E Diel, 1 Nëntor 2026

Besëlidhja fiton me Bylis, “rebelim” në Cërrik



Besëlidhja i shtyu fitimin e titullit kampion Bylisit, pas fitores 1-0 në Lezhë (java e 26-të e Kategorisë së Parë), falë një goli të realizuar nga Saimir Lamnica në minutën e 58-të, por që solli edhe protestën e ballshiotëve. Për Besëlidhjen kjo ishte ndeshja e gjashtë pa humbje, ndërsa për Bylisin humbja e 3-të në 26 ndeshje të këtij sezoni. Në katër ndeshjet e tjera të ditës së shtunë, Pogradeci fitoi 3-2 në Maliq me Sopotin, Memaliaj fitoi 3-0 në shtëpi me Gramshin, Ada 3-1 me Luftëtarin në Velipojë. Turbina dhe Bilishti barazuan 1-1 në Cërrik, por në gjyqtari Beqri dha tre kartonë të kuq, një për Turbinë dhe dy për Bilishtin. Të dielën luhen edhe tri ndeshjet e fundit të javës së 26-të: Elbasani-Burreli, Kamza-Skrapari dhe kryesfida Lushnja-Partizani.

KATEGORIA E PARË
JAVA 26

17.04.2010
Memaliaj-Gramshi 3-0
Turbina-Bilisht Sport 1-1
Besëlidhja-Bylis 1-0
Pogradeci-Sopoti 3-2
Ada-Luftëtari 3-1

18.04.2010
Elbasani-Burreli
Kamza-Skrapari
Lushnja-Partizani

Trajneri i mohon Bogdanit ndeshjen e 300-të

Chievo Verona fitoi 2-0 kundër Livorno, në javën e 34-t të Seris A, ndërkohë trajneri Di Karlo i mohoi sërish Erjon Bogdanit ndeshjen e tij të 300-të në Itali. Golat për Chievo u shënuan nga Pelisier në pjesën e parë (20’) dhe zëvendësuesi Abruscato në të dytën (88’). Chievo u ngjit në kuotën e 41 pikëve, ndërkohë që Livorno (26 pikë), gjithmonë e fundit, pësoi humbjen e 20-të në kampionat. Në Gjermani, Mainz 05 i Jahmir Hykës fitoi 1-0 në transfertë me Hamburger, në provën gjenerale të këtij të fundit në gjysmëfinalen e Ligës së Europës. Golin e çmuar për Mainz 05 e shënoi Banse në minutën e 20-të. Fantazisti i Kombëtares shqiptare ishte në stol në ndeshjen kundër ekipit të Rud van Nistelroit. Albert Bunjaku luajti 90 minuta të plota në humbjen 2-1 të skuadrës së tij, Nurnberg me Freiburg në transfertë. Maroh i Nurnberg shënoi një autogol në minutën e 4-të, përpara se të korigjonte gabimin në të 79’. Shuster (60’) ishte autori i golit të dytë të Freiburg. Të premten, Bochum i Mërgim Mavrajt humbi 2-0 me Këlnin në transfertë. Asnjë minutë për mbrojtësin kosovar.
Në ndeshjet e tjera të kampionatit gjerman, Schalke 04 fitoi 3-1 me Borusia Munchengladbah duke mbajtur shpresa për titullin kampion, Shtutgardi fitoi 2-1 me Bajer Leverkusen dhe Volfsburgu humbi 4-2 në shtëpi me Verder Bremen. Bajern i Munihut shkatërroi 6-0 Hanoverin e Altin Lalës (në tribunë). Të dielën luhen Borusia Dortmund-Hofenheim dhe Eintraht Frankfurt-Herta e Berlinit.
Në Bundesliga 3, sulmuesi Skerdilajd Curri (86 minuta lojë) dha një asist dhe goditi shtyllën në fitoren 3-1 të Erzegirge Aue kundër Holstein Kil, fitorja e katërt rresht për skuadrën e kavajasit. Ramaj hyri në lojë si zëvendësues në minutën e 65-të.

Premier League
Junaitid, padroni i Mançesterit

Totenhemi shkatërron Çelsin. Tani diferenca me Mançester Junaitid është reduktuar në një pikë

