E Diel, 1 Nëntor 2026

Blushi: Fitojmë vetëm të bashkuar, Braçe: PS në krizë identiteti, jo më parti e biznesmenëve



Aristir Lumezi

Anëtari i kryesisë socialiste, Ben Blushi, gjatë fjalës së tij dje në Kongres kërkoi bashkimin e të gjithë socialistëve. Blushi u kërkoi delegatëve të kongresit të shohin arsyet e humbjes së 28 qershorit jo vetëm tek kutitë e votimit, por edhe tek defektet dhe gabimet e vetë PS-së. "Në gjithë këto muaj të një debati të ashpër brenda partisë, kam besuar dhe besoj se arsyet e 28 qershorit nuk fshihen të gjitha në kuti. Një pjesë e këtyre arsyeve janë jashtë kutive, ato janë në mes nesh. Kutitë mund të na japin dëshmi dhe prova për krimin e Qeverise, por dobësitë kronike të së majtës, përçarjen e saj të re dhe të vjetër, mungesën e një programi që zgjidh nevojat e shoqërisë, që zbut çështjen e papunësisë dhe të varfërisë, organizimin e një partie funksionale dhe demokratike, këto janë disa çështje që nuk janë në dorën e Qeverisë, por vetëm dhe vetëm në dorën tonë", u shpreh Blushi. Blushi në fjalën e tij i kërkoi lidershipit socialist që të mundësojnë bashkimin e të gjithë socialistëve dhe të mos tentojnë të gjejnë vetëm aleatë të djathtë. Blushi tha se ky kongres duhet të shohë përpara dhe jo në të kaluarën. "Dikush mund të thotë se tani jemi më shumë sepse edhe disa parti të djathta janë rreshtuar me ne. Unë nuk e kundërshtoj, por nuk mund të besoj se bashkimi i të majtës fillon nga e djathta. Ky Kongres duhet t'i japë të gjithëve një arsye, jo vetëm për të qëndruar në Partinë Socialiste, por edhe për t'u rikthyer në Partinë Socialiste, sepse askush nuk më bind dot se është më e lehtë të bashkohesh me Spartak Ngjelën se me Petro Koçin, se është më mirë të bashkohesh me Nard Ndokën se me Arben Malajn dhe Kastriot Islamin, se është më e thjeshtë të bashkohesh me ata që kërkuan vota kundër Partisë Socialiste në 28 qershor dhe për të cilët më vjen mirë që kanë ndryshuar qëndrim, sesa të bashkohesh me Andis Harasanin, Marko Bellon, Ylli Bufin, Musa Ulqinin, Rajmonda Stefën, Eva Allushin, Saimira Pinon, Elmaz Sherifin dhe qindra socialistë të tjerë shumë prej të cilëve edhe në këtë sallë, të cilët pothuajse janë zbuar nga partia socialiste, pse muaj më parë kanë kërkuar ato gjëra që po realizohen sot", u shpreh Blushi.

Braçe: PS të jetë e majtë,jo parti e biznesmenëve

Aristir Lumezi

I ashpër ishte me kryetarin dhe lidershipin e PS-së deputeti i Beratit, Erion Braçe. Ai akuzoi Ramën për afrim të biznesmenëve në PS që nuk kanë asnjë lidhje me shtresën që kjo parti përfaqëson, ndërsa kritikon rëndë programin politik të PS. "Ky program është revizionuar shpesh, janë mbartur përmirësime! Ndryshimet kësaj here nuk duhet të jenë një revizionim i radhës. Për më tepër një revizionim i keq, që na heq edhe atë pak identitet që na ka mbetur! Po e them që në fillim se 'formulimi i ri', sipas të cilit PS është parti politike përfaqësuese e spektrit të qendrës së majtë dhe liberale, është i papranueshëm", u shpreh Braçe. Sipas tij, PS-ja duhet të ketë një identitet të qartë politik në mbështetje të së majtës reale. "Një program i mirë kuron edhe identitetin e politikanit përfaqësues, krizën e identitetit në përfaqësim ne po e vuajmë. Njerëzit besojnë në ofertën politike, por kultura tradicionale e ndërvar besimin dhe te përfaqësuesi politik. Një kokë me brilantinë, duarzbukuruar me unaza diamanti e ora 10 mijë euro, një makinë 50-60 mijë euro, një shtëpi 200 mijë euro, më tej pallate 5-6 milionë euro, bërë pa djersën e ballit, por me lehtësinë e ndereve e favoreve politike e administrative, paratë e korrupsionit, nuk janë sende, por mënyrë jetese. Ajo përfaqëson interesin, por jo kauzën, aq më pak punëtorët, të papunët, bujqit, mjekët, mësuesit, shërbëtorët e shtetit, studentët, emigrantët... Aksioma se duhen në krye njerëz të pasur, sepse nuk vjedhin, doli e pavërtetë dhe banale! Ndaj na duhet një qasje e re etike në thelb të identitetit tonë përfaqësues!", u shpreh Braçe. Deputeti socialist kërkoi një ridimensionim më të mirë të marrëdhënies së PS-së me lirinë e shprehjes. "Duhet parë ndryshe marrëdhënia jonë në lidhje me lirinë politike dhe lirinë e shprehjes; beteja jonë për zgjedhje të lira nuk duhet të ketë kthim apo të këmbehet me çdo gjë tjetër, të përfshijë modernizimin e sistemeve për t'i larguar nga ndikimi kriminal i qeverive dhe të kthejë në votues çdo shqiptar të emigrimit", u shpreh Braçe.
E majta
Ai i kërkoi lidershipit, por edhe kongresit besim dhe mbështetje të së majtës dhe jo politika klienteliste. "Unë besoj tek e majta, ndaj besoj tek fitorja! Tek një e majtë përfaqësuese, jo sipërmarrëse! Ne, nuk e mundim dot Berishën, duke bërë apo duke u bërë si ai, duke i marrë apo duke i blerë klientët politikë apo ekonomikë! Ne e mundim Berishën si të majtë! Duke përfaqësuar interesat e shumicës së majtë në këtë vend dhe duke i shërbyer çdo shqiptari, që kërkon të jetojë ndershmërisht këtu", u shpreh Braçe. Duke i bërë një analizë situatës në PS, Braçe akuzoi disa fenomene që po e dëmtojnë dhe largojnë partinë nga mbështetësit e saj. Ai tha se shumë forume funksionojë formalisht, nuk sjellin asgjë të re, ndërsa nuk mungon edhe vakumi institucional. Sipas tij, "sekretariati ekzekutiv nuk funksionon, asambleja kombëtare shpesh bie në formalizëm, ndërsa grupi parlamentar socialist është ende larg rolit natyral të kontrollit sistematik, të përditshëm, politik e profesional, të Qeverisë e qeverisjes".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›