Malaj: Unë në garën për kreun e PS, Rama të mos rikandidojë
Ilirian Agolli
Deputeti Arben Malaj është i pari kandidat zyrtar në garën për kryetarin e Partisë Socialiste. Anëtari i kryesisë së PS-së, pranoi dje në një intervistë për “Zërin e Amerikës” se do të garojë në zgjedhjet për kreun e partisë, madje duke u shprehur se do të paraqesë një platformë që është duke e punuar. “Me një grup kolegësh ekspertë të politikës dhe ekonomisë, unë po punoj për ta paraqitur platformën time në kongresin e 29 gushtit. Sigurisht që modernizimi i forcës politike është shtylla kryesore. Unë besoj që prioriteti kryesor i Partisë Socialiste është efikasiteti i saj brenda institucioneve”, Malaj. Në të njëjtën kohë ai i kërkoi kryetarit aktual të partisë, Edi Rama të mos kandidojë në këto zgjedhje, për shkak se mënyra me të cilën ai drejtoi partinë rezultoi humbëse më 28 qershor. “Unë mendoj që Partia Socialiste, një nga mësimet e para që duhet të ketë marrë nga humbja e saj, është kufizimi i demokracisë së brendshme, krijimi i modelit të keq në politikë, një lider absolut që do të kishte përgjegjësi absolute për humbjen. Ky eksperiment doli i pasuksesshëm dhe ndoshta nuk do të jetë më i vlefshëm jo vetëm në Partinë Socialiste por as për partitë politike shqiptare. Unë besoj shumë që Rama t’i përmbahet filozofisë së tij dhe një nga këto do të jetë edhe moskandidimi i tij, për shkak se është ndërprerë mandati pas humbjes”, theksoi më tej Malaj.
Cili është komenti juaj për rezultatin e zgjedhjeve, situatën në Partinë Socialiste pas tyre?
Lidhur me rezultatin e zgjedhjeve duket që këto zgjedhje do të rezultojnë një shans i humbur për standardet evropiane. Si një parti që respekton shtetin ligjor dhe institucionet ne do të presim edhe vlerësim përfundimtar nga OSBE –ODIHR, një vlerësues ndërkombëtar i cili do të qartësojë përfundimisht edhe qëndrimin e institucioneve ndërkombëtare për këto zgjedhje. Kjo nuk na pengon të themi që duke e parë edhe si një sfidë kombëtare përveçse politike, ne nuk arritëm përfundimisht të plotësonim disa standarde, të cilat duhet të na ndihmonin në sfidat integruese të vendit. Kjo përbën një kosto shtesë për vendin.
Zoti Malaj, asambleja e fundit krijoi një kohë relativisht të gjatë deri nga fundi i gushtit, kur është thirrur kongresi i Partisë Socialiste...
Një nga produktet pozitive të asamblesë kombëtare ishte fakti që edhe për shkak të një imponimi publik që ne i kemi bërë opinionit mbështetës, në PS u arrit përfundimisht që të unifikohet një qëndrim që PS e sheh misionin e saj dhe i ka mundësitë e plota për të kontribuar vetëm në institucionet e saj, ku vendi i saj tashmë edhe pse në opozitë, ndoshta edhe pa e merituar, është pikërisht në parlamentin e vendit tonë.
Si do ta karakterizonit ju këtë periudhë kohore, është kjo një periudhë për reflektimin e rezultatit të zgjedhjeve apo një periudhë kur po përgatiten kandidaturat e reja për postin e kryetarit të partisë?
Unë mendoj që Partia Socialiste, një nga mësimet e para që duhet të ketë marrë nga humbja e saj është kufizimi i demokracisë së brendshme, krijimi i modelit të keq në politikë, një lider absolut që do të kishte përgjegjësi absolute për humbjen. Ky eksperiment doli i pasuksesshëm dhe ndoshta nuk do të jetë më i vlefshëm, jo vetëm në Partinë Socialiste por as për partitë politike shqiptare. Unë besoj shumë që Rama t’i përmbahet filozofisë së tij dhe një nga këto do të jetë edhe moskandidimi i tij, për shkak se është ndërprerë mandati pas humbjes. Nuk e shikoj këtë si një sfidë personale por Rama duhet të mbahet mend si njeriu që solli një përgjegjësi për rastet e humbjeve sesa si njeriu që për interesa dhe solidaritet të momentit do ta zhgaravisë jo thjesht këtë paragraf të statutit, por këtë filozofi.
Në kongresin e fundit të gushtit, midis kandidaturave të tjera do të jeni edhe ju. Çfarë përmban platforma juaj dhe paketa juaj në kandidimin për postin e kryetarit të Partisë Socialiste?
Me një grup kolegësh ekspertë të politikës dhe ekonomisë, unë po punoj për ta paraqitur platformën time në kongresin e 29 gushtit. Sigurisht që modernizimi i forcës politike është shtylla kryesore. Unë besoj që prioriteti kryesor i Partisë Socialiste është efikasiteti i saj brenda institucioneve. Partia Socialiste në asnjë mënyrë nuk duhet të mungojë në parlamentin e vendit të saj, tashmë kur vendi është në sfidën për të plotësuar elementët teknikë të përfitimit të lëvizjes së lirë, dhe janë mijëra shqiptarë që e presin. Ne duhet të rrisim eficencën në parlament dhe me kontrollin parlamentar qeveria të mos na e fshehë më dështimin se përse shqiptarët mbetën jashtë përfitimit për heqjen e vizave. Nuk kërkohet një vendim politik, por kërkohet plotësim kushtesh teknike dhe kjo është detyra numër një e opozitës. Paaftësinë e maxhorancës mund ta nxjerr në pah opozita. Vendi është në fazën që duhet të marrë statusin e çeljes së negociatave, për t’u bërë kandidat i Bashkimit Evropian. Nuk flitet thjesht për një fitore politike, flitet për akses në rritje në politikat e bashkimit evropian dhe në fondet e tij për tre elementë të rëndësishëm: fonde më shumë për të ngritur kapacitetet, pra një shtet ligjor dhe administratë efikase; fonde më shumë për zhvillimin rural ku Shqipëria ka probleme të mëdha sepse jeton pjesa më e madhe e popullsisë dhe prodhohet 22 për qind e asaj që prodhon ekonomia shqiptare; dhe fonde më shumë për bashkëpunimin ndërrajonal pasi ekonomia shqiptare nuk mund të përballojë kriza pa zgjeruar mundësinë për tregje të reja. Pra ne nuk duhet ta quajmë fatkeqësi faktin që nuk erdhëm dot në pushtet dhe po rrimë në opozitë për një mandat të dytë. Nuk është e lehtë për mijëra socialistë, nuk është e lehtë kur kjo qeveri abuzon me pushtetin e saj ndaj mbështetësve dhe votuesve tanë por përballë një fakti që ka ndodhur ne duhet të orientohemi pikërisht nga sfidat dhe jo nga analiza e të shkuarës, nga keqpërdorimi i solidaritetit socialist qoftë dhe për interesave kongresuale duke i dhënë një imazh krejt ndryshe nga çfarë Partia Socialiste është në thelbin e saj. Eshtë një forcë moderne, ka kapitalin njerëzor shumë të kualifikuar, njerëz me vlera dhe përgjegjësi konkrete, të cilët duhen maksimizuar dhe nuk duhen keqpërdorur.