E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Komisionerët e LSI-së do të jenë garanti për votën e çdo shqiptari

BURREL- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka marrë pjesë sot në një takim mjaft entuziast me mijëra banorë në qytetin e Burrelit, takim në të cilin është prezantuar edhe ekipi i kandidatëve për deputetë të LSI-së në Qarkun Dibër.

Në fjalën e tij z. Meta i falënderoi të gjithë të pranishmit për mbështetjen e vazhdueshme që popullit i Matit i ka dhënë LSI-së që nga krijimi i saj. Lideri i LSI-së u shpreh se LSI vjen në këto zgjedhje me kontribute të spikatura për integrimin dhe për stabilitetin e vendit.

“LSI dha një kontribut të jashtëzakonshëm për liberalizimin e vizave. Ishte përsëri LSI-ja që me urtësi, me mençuri dhe me këmbëngulje imponoi mbledhjen e Parlamentit dy javë më parë në kulmin e fushatës elektorale në mënyrë që të votoheshin tre ligjet, të cilat do t’i japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat në dhjetor të këtij viti, në mënyrë që të zhbllokohen dhjetëra projekte dhe ndihma financiare të BE-së për Shqipërinë që të mundësojnë një zhvillim më të shpejtë dhe hapjen e shumë vendeve të reja të punës”, theksoi Meta. 

Meta deklaroi se LSI vjen në këto zgjedhje me një program të qartë për ristrukturimin e ekonomisë shqiptare, në mënyrë që vendi të mos shkojë drejt pikiatës ekonomike dhe dramave sociale por të rimëkëmbet sa më shpejt përmes një ristrukturimi të plotë dhe afatgjatë. 

“Kjo do të bëhet në mënyrë që të nxisim rritjen ekonomike, në mënyrë që të nxisim prodhimin, në mënyrë që të ulim importet dhe të rrisim eksportet. Duhet të kemi një ekonomi që konkurron dhe që garanton vende pune të qëndrueshme dhe afatgjata. Të gjitha politikat e Lëvizjes Socialiste për Integrim, si në fushën e arsimit ku e gjithë vëmendja është tek arsimi profesional dhe formimit profesional, si në fushën e taksave dhe kudo tjetër, të gjitha rrahin në një prioritet kyç, në punësimin dhe hapjen e vendeve të reja të punës në Mat dhe në të gjithë Shqipërinë. Ndaj unë besoj se Mati do të jetë në krye të fitores sonë në Qarkun e Dibrës dhe do të jetë në ballë të fitores sonë në të gjithë Shqipërinë. Të gjithë e dinë se LSI është faktori kryesor që përcakton drejtimin e politikës shqiptare, është faktori kryesor që garanton rrugën e pandalshme të integrimit evropian të Shqipërisë”, u shpreh Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. 

Meta u shpreh se vota për LSI-në është një votë e mençur, është një votë që ndihmon stabilitetin e vendit, është një votë që ndihmon ndryshimin e vendit, është një votë që ndihmon paqen sociale, është një votë që ndihmon zhvillimin e ekonomisë, është një votë që ndihmon punësimin e të gjithë shqiptarëve që duan punë, është një votë që i ndihmon të gjithë matjanët dhe të gjithë shqiptarët që të ecin më shpejt. Z. Meta tha se LSI është një parti që kujdeset për njerëzit, është një parti që kujdeset për të rinjtë dhe të rejat, është një parti që kujdeset për njerëzit dhe për të ardhmen e tij evropiane. Sipas tij janë të gjitha këto arsyet që Mati do t’i thotë një po të fuqishme LSI-së më 23 qershor.

Duke prezantuar ekipin e kandidatëve për deputetë të LSI-së në Qarkun e Dibrës Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se ky ekip do të bëjë të mundur një triumf të vërtetë të LSI-së në Dibër. “Unë jam shumë krenar si edhe ju për kandidatët tanë matjanë për Qarkun e Dibrës. Jam shumë krenar për Agim Hysën, këtë inxhinier të zotin dhe këtë drejtues të shkëlqyer që është një shok i jashtëzakonshëm, që është një vëlla i vërtetë për cilindo që ka një hall që ka një vështirësi, prandaj Agim Hysa e meriton votën dhe mbështetjen tuaj dhe do të ketë edhe mbështetjen Unë jam shumë krenar edhe për Lutfije Metën. Ajo është një zonjë e vërtetë matjane, ajo është një intelektuale e vërtetë, është një fizikante e jashtëzakonshme, por është edhe një drejtuese e mrekullueshme. Prandaj të gjitha votat për Lutfije Metën. Unë dua të falënderoj për angazhimin dhe për kontributin e tyre doktorin e shkëlqyer të Dibrës, Milaim Damzi, Olsa Shatkun dhe Agron Dacin dhe natyrisht që një falënderim të veçantë e kam për ekonomistin, për bankierin, për financierin, Përparim Spahiun. Nuk ka qenë e lehtë për të, që të linte punët e tij aktivitetet e tij, rehatinë e tij në Tiranë dhe për t’u kthyer në vendlindje në mënyrë që bashkë me Agim Hysën me Lutfije Metën dhe të gjithë shokët e tjerë të bëjnë të mundur një triumf të vërtetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Dibrës më 23 qershor. Një triumf të vërtetë për numrin 26, në mënyrë që Mati, Bulqiza, që Dibra të ecin më shpejt”, vijoi z. Meta.

Duke përfunduar fjalën e tij në takimin e zhvilluar në Burrel z. Meta tha se “mezi po presim datën 23 qershor, ne na duken ditët dhe netët shumë të shkurtra, sepse mezi po presim të arrijmë në finishin e fitores.

"Në Shqipërinë e 24 qershorit ka vend për të gjithë ata që e duan Shqipërinë si atdheun tonë të përbashkët, për të gjithë ata që e duan Shqipërinë një anëtare dinjitoze të familjes evropiane, për të gjithë ata që duan standarde evropiane t’i realizojmë këtu në Burrel, në Mat në Shqipëri. Prandaj të gjithë të bashkohemi dhe të ecim më shpejt drejt datës 23 qershor duke votuar numrin e fitores, numrin 26. Rroftë populli fisnik i Matit, fitorja është e jona, e gjithë matjanëve dhe e gjithë shqiptarëve”, u shpreh Meta.  
(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›