutën e 17-të, përpara se Enco Malindi të barazonte shifrat në minutën e 25-të. Mbrojtësi malazias Blazo Rajoviç i radha avantazhin Vllaznisë pas penalltisë së ekzekutuar në minutën e 41-të. Në minutën e 61-të mbrojtësi i Vllaznisë, Dritan Smajli u largua me karton të kuq pas dy të verdhave. Klodian Asllani barazoi për korçarët në minutën e 81-të, por ishte sërish Blazo Rajoviç, ky i fundit sërish me penallti pas tri minutash fiksoi shifrat në 3-2, por që mund të bëhen të pavlefshme.

Shkumbini -Tirana 0-1
Tirana mposhti 1-0 Shkumbinin në Peqin, në ndeshjen e zhvilluar pa shikues, teksa 24-herë kampionët e Shqipërisë, jo vetëm kapën vendin e dytë e vonuan festën “titull” të Dinamos, por dhe regjistruan fitoren e tretë rresht nën drejtimin e Sulejman Starovës. Kapiteni Devi Mukaj shënoi në minutën e 15-të golin e fitores së çmuar të Tiranës (goli i tij i dytë sezonal), ndërkohë që sulmuesi i Shkumbinit, Endri Bakiu, gaboi nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 81-të përballë veteranit Blendi Nallbani. Tirana u ngjit vendin e dytë në kuotën e 44 pikëve, një
më shumë se Besa (43). Kjo ishte fitorja e 31-të në 42 ndeshje historike me Shkumbinin (4 fitore), që nga ana e tij pësoi humbjen e dytë sezonale në shtëpi pas asaj me Besën. Shkumbini u rrëzua në vendin e gjashtë (39 pikë).

Apolonia - Dinamo 2-1
Apolonia triumfoi 2-1 ndaj Dinamos në “Loni Papuçiu”, ndërkohë që kampionët ende të pashpallur të Superligës pësuan humbjen e tretë rresht dhe nuk fitojnë prej pesë javësh, duke shtyrë edhe për një javë fitimin matenatikor të titullit të 18-të. Pa trajnerin Shkëlqim Muça në bankinë, Dinamo shënoi e para me Fatjon Sefën (43’), që rikthehej te goli qysh nga 16 dhjetori i vitit 2009 (në ndeshjen kundër Vllaznisë). Sulmuesi Mlladen Bërkiç ishte heroi i fitores së 9-të sezonale të Apolonisë, pasi serbi (tashmë në kutoën e 13 golave) realizoi një dopjetë në minutat 54’ dhe 84’. Tri pikët e marra nga fierakët (34 pikë) spostuan Kastriotin, Skënderbeun e Gramozin në tri vendet e fundit. Tashmë, Dinamo pritet ta festojë në “Qemal Stafa” titullin kampion, ku blutë do të presin Teutën dhe u mjafton barazimi. Kjo ishte fitorja e 13-të e Apolonisë në 61 ndeshje historike me Dinamon (35 fitore).

Teuta – Besa 3-2
Teuta arriti një fitore të çmuar ndaj Besës me një rezultat të “ngjeshur” 3-2, por me të veçantë se të pesë golat u shënuan në pjesën e dytë. Dy formacionet kishin shumë mungesa titullarësh. Talenti më i ri i kavajasve, Ariel Shtini shënoi në minutën e 57-të, por gëzimi i ligjshëm i trajnerit të Besës, Shpëtim Duro, zgjati vetëm pak sekonda, pasi Bledar Hodo i Teutës barazoi me penallti në minutën e 58-të. Ishte sërish 25-vjeçari Hodo që realizoi golin 2-1 të takimit në minutën e 60-të, duke u ngjitur në kuotën e pesë golave sezonalë. Vilfor Hysa i çoi shifrat në 3-1 në minutën e 72-të (goli i tij i gjashtë sezonal) dhe tri minuta më pas, goleadori Daniel Xhafaj vulosi shifrat në 3-2. Për sulmuesin vlonjat të Besës ky ishte goli i tij i 13-të, po aq sa Elis Bakaj (Dinamo) dhe Mladen Bërkiç (Apolonia). Teuta (35 pikë) doli nga zona e plejofit, duke lënë pas Apoloninë (34) Skënderbeun (33), Kastriotin (33) dhe Gramozin (22)

Flamurtari-Kastrioti 3-0
Flamurtari shkatërroi 3-0 Kastriotin (me dhjetë lojtarë), një rival direkt në luftën për mbijetesë, duke e çuar në pesë serinë e fitoreve rresht. Talenti Ledion Liçaj çeli serinë e golave në minutën e 24-t, përpara se Ylli Shameti i Kastriotit të ndëshkohej me karton të kuq në minutën e 62-të. Stafi i Kastriotit protestoi ashpër për golin e vlonjatëve. Golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar dhe i Flamurtarit në këtë edicion, Migen Memelli realizoi një dygolësh (75’ dhe 86’), duke fiksuar shifrat në 3-0. Ish-sulmuesi i Tiranës u ngjit në kuotën e 10 golave, po aq sa Nora i Laçit, por tre gola më pak se Elis Bakaj (Dinamo), Mladen Bërkiç (Apolonia) dhe Daniel Xhafaj (Besa). Flamurtari u ngjit në kuotën e 39 pikëve, tani në vendin e gjashtë, po aq sa Shkumbini, por me golaverazh më të mirë se peqinasit.

Laçi – Gramozi 1-0
Laçi bëri detyrën në fitoren 1-0 kundër Gramozit të vendit të fundit, ndërsa ëndrra “Europë” e kurbinasve vazhdon të mbetet e gjallë, kur kanë mbetur edhe pesë javë nga përfundimi i sezonit. Golin e me vlerë tri pikë e shënoi Ervis Kaja në minutën e 75-të. Laçi rikonfirmoi vendin e katërt, tashmë në kuotën e 42 pikëve. Për Gramozin (22 pikë) bëhet fjalë për humbjen e 16-të në 28 javë dhe të 11-n në transfertë.

Kategoria Superiore
Java 28, 17.04.2010

Shkumbini-Tirana 0-1
Shënues: / Devi Mukaj 15’

Apolonia-Dinamo 2-1
Shënues: Mladen Brkic 54’, Mladen Brkic 84’/ Fatjon Sefa 43’

Teuta-Besa 3-2
Shënues: Bledar Hodo 58’(p), Bledar Hodo 60’, Vilfor Hysa 72’ / Ariel Shtini 57’, Daniel Xhafa 75’

Vllaznia-Skënderbeu 3-2
Shënues: Enkel Alikaj 17’, Blazo Rajovic 41’ (p), Blazo Rajovic 84’ (p)/ Enco Malindi 25’, Klodian Asllani 81’

Laçi-Gramozi 1-0
Shënues: Ervis Kaja 75’

Flamurtari-Kastrioti 3-0
Shënues: Ledion Liçaj 24’, Migen Memelli 75’, Migen Memelli 86’

RENDITJA
1. Dinamo 58
2. Tirana 44
3. Besa 43
4. Laçi 42
5. Vllaznia 42
6. Flamurtari 39
7. Shkumbini 39
8. Teuta 35
9. Apolonia 34
10. Skënderbeu 33
11. Kastrioti 33
12. Gramozi 22

19 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›