E Diel, 1 Nëntor 2026

Pagat e administratës publike, qeveria do të ngadalësojë rritjen në katër vite



Ervin KOÇI

Sektori buxhetor do të ketë rrije të pagave edhe në katër vitet e ardhshme, por përqindja e kësaj rritje do të jetë më e ulët se sa ka qenë në mandatin e kaluar të qeverisë së demokratëve. Sipas projektit të Ministrisë së Financave për shtesat dhe rritjet e pagave të administratës publike, ritmet e rritjes së pagave për punonjës e buxhetorë, do të frenohen disi në katër vitet në vazhdim. Ministria e Financave, në programimet afatmesme të buxhetit, njofton se rritja mesatare e pagave deri në vitin 2012 do të jetë me rreth 4.7 për qind në vit. Ndërkohë që sektorët e arsimit dhe të shëndetësisë, sërish do të kenë një rritje të diferencuar pagash me ritmet 8-10 për qind. Ekspertët në Ministrinë e Financave sqarojnë, se punonjësit buxhetorë do të mund të marrin të njëjtën vlerë neto të rritjes së pagës, si në katër vitet e shkuara, për shkak se baza e tyre tashmë është e lartë. Duke e parë anëtarësimin e Shqipërisë në BE, si një sfidë që duhet kryer në këto katër vite, rritja e pagave dhe pensioneve duket se do të jenë një nga mënyrat për të plotësuat kushtet, në lidhje me standardet e jetesës. Në këtë proces rritja më e madhe e nivelit të pagës mujore, do të jetë për mësuesit dhe mjekët. Në sektorin e shëndetësisë, rritja e pagave të mjekëve dhe infermierëve, do të jetë më e lartë për shkak të bazës së ulët që ato kanë. Në këtë mënyrë do të operohet edhe për pagat e sektorit të arsimit, ku rritjen më të madhe në përqindje, do ta përfitojnë punonjësit në sistemin parauniversitar.

Sektorët e tjerë

Gjithashtu gjatë tre viteve në vazhdim, do të ketë një politikë të qëndrueshme të pagave për sektorin e rendit dhe të ushtrisë. Për Ministrinë e Mbrojtjes, tani që është bërë anëtare e NATO-s, projektbuxheti i vitit 2010 parashikon rreth 20 milionë dollarë më tepër fonde. Buxheti për ushtrinë sa i takon investimeve pritet të jetë rreth 75 milionë dollarë, afro 5 milionë më shumë se viti 2009. Ndërsa administrata qendrore do të përfitojë një rritje page mesatare, jo më shumë se 4 për qind. Ekspertët e buxhetit në Ministrinë e Financave pohojnë se, rritja do të nisë të aplikohet në mes të vitit, siç është bërë traditë tashmë. Të njejtët ekspertë shpjeguan se, kategori të veçanta të buxhetorëve do të përfitojnë përqindje të ndryshme pagash. Mirëpo kategorizimet do të bëhen nga Departamenti i Administratës Publike, pasi qeveria të ketë marrë vendimin, për të harmonizuar kështu masën e rritjes së pagës me statusin e nëpunësit civil. Politika buxhetore e rritjes së pagave, ka në themel rritje të përvitshme të pagave në administratën publike, ku përparësi do të kenë pagat e ulëta, duke synuar ngushtimin e diferencave, mes pagës më të lartë dhe asaj më të ulët.

Mungesa e fondeve

Qeveria ka harxhuar të gjithë paratë e buxhetit të shtetit për shpenzimet që i janë nevojitur për fushatën elektorale. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se shpenzimet e qeverisë kanë arritur në këtë vit elektoral nivelin më të lartë historik. Janë plot 141 miliardë lekë të shpenzuara për fushatën, ose e thënë ndryshe me një rritje prej mbi 35 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Rritja e fortë ka ardhur kryesisht nga investimet publike, të cilat në fund të 5-mujorit, ishin 37 miliardë lekë, ose 113 për qind e planit. Gati gjysma e tyre kanë shkuar vetëm në një projekt, atë të rrugës Durrës-Kukës. Kjo është hera e parë që qeveria aktuale, tejkalon investimet publike mbi planin, që nga koha kur ajo erdhi në pushtet në vitin 2005. Vitet e kaluara shifra e realizimit të investimeve kanë qenë shumë më poshtë programit të buxhetit. Në 5-mujorin e parë të vitit 2008, qeveria realizoi vetëm 66 për qind të investimeve, ndërsa në vitin 2007 shifra ishte edhe më e ulët, me vetëm 46 për qind. Të dhënat tregojnë se për këtë vit, totali i shpenzimeve të buxhetit është mbajtur në limitet maksimale të planit, me 98 për qind të tij, falë mosrealizimeve në disa zëra të shpenzimeve korrente.

