E Diel, 1 Nëntor 2026

“E vërteta e takimit të Mehmet Shehut me Titon në vaporin ‘Queen Elizabeth”

 

Afrim Imaj

U takua apo jo Mehmet Shehu me Titon në vaporin “Elizabeth”?!    Dilema e viteve ‘80, për ngjarjen e 20 viteve më parë, u shfaq si rrufe në qiell të pastër. E fashitur në kujtesën e shqiptarëve vizita e kryeministrit në OKB në vitin ‘60, risillej në vëmendjen e tyre me një akuzë të padëgjuar: Mehmet Shehu gjatë rrugëtimit për aty ka bërë biseda agjenturore me Titon! Fakti që zbulohej për herë të parë nga Enver Hoxha, do të thoshte se kishim të bënim me një të vërtetë e padiskutueshme.Misteri zbardhej në kohën kur kryeministri komunist kishte vrarë veten në kushte të dyshimta. Në “Tablonë sinoptike” të Enver Hoxhës, ku Mehmet Shehu shpallej poliagjent e tradhtar, takimi me Titon në “Queen Elizabeth”, pretendohej si argumenti më i fortë i akuzës. Për të qenë sa më bindës në artikulimet e tij, kreu i lidershipit komunist kryqëzoi gati të gjithë shpurën e pjesëtarëve të delegacionit, që mori pjesë në mbledhjen e OKB në qershorin e vitit ‘60. Madje, këmbënguli me forcë për të siguruar dëshmi të pakontestueshme prej tyre për takimin e Mehmet Shehut me Titon gjatë udhëtimit për në Nju Jork me transoqeanikun e Mbretërisë së Anglisë. Për një kohë të gjatë opinioni e vlerësoi të mirëqenë dhe i besoi pa e vënë në mëdyshje akuzën në adresë të kryeministrit të hekurt, pavarësisht rrethanave në të cilat ai kryqëzohej pas vdekjes. Po a e takoi Mehmet Shehu Titon në “Queen Elizabeth”,  dhe cila është e vërteta e akuzës së Enverit pas 20 vitesh. Pse u zgjodh anija britanike për të udhëtuar për në Nju Jork kur kishte dhe mundësi të tjera. Kush ishin pjesëtarët e tjerë të delegacionit, që mori pjesë në punimet e OKB-së dhe në cilat kushte disa syresh u detyruan të gënjejnë. Si është përjetuar nga dëshmitarët ngjarja e bujshme gjatë fushatës për goditjen e veprimtarisë armiqësore të Mehmet Shehut dhe pse nuk është zbardhur më parë e vërteta e udhëtimit të shumëpërfolur. Pikërisht, këtyre dilemave u jep përgjigje për gazetën “Panorama” profesor Agim Popa, njeriu që bëri përkthyesin për kryeministrin shqiptar gjatë punimeve të OKB në tetor te vitit 1960…
Zoti Agim! Ju keni qenë pjesë e delegacionit shqiptar në Asamblenë e OKB-së në vitin 1960. Me çfarë kishte lidhje prania juaj në misionin e tij?
Mbaj mënd që në atë periudhë punoja në aparatin e KQ të Partisë, në sektorin e luftës kundër revizionizmit. Nga informacionet zyrtare ishte bërë e njohur zhvillimi i Asamblesë së OKB-së në Nju Jork me pjesëmarrjen e kryeministrave ose kryetarëve të shteteve të vendeve anëtare. Nga konsultat në sekretariatin e KQ u konkludua që delegacionin tonë ta kryesonte Mehmet Shehu. Në vazhdim pastaj kryeministri me stafin dhe këshilltarët e tij përgatiti grupin dhe axhendën përkatëse. Pikërisht në këto rrethana lindi mendimi që në delegacionin, që do nisej në OKB të bëja pjesë edhe unë. Ideja e Mehmetit për të folur në rusisht, solli nevojën e një përkthyesi të besuar dhe që këtej u precizua emri im. Me kompletimin e grupit dhe përfundimin e materialeve që do të kumtoheshin në Asamblenë e OKB-së, u morën masat e nevojshme dhe në ditën e caktuar filluam udhëtimin me transoqeanikun anglez “Queen Elizabeth”. Për gati shtatë ditë kemi përjetuar një udhëtim interesant…
A është e vërtetë që udhëtimin me “Queen Elizabeth” e rekomandoi Mehmet Shehu, siç është përfolur pas vetëvrasjes së tij?
