E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISKSH rrit pagat e personelit mjekësor në Spitalin e Durrësit



Emanuela Sako

Rriten pagat për personelin mjekësor në Spitalin Rajonal të Durrësit. ISKSH-ja vendosi në mbledhjen e fundit për rritjen e pagave për sistemin shëndetësor, ku përfitojnë 385 mjekë dhe infermierë, si dhe 217 personel joshëndetësor. Rritja e pagave është bërë sipas kategorive përkatëse dhe arsimimit, ku pagën më të lartë e kanë mjekët me tituj shkencorë apo arsim të lartë, si dhe personeli mbështetës në sistemin shëndetësor. Pas përfitimit të pagave të reja nga ana e punonjësve të spitaleve në rrethe, edhe spitali i Durrësit është përfshirë në rritjen e pagave për vitin 2009. Rritja mesatare për personelin e Spitalit të Durrësit është 8% dhe hyn në fuqi nga 1 maji 2009. “Sot një pagë mesatare e mjekut në spitalin e Durrësit bëhet 61 mijë lekë të reja, duke e bërë këtë spital mjaft kompetitiv dhe me Qendrën spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Spitali i Durrësit duke qenë i pari në skemë (që nga viti 2001) ka përfituar rritje të konsiderueshme vit pas viti. ISKSH-ja është e vendosur të vijojë me ritme të larta rritjen e pagave edhe në spitalet e tjera rajonale të cilët u përfshinë në skemën e sigurimeve në fillim të vitit 2009”, - u shpreh në mbledhjen e Këshillit administrativ drejtoresha e Përgjithshme e ISKSH-së, Elvana Hana. Kjo është rritja e fundit e kryer nga ISKSH-ja për këtë vit, për pagat e mjekëve në të gjithë vendit, sipas përcaktimit që është bërë në vendimin e qeverisë për rritjen e pagave të shëndetësisë.
Rritja
Sipas vendimit të Këshillit Administrativ të ISKSH-së për Spitalin e Durrësit për rritjen e pagave, përfitojnë rreth 158 punonjës me arsim të lartë, me një rritje page mesatare rreth 6 %, ose në vlerë absolute rritja bruto është 3.500 lekë. Paga mesatare bëhet 60.918 lekë. Ndërsa 326 punonjës të infermieristikës, përfitojnë një rritje page mesatare rreth 9 %, ose në vlerë absolute rreth 3.125 lekë. Paga mesatare bëhet 36.680 lekë. Personeli joshëndetësor ose mbështetës ku bëjnë pjesë 217 persona përfitojnë një rritje page prej rreth 6.7%, ose në vlerë absolute, ku rritja bruto është 1.700 lekë në muaj. Paga mesatare bëhet 27.368 lekë. Në rritjen e pagës së kësaj kategorie punonjësish rezulton të zbatohet edhe paga minimale e caktuar me VKM, e cila me ndryshimet e fundit ligjore është bërë 18.000 lekë në muaj. Në total efektet financiare mujore të rritjes së pagave shkojnë 3.130 mijë lekë, nga të cilat 2.682 mijë lekë fond janë pagash dhe 448 mijë lekë sigurime shoqërore e shëndetësore. Deri në fund të vitit efekti total i rritjes së pagave dhe sigurimeve shoqërore për personelin e Spitalit të Durrësit është rreth 22 milion lekë. Ky efekt financiar i rritjes së pagave do të përballohet nga buxheti i akorduar për Spitalin e Durrësit për vitin 2009. Kjo është edhe pjesë e reformës që po aplikohet për herë të parë në të gjithë spitalet e vendit, siç është mënyra e vetëfinancimit dhe stimulimit të mjekëve për të rritur cilësinë e shërbimit ndaj pacientit.
Pagat
Pak muaj më parë ISKSH-ja vendosi për rritjen e pagave të mjekëve dhe infermierëve në të gjithë spitalet e vendit. Pagat e mjekëve në të gjitha spitalet pësojnë një rritje nga 19 % në 26 %, ose në vlerë absolute nga 5.000 lekë në 13.000 lekë. Rritjen më të lartë e përfitojnë shefat e shërbimeve të reanimacionit, kirurgjisë, radiologjisë, neuropsikiatrisë, (24 %-26%) ose në vlerë absolute 12.000 - 13.000 lekë. Mjekët specialistë përfitojnë rritje nga 19 % deri në 22 %, ku përfshihen mjekët infeksionist, të urgjencës, të laboratorit, onkologët, kirurgët, hematologët, obstetër - gjinekologët, etj. Po të përmblidhen në vlerë absolute do të thotë se do të përfitojnë në shumën nga 6.000 lekë në 9.000 lekë në muaj. Në këtë mënyrë, duke filluar nga 1 maji i këtij viti, paga bruto e një mjeku me vjetërsi pune 25 vjet nuk do të jetë më vogël se 50.000 lekë në muaj nga 41.000 lekë në muaj që ka qenë më parë. Rritjet janë bërë veçanërisht në pagën për pozicion të vendit të punës, të cilat nga 23.800 lekë që kanë qenë më parë, janë bërë 31.000 lekë në muaj ose 7.200 lekë më shumë.
Pra, me një rritje rreth 30 %. Po kështu, një rritje prej 9 % ka pësuar edhe paga e grupit, e cila tashmë është 12.000 lekë në muaj nga 11.000 lekë që ishte. Për rrjedhojë një rritje prej 9 % ka pësuar edhe paga për vjetërsi për çdo vit pune. Nga kjo rritje kanë përfituar rreth 1.800 mjekë me një efekt financiar mujor rreth 15 milion lekë ose deri në fund të vitit 2009 rreth 110 milion lekë. Pagat e personelit tjetër infermieristik pësojnë një rritje mesatarisht 10 %. Pagat e infermierëve me arsim të lartë me vjetërsi pune 25 vjet arrijnë në 37.500 lekë në muaj, ndërsa të atyre me arsim të mesëm arrijnë në 34.000 lekë në muaj bruto. Rritja në vlerë absolute shkon nga 2.500 lekë në 3.100 lekë në muaj. Ndërsa pagat e kryeinfermierëve pësojnë një rritje 10 % deri në 12% në muaj ose në vlerë absolute nga 3.600 lekë deri në 4.500 lekë. Po kështu, pësojnë rritje deri në 10 %, pagat e personelit tjetër ndihmës dhe të administratës. Nga këto rritje përfitojnë rreth 10.000 punonjës (infermierë, administrata) me një efekt financiar mujor rreth 30 milion lekë, ose deri në fund të vitit 2009, rreth 210 milion lekë. Në total efektet financiare deri në fund të vitit 2009, nga zbatimi i vendimeve të mësipërme (paga + sigurime shoqërore e shëndetësore) arrin në rreth 385 milion lekë. Këto efekte do të përballohen nga buxheti i ISKSH-së i vitit 2009 i parashikuar për mbulimin e shërbimit të kujdesit spitalor.