Shpenzimet operative

Sipas Ministrisë së Financave shpenzimet korrente ose operative siç njihen ndryshe ishin 94.7 për qind e planit dhe kjo falë dy zërave, shpenzimeve të ulëta të pushtetit lokal, të cilat kanë qenë 81 për qind e planit dhe nga rënia e pagesave të kontributeve për sigurimet shoqërore që qeveria bëri për administratën. Të dy zëra kanë qenë 50 milionë dollarë më pak se plani. Por sërish kjo nuk ka mjaftuar për ta mbajtur deficitin buxhetor nën kontroll. Sipas të dhënave deficiti arriti në fund të muajit maj në 20.2 miliardë lekë, 31 për qind më shumë nga programi, si pasojë e investimeve të mëdha dhe rënies së të ardhurave nga taksat, nga të cilat qeverisë i mungojnë në pesë muaj rreth 70 milionë dollarë.

270 milionë euro për Shqipërinë, përfiton administrata publike

Administrata publike do të jetë përfituesi më i madh nga granti që Komisioni Europian i jep Shqipërisë në kuadrin e ndihmës për parapërgatitjen për anëtarësim në Bashkimin Europian. KE ka miratuar kështu ndihmës financiare në total prej 270 milion eurosh për Shqipërinë, për periudhën 2009-2011. Janë 238 milion euro si ndihmë për tranzicionit dhe ngritjen e institucioneve, kurse pjesa tjetër parashikohet të shkojë për bashkëpunimin ndërkufitar. Administrata publike do të zërë pjesën më të madhe të këtij granti, pasi dihet tashmë se kusht për anëtarësim është dhe përmirësimi i cilësisë në punën e nëpunësve shqiptarë. Fondi do të përdoret nga pala shqiptare për gati 2 vjet, për të trajnuar administratën e për të ngritur institucione që do të ndihmojnë në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Financimet me këtë karakter nga Komisioni Evropian synojnë të ndihmojnë Shqipërinë të arrijë standardet e BE-së në fushat e tregut të brendshëm, drejtësisë, lirisë dhe sigurisë. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet bujqësisë dhe zhvillimit rural, zhvillimit rajonal, transportit dhe energjisë. Ndërsa, pjesa e dytë e ndihmës që shkon për bashkëpunimin ndërkufitar, do të merret me veprimtaritë ndërkufitare mes Shqipërisë dhe vendeve anëtare të BE-së, si dhe me vende të tjerë kandidatë apo potencialë për kandidatë. Dihet që siguria në kufijtë e Shqipërisë ka qenë një nga kushtet ende të paplotësuara në vlerësimin që Bashkimi Evropian i ka bërë vendit tonë, në kuadër të plotësimit të kërkesave për tu rreshtuar përkrah vendeve anëtare. Ndërhyrja në kuadër të kërkesave politike do të jenë reforma e administratës publike, reforma gjyqësore dhe e policisë, lufta kundër korrupsionit që mbetet gjithashtu larg parametrave të pranueshëm. Fonde janë parashikuar nga KE edhe për zhvillimin e medias, inkurajimin e përfshirjes shoqërore dhe ekonomike të pakicave dhe grupeve në nevojë. Të premten , BE vendosi ti akordojë Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Bosnje Hercegovinës, Malit të Zi , Serbisë dhe Turqisë një paketë ndihme prej 85 milion eurosh, pjesë e një pakete më të madhe prej 150 milion euro grante të BE-së, dhe 600 milion euro kredi nga kreditorët ndërkombëtarë.

5 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›