Janë folur shumë opsione pas viteve ‘80 për udhëtimin me vaporin modern “Queen Elizabeth”, madje ende trajtohet si një udhëtim enigmatik. Po në fakt, të gjitha, sipas mendimit tim, janë trillime e sajesa me prapavijë denigruese. E vërteta është se kjo zgjedhje u bë, pasi funksionarët e protokollit kundërshtuan udhëtimin me vaporin sovjetik “Balltika”. A ndërhyri Mehmet Shehu për këtë, unë e kam të vështirë ta pohoj. Sidoqoftë,organet kompetente, që atëherë ishin kolegjiale, e panë të arsyeshme udhëtimin me “Queen Elizabeth” dhe kryeministri me sa më kujtohet mua nuk pati ndonjë kundërshtim…
Pra, ju thoni se kishte dhe alternativa të tjera për të udhëtuar në drejtim të Nju Jorkut. Pse u zgjodh atëherë transoqeaniku britanik “Queen Elizabeth”?
Ishte, siç e thashë, linja me vaporin sovjetik “Balltika”, me të cilin do të udhëtonin delegacionet e vendeve të demokracive popullore. Në fillim zyrtarët tanë kishin idenë për ta nisur delegacionin me të, por ditët e fundit u vendos për të udhëtuar me “”Queen Elizabeth”...
Cila ishte arsyeja që Mehmet Shehu dhe delegacioni shqiptar nuk pranoi të udhëtonte me vaporin “Balltika”?
Në atë kohë nuk na shpjegoi njeri pse u kundërshtua udhëtimi me “Balltika”-n, të paktën ne zyrtarëve të dorës së dytë nuk na sqaroi kush. Arsyen e vërtetë e mësuam më vonë. Në Tiranë ishte marrë vesh se me “Balltika”-n do të udhëtonte Hrushovi, me të cilin ishim në kulmin e divergjencave dhe kjo mund të krijonte të papritura. U mendua pastaj për një zgjidhje tjetër dhe u gjet “Queen Elizabeth”. Sidoqoftë, edhe aty do na ndiqte një situatë befasuese. Do binim si me thënë nga shiu në breshër. Bëmë ç’është e mundur për t’u ruajtur nga kontakti me Hrushovin e do  përballeshim me Titon e Fultzin. Njëri më i rrezikshëm nga tjetri, sipas optikës së kohës…
Kur e morët vesh se në vaporin tuaj udhëtonte Tito e Fultz?
Marshalli Tito vlerësohej si pasagjer VIP i “Queen Elizabeth” dhe për raste të tilla në bordin e anijes kishte ceremonial të veçantë. Për praninë e tij u njohëm në çastin e mbërritjes në portin e Sherburgut prej nga do niseshim për në Nju Jork. Autoritetet portuale na bënë të ditur se kishim rastin të udhëtonim me pasagjerë të shquar dhe aty për aty na përmendën emrin e Titos, të Fultzit dhe të djalit të Çurçillit… 
Është e vërtetë që Mehmet Shehu zhvilloi takime të fshehta me Titon dhe Fultzin gjatë udhëtimit për në Nju Jork?
Delegacioni ynë përbëhej nga 6-7 veta. Përveç Mehmet Shehut që ishte kreu i tij, në të merrte pjesë ministri i Jashtëm Behar Shtylla dhe ne një grup i vogël zyrtarësh bashkë me personelin e sigurisë. Mehmet Shehu me Behar Shtyllën ishin në një kabinë të veçantë. Pjesa tjetër e delegacionit u sistemua në një kabinë tjetër. Për Titon ishte rezervuar gati një kat i anijes, i cili nuk komunikonte fare me katin tonë. Për herë të parë u përballëm me të gjatë drekës në restorantin e VIP-ve, ku qëndronte në tavolinën kryesore. I rrethuar nga një shpurë gardianësh herë pas here zgërdhihej dhe hidhte batuta që dukeshin pa kuptim. Të vetmin që njihja nga njerëzit që e rrethonin ishte Josif Gjergji, të cilin kisha pasur rastin ta takoja gjatë kohës kur shërbente në Tiranë si ambasador i Jugosllavisë. Por edhe me të nuk mud ha rasti të komunikoja. Sa për Mehmet Shehun, ai nuk erdhi asnjëherë në restorant dhe gjatë tërë kohës preferoi t’ia sillnin ushqimin në kabinë. Pra, nuk qëlloi as rastësisht të takoheshin bashkë Mehmeti me Titon. Të gjitha sa thuhen për bisedimet e fshehta midis tyre janë të pavërteta.
Sidoqoftë, ju nuk mund të pretendoni se e keni mbajtur në vëzhgim gjatë tërë kohës Mehmet Shehun…
Gjatë tërë kohës Mehmet Shehu nuk lëvizte asnjëherë vetëm dhe në asnjë rast nuk konstatuam që ai t’i shmangej vëzhgimit tonë. Sa herë delte nga kabina rrinim bashkë në kuvertë dhe bisedonim për çaste të tëra. Kur futej në kabinë e përcillnim deri te dera.