Rritja nga vendimi i Këshillit Administrativ të ISKSH-së për spitalin e Durrësit, ku përfitojnë:

158 punonjës me arsim të lartë, me një rritje page mesatare rreth 6 %, ose në vlerë absolute ku rritja bruto është 3.500 lekë. Paga mesatare bëhet 60.918 lekë

326 punonjës të infermieristikës, me një rritje page mesatare rreth 9 %, ose në vlerë absolute, ku rritja bruto eshte 3.125 leke. Paga mesatare bëhet 36.680 lekë

217 personel joshëndetësor, me një rritje page prej rreth 6.7%, ose në vlerë absolute, ku rritja bruto është 1.700 lekë në muaj Paga mesatare bëhet 27.368 lekë. Në rritjen e pagës së kësaj kategorie punonjësish rezulton të zbatohet edhe paga minimale e caktuar me VKM e cila me ndryshimet e fundit ligjore është bërë 18.000 lekë në muaj

Në total efektet financiare mujore të rritjes së pagave shkojnë 3.130 mijë lekë, nga të cilat 2.682 mijë lekë fond pagash dhe 448 mijë lekë sigurime shoqërore e shëndetësore.

Deri në fund të vitit efekti total i rritjes së pagave dhe sigurimeve shoqërore për personelin e Spitalit Durrës është rreth 22 milion lekë

Ky efekt financiar i rritjes së pagave do të përballohet nga buxheti i akorduar për Spitalin e Durrësit për vitin 2009.
Rritja e pagës parashikohet të zbatohet nga data 01.05.2009.

5 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›