Blushi: Tre pikat e platformës sime për PS
Anëtari i kryesisë së PS, Ben Blushi, prezantoi dy ditë më parë gjatë një interviste në “Ora News” tre pikat e platformës që ai do të paraqesë në kongresin e 29 gushtit. “Janë tre elemente ku ne do investojmë në këtë kongres: së pari demokratizimi i Partisë Socialiste, duke i dhënë më shumë fuqi forumeve me ndryshime statutore. Ne do kërkojmë të ndryshojmë disa elementë të statutit, për të cilët besojmë se mund t’i japë më shumë fuqi vendimmarrjes brenda PS-së, për të mos u kritikuar se pse flet vetëm një njeri dhe nuk flasin forumet e PS-së”, tha Blushi. “Së dyti është cilësia e PS në opozitë, çfarë opozite do bëjmë ne, çfarë raportesh do kemi me qeverinë në fuqi, sa pragmatist dhe sa qëndrestar do jetë grupi parlamentar dhe nëse këto rregulla zbatohen dhe ka një nocion që mund ta ndajnë të gjithë bashkë dhe dalim në një kongres me këtë frymëmarrje grupi parlamentar do të jenë më i motivuar dhe nuk ka asnjë arsye të ketë shizma në perspektivë. E treta është një korrektim i doktrinës së PS-së”, theksoi deputeti i PS.