Gjashtë ditë e gjashtë net që udhëtuam me vapor kryeministri Mehmet Shehu nuk pati asnjë takim me të huajt. Të gjitha që janë thënë për takime të fshehta me Titon a Fultzin janë trillime.
A përbënte shqetësim për Mehmet Shehun fakti që në vaporin që udhëtonit ishte dhe Titoja?
Nuk e di si e përjetoi këtë fakt Mehmet Shehu, por mbaj mënd që praninë e marshallit Tito e përdorte shpesh si objekt humori. “Në “Queen Elizabeth”, na thoshte me shpoti, jemi më të garantuar se në Tiranë. E para se nuk ia vlen të mbytësh gjithë këtë vapor modern për kokën e Mehmet Shehut, dhe e dyta që këtu kemi Titon, i cili sigurohet me masa speciale si rrallëkush”. Gjatë tërë kohës Mehmeti ishte i qetë. I vetmi preokupacion i tij ishin fjalimet që do mbante në Asamblenë e OKB-së…
A pati ndonjë kërkesë zyrtare nga ana e jugosllavëve për tu takuar me kryetarin e delegacionit shqiptar?
Njerëzit e Titos siç thashë nuk treguan asnjë lloj interesimi për të komunikuar me ne. Titua nga ana e tij gjatë tërë kohës rrinte i krekosur mes suitës që e shoqëronte. I vetmi interesim për kryetarin e delegacionit shqiptar gjatë udhëtimit me “Queen Elizabeth”, ishte ai i djalit të Çurçillit që kërkoi të takohej me Mehmet Shehun.
A e takoi Mehemt Shehu djalin e Çurçillit dhe çfarë diskutuan me njëri tjetrin?
Ky djali i Çurçilit, në mos gaboj me emrin Randolf rreth të gjashtëdhjetave shfaqej herë pas here nëpër korridoret e anijes me një aparat në dorë. Si tani kam parasysh gjestet e tij, duke gjuajtur një vajzë të re që udhëtonte bashkë me ne. Na thanë se ishte me profesionin e gazetarit. Aty u njohëm edhe me faktin që Randolfi gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore kishte qenë  përfaqësues i misionit britanik në shtabin e Titos në Beograd. Ai ishte i vetmi që kërkoi të takohej me Mehmet Shehun, por iu dha përgjigje negative.
I mbani mënd rrethanat në të cilat Mehmet Shehu refuzoi ta takonte djalin e Çurçillit?
Motivi i kërkesës së djalit të Çurçillit për t’u takuar me Mehmet Shehun, të paktën si ishte shprehur ai, kishte të bënte me një intervistë, që deshi të realizonte Randolf Çurçilli me kryeministrin shqiptar. Kam qenë dëshmitar kur ia bëmë prezent Mehmetit këtë kërkesë. Në asnjë mënyrë, u shpreh ai. Sidoqoftë, ndërhyri Behar Shtylla, duhet t’i kthejmë një përgjigje zyrtare.
I thoni se është i zënë, sugjeroi Mehmeti dhe kështu bëmë. Unë me Beharin shkuam te njëra nga kabinat telefonike dhe i komunikuam Randolfit arsyen e refuzimit të takimit. Behari i tha se shoku Mehmet ishte i zënë dhe nuk kishte kohë. Nga krahu tjetër u dëgjua indinjata e tij dhe zhurma e përplasjes së receptorit. Që nga ky moment djali i Çurçillit nuk na u shfaq më para syve. Ai vente dhe vinte në korridoret e kuvertës pas asaj vajzës që me sa dukej ia kishte vënë syrin dhe nuk ia shqiste.
Pra, ju thoni se në “Queen Elizabeth”, Mehmet Shehu nuk ka bërë asnjë takim me të huajt?
Absolutisht. Të gjitha sa janë thënë për këto takime pas vetëvrasjes së tij, janë marina të qëllimta…
Megjithëatë, njeri nga pjestarët e delegacionit që kryesonte Mehmet Shehu ka deklaruar në procesin gjyqësor të grupit të Kadri Hazbiut se kryeministri ka bërë një takim sekret me Titon gjatë udhëtimit për në Nju Jork...
