E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malaj: Vota ime pro rrotacionit, pro reformave, pro integrimit

VLORË- Kandidati i pavarur Arben Malaj, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët vlerësoi se vendi ka nevojë për rotacion të pushtetit, i cili do i sjellë vendit ndryshimet të rëndësishme. Ndërkohë, Malaj i bëri thirrje subjekteve partiake që të zhvillojnë një fushata larg tensioneve dhe përbaltjes së figurave.

“Vendi ynë ka nevojë për një rrotacion politik, i cili do t’i sjellë vendit një ndryshim të domosdoshëm në qeverisje. Dhe zgjedhjet e lira e të ndershme janë mënyra e vetme se si kjo mund të ndodhë cilësisht, për të sjellë një qeveri kredibël. Do të doja t’i bëja edhe një herë thirrje të gjitha subjekteve politike zgjedhore që fushatën e tyre ta orientojnë vetëm pozitivisht në respekt të qytetarit dhe opinionit publik, që kërkojnë të shohin tek politika perspektivat shpresëdhënëse për familjet dhe vendin e tyre. Fushata e të 67 subjekteve politike në Qarkun e Vlorës, duhet të zhvillohet larg tensioneve partiake, tensioneve etnike apo atyre fetare, larg përbaltjeve publike apo zhgarravitjeve elektorale vend e pa vend”, tha Malaj.

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, Malaj u shpreh se “Vota ime pas 23 Qershorit në Kuvend do të jetë një votë pro reformave të domosdoshme për ekonominë e vendit, një votë pro integrimit europian. Por vota ime, do të jetë një votë kundër populizmit ekonomik, një votë kundër krizave politike, një votë kundër qeverisë së shokëve dhe miqve”.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›