Një gol i veteranit Pol Skols në minutën e 93-të i dhuroi fitoren Mançester Junaitid në fitoren 1-0 në transfertën kundër rivalit të përjetshëm qytetas, Mançester Siti, në javën e 35-të të kampionatit anglez. Ky ishte dhe goli i 103-të i Skols në Premier League, i shënuar me kokë pas një harkimi të Patris Evra. Në derbi luajti edhe Uejni Runi. Totenhemi mposhti 2-1 Çelsin në një ndeshje dramatike në “Uajt Hart Line”, duke hapur sërish betejën për titull midis formacionit të Karlo Ançelotit dhe Mançester Junaitid, teksa diferenca midis kryesuesve është vetëm një pikë. Zhermen Defeo realizoi golin e parë me penallti (15’) pas një prekje të topit me dorë nga ana e kapitenit të Çelsit, Xhon Terri i ndëshkuar më pas edh me karton e dytë të verdhë e rrjedhimisht të kuq në minutën e 67-të, kur rezultati kishte shkuar 2-0. Bale në të 44’ (asist i Pavliçenkos) çoi shifrat në 2-0 përpara se Frenk Lampard të shkurtonte diferencën në minutën e 90-të. Humbja komplikon jo pak pozitat e Çelsit, kur kanë mbetur edhe tri ndeshje nga përfundimi i Premier Ligës. Sanderlendi i Lorik Canës fitoi 2-1 kundër Bërnlit. Frazier Kampbell shënoi golin e parë të Sanderlendit, por të barazuar nga Stiv Tompson. Darent Bent shënoi golin e fitores, njëherësh edhe goli i tij i 24-t sezonal. Ashtu edhe siç pritej për shkak të një problemi shëndetësor Lorik Cana nuk ishte grumbulluar as në 18-shen e skuadrës. Në ndeshjet e tjera, Bllekbërni humbi 2-3 me Evertonin, Fulhami barazoi 0-0 me Uolverhemptonin dhe Stok Siti humbi 1-2 me Boltonin. Birmingam-Hull Siti barazuan 0-0. Të dielën luhen ndeshjet: Uigan-Arsenal dhe Portsmuth-Aston Vila. Të hënën luhet takimi Liverpul-Uest Hem (i Valon Behramit).

Xof: “Lazio-Roma, e hapur”
Interi kryeson me dy pikë më shumë se Roma

“Derbi është gjithmonë një ndeshje e pasigurt. Kësaj radhe, duke parë momentin e mirë në formën e Lacios dhe Romë është akoma më e vështirë për të bërë një parashikim”. Këtë e thotë Dino Xof për Calciomercato.it. “Nëse shohim klasifikimin, duhet të themi se verdhekuqtë janë favoritë, por diferenca e pikëve nuk pasqyron vlerat në fushë. Lazio ka potencial të madh. E pastaj, ndërkohë për Romën është thelbësore për të fituar për të ndjekur rrugën për titull, bardhekaltërit, që praktikisht janë të shpëtuar mund të luajnë më me shumë qetësi”. Xof duartroket edhe dy trajnerët e derbit. “Ranieri ka kompletuar një rikthim të madh për të fituar titullin, - nënvizoi ish-trajneri i Kombëtares së Italisë, - Reja përkundrazi ka përmbushur atë që të gjithë prisnin nga grupi i lojtarëve që ka në dispozicion”. Ky është derbi i 165-të në historinë e dy skuadrave. Trajneri i Romës, Ranieri: “Fitorja e Interit nuk ndryshon asgjë në rrugën tonë. Gjithmonë kemi menduar për veten tonë dhe jo për të tjerët. Toti në fushë? Do të vendos në mbrëmje”. Inter fitoi të premten 2-0 kundër Juventus dhe tani kryeson me dy pikë më shumë se Roma, e nëse skuadra e Francesko Totit do të humbasë do të bëhet shumë e vështirë për romanët e Ranierit për të fituar titullin.

Reja vullkanike, rrezikohet Inter-Barca

Reja vullkanikë që ka prekur qiellin e Europës kërcënon edhe ndeshjen Inter-Barcelona, e vlefshme për gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve, në program për të martën. Sipas “El Mundo Deportivo”, udhëtimi i skuadrës katalanase në Itali mund të shndërrohet në një odise të vërtetë pas mbylljes së aeroporteve në veri të Italisë dhe anulimit të fluturimeve. Reja vullkanike ka prishur planet e skuadrës së Guardiolës, që ka planifikuar të mbërrijë në Itali të hënën e ardhshme, ndërkohë që fluturimet mund të nisin të martën. Problem është dhe mbërritja e tifozëve katalanas në “San Siro”. UEFA nuk ka vendosur asgjë në lidhje me ndonjë ndryshim të datës.

F1, Fetel, pole në Kinë

Sebastian Fetel do të startojë nga pole position në “Chinese Grand Prix” në Shangai të Kinës. Shoku i tij te skuderia Red Bull, Mark Ueber, i dyti, do të kompletojë linjën e parë grilën e nisjes. Kjo është hera e tretë që gjermani Fetel fiton pole position në katër sesione kualifikuese të Grand Prix të këtij sezoni. Sebastian Vettel fitoi edhe garën e fundit, Grand Prix Malaysia pas një garë tërësisht profesionale në Kuala Lampur. Felipe Massa kryeson pas tre garave me 39 pikë, Alonso dhe Vettel kanë nga 37 pikë. Button ka tani 35 pikë, në të njëjtën numër pikësh sa Rosberg dhe katër pikë më shumë se shoku i tij i ekipit te MecLaren, Hamilton.

19 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›