Me siguri e keni fjalën për Llambi Peçinin. Së pari duhet sqaruar se Llambi ndodhej në atë udhëtim jo si pjestar i delegacionit, por si njëri prej zyrtarëve të sigurisë. Së dyti, lidhur më dëshminë e tij në procesin gjyqësor, për mua është e pabesueshme jo vetëm për mënyrën si është marrë, por edhe për mjaft pasakëtsi të tjera që kanë të bëjnë me kohën dhe itinerarin e këtij udhëtimi. E vërteta është se krerët e Partisë së Punës, duke dashur të përligjnin tradhëtinë e kahershme të ish kryeministrit, e shfrytëzuan kryqëzimin e Peçinit për të siguruar prej tij një provë të tillë sipas së cilës aktiviteti agjenturor i Mehmetit fillonte qysh herët...
Po ju të tjerët jeni pyetur për këtë dëshmi që akuzonte rëndë Mehmet Shehun?
E vërteta është se kjo ngjarje e vitit 60, e strukur diku në arkivin e Partisë së Punës, u riaktivizua jo pa qëllim pas 20 vitesh, pikërisht në kohën kur Mehmet Shehu kishte ndërruar jetë në kushte të dyshimta. A na pyetën ne të tjerët për atë që ndodhi në vaporin britanik kur udhëtonim për në Nju Jork? Mua për vete nuk më ka pyetur njeri. Sa për zyrtarët e tjerë, pati syresh që pas vetëvrasjes së Mehmetit duke u solidarizuar me “Tabllonë sinoptike” të Enverit përqasnin rrethana që konfirmonin në mënyrë të tërthortë atë që kishte deklaruar përball gërbaçit të sigurimit Lambi Peçini. Madje ndonjëri tjetërsoi përmbajtjen e urdhërit që i dha Mehmeti për ti kthyer përgjigje negative djalit të Çurçillit i cili e kërkoi për ti dhënë një intervistë...
Po kur shkuat në Nju Jork, a pati takime të fshehta Mehmet Shehu?
Në Nju Jork ndenjëm rreth 20 ditë. Gjatë punimeve të Asamblesë Mehmeti mbajti dy fjalimet e parapërgatitura që në Tiranë. Fjalimin e parë e mbajti në debatin e përgjithshëm. Të dytin e mbajti në seancën e veçantë për Kinën. Mbaj mënd që aty foli edhe Che Guevara, Kastrua, Titoja e Hrushovi. Më është fiksuar fjalimi i Che Guevarës se zgjati gati pesë orë. Nga takimet në Nju Jork mbaj mënd atë me Xhoni Athanasin. Aty qëndronim gjatë gjithë kohës në Mahnaten. Kthimin e bëmë me vaporin francez “Liberte” me të cilin udhëtuam gati gjashtë ditë. Katër ditë qëndruam në Romë. Gjatë qëndrimit aty Mehmeti punonte për të përgatitur fjaimin për në Kuvendin Popullor lidhur me punimet e Asamblesë së OKB-së. Mu desh ato ditë të bëja dhe daktilografistin. (Asnjëri nga punonjësit e Ambasadës nuk dinte të punonte me makinën e shkrimit)  
vijon nesër

Enveri: Mehmeti u takua fshehtas me Titon dhe Fulltzin
“Mehmet Shehu u nis për në Nju–Jork në krye të një delegacioni qeveritar për në OKB. Ai udhëtoi me transatlantikun anglez luksoz “”Queen Elizabeth”. Ne e dinim se me këtë anije udhëtonte edhe Titoja, por as që na shkonte mendja se Mehmet Shehu mund të takohej me Titon. Tani marrim vesh nga shoqërues që ishin bashkëpunëtorë të tij e që tani janë në burg, se me këtë anije udhëtonte edhe Harri Fultzi i CIA-s amerikane, edhe Randolf Çurçilli, që ishte personalitet i Intelixhens Servisit e që në vapor u paraqit si gazetar. Mehmet Shehu, si agjent i tyre, bëri gjatë disa ditëve të udhëtimit takime e bisedime të fshehta me Titon, Fulcin e R.Çurçillin, u parashtroi gjendjen dhe qëndrimet e Partisë sonë, acarimet që po lindnin me Bashkimin Sovjetik dhe qëndrimin që mendonte të mbante udhëheqja e Partisë sonë në Moskë. Strategjitë e tri agjenturave, jugosllave, amerikane dhe angleze, përputheshin dhe i sugjeruan superagjentit të tyre që “të mbështeste” pa rezerva qëndrimet e udhëheqjes së partisë, që do të sillnin përçarjen e prishjen me Bashkimin Sovjetik...
Mehmet Shehu u kthye plot “kurajë” nga SHBA dhe u bë më katolik se Papa, tregohej i papërmbajtur “në mbrojtjen” e vijës së Partisë sonë kundër planeve e qëndrimeve të Hrushovit e të udhëheqjes revizioniste sovjetike”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›