E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Vendi, drejt një krize të rëndë. Qeveria në ikje po lë një gropë buxhetore

VLORË- Kandidati për deputet në Qarkun e Vlorës, Arben Malaj në një deklaratë për mediat ka paralajmëruar se vendi po shkon drejt një krize të rëndë financave publike.

Malaj ka akuzuar qeverinë se po lë në gropë duke theksuar se të ardhurat në buxhet kanë rënë me rreth 100 milion dollarë dhe janë rritur shpenzimet elektorale me rreth 70 milion dollar.

“Treguesit e 5 mujorit Janar Maj 2013 janë tronditëse, vendi po shkon drejtë një krize të rëndë të financave publike. Sipas statistikave zyrtare të qeverisë, deficiti buxhetor vetëm për pesë muajt e parë të vitit është tejkaluar me rreth 17 miliard lekë ose janë marrë hua për këtë periudhë më shumë se kufiri i lejuar, rreth 170 milion dollarë. Kjo sepse kanë rënë të ardhurat në buxhet me rreth 100 milion dollarë dhe janë rritur shpenzimet elektorale me rreth 70 milion dollar. Kjo nënkupton që pas zgjedhjeve qeveria e re do të jetë në vështirësi të mëdha. Kjo është strategjia e përhershme e Sali Berishës, që kur humbet lë pas kriza të rënda për shqiptarët që ta demtoj sa më shpejtë atë dhe pastaj ta pengoj me protesta dhe kriza politike. Ekonomia ka rënë ndjeshëm gjatë 5 muajve të parë të vitit. Tatimi i vlerës së shtuar , tatimi i aktivitetit ekonomikë është rreth 25% më pak ose ka një deficit me rreth 140 milion dollarë. Kjo shifër vërteton se papunësia dhe varfëria janë rritur, biznesi po përjeton një gjendje krize të vështirë. Çdo pretendim tjetër i Berishës është vetëm demagogji elektorale.
Edhe tejkalimi i pagesave për të përndjekurit politikë me rreth 5 milion dollarë gjatë 5 muajve të parë të vitit ka elementë të theksuar elektoralë. Tejkalimi i investimeve publike për shirita elektorale me rreth 60 milion dollarë e ka përkeqësuar situatën buxhetore, sidomos pas zgjedhjeve të reja”, u shpreh Malaj.

Malaj vlerëson se përsa i përket përballimit të situatës pas zgjedhjeve të reja, kjo është një detyrë shumë e vështirë por e përballueshme, duke qartësuar hapat e menjëhershme dhe reformat afatmesme.

“Përballë kësaj krize në rritje kërkohet ndërgjegjësim për të marrë pjesë në votime, për të arritur një rezultat sa më të plotë dhe kredibël dhe për të bërë një rrotacion të domosdoshëm dhe vetëm me votë të lirë dhe të ndershme.Pa rritur ritmet e rritjes ekonomike ne nuk mund ta perballojmë krizën që kërcënon familjet shqiptare gjithnjë e më shumë.Pa i krijuar biznesit privat më shumë hapësira dhe mundësi , nuk e rritim dot ekonominë tonë, nuk e ulim dot papunësinë dhe varfërinë, nuk e ulim dot barrën e rëndë të borxheve të individëve, familjeve, bizneseve dhe të buxhetit. Bashkëpunimi me komunitetin e biznesit është i detyrueshëm dhe duhet të fillonte që përpara zgjedhjeve mbi një propozim konkret serioz për rimëkëmbjen e financave të tyre, larg çdo populizimi. Bashkëpunimi me Fondin Monetar Ndërkombetare, Bankën Botërore, Bashkimin Europian dhe institucionet e tjera financiare duhet të jetë i menjëhershëm dhe i përgjegjshëm. Duhet të shpëtojmë vendin tonë nga kriza e rëndë në të cilën po e zhyt qeveria në ikje e Berishës”, theksoi Malaj.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›