Edhe eurosocialistët i bënë gjyqin bojkotit antishqiptar të Ramës
Ka shkuar për mbështetje e ngushëllim tek drejtuesit eurosocialistë Luis Ayala e Martin Shulc, por që të dy i kanë kujtuar Edvinit, parapolitikut në krye të PS-së se s’mund të përsëriten më sjelljet e shfaqura në të shkuarën. Bile Shulc ka kujtuar edhe besëprerjen që Edi Rama i bëri europarlamentit, kur refuzoi ndërmjetësimin e tyre në darkën e famshme të Strasburgut. Rikthimi tek bllokimi i reformave do të thoshte për PS-në izolim i plotë ndërkombëtar dhe klasifikim i saj në rangun e partive bolshevike
Një surprizë e pakëndshme iu rezervua Edi Ramës në takimin e tij në fundit në Bruksel, i ftuar nga socialistët Evropianë. Pas dokrrave alla-Kurban, për krizë ekonomike në Shqipëri dhe situatë politike të destabilizuar, për Ramën do të vinte shuplaka nga Partia Socialiste Evropiane, e cila e akuzon atë personalisht për periudhën e errët të PS-së, pas vitit 2009-ë. Zyra e shtypit pranë PS-së njofton për një axhendë të gjërë takimesh të Ramës me të majtët Evropianë, si Martin Schultz apo dhe me kreun e Internacionales Socialiste, Jorgo Papandreu, ndërsa guxon të theksojë se zyrtarët e lartë Evropianë, përfshirë këtu edhe komisionerin për Zgjerimin, Stefan Fule, përshëndesin nxitjen e reformave dhe avancimin e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Nga ana e tij, Rama përgjigjet me postulate të Kurbanit, në përpjekje për të errësuar çdo reformë dhe progres të vendit. Por siç duket jo vetëm shqiptarët s’i besojnë dokrrat dhe marrëzitë e Ramës në libër... Një përfaqësi zyrtarësh të lartë të parlamentit Evropian, të kryesuar nga sekretari i Përgjithshëm i Internacionales Socialiste, Luis Ayala, pasi u njohën me Kurban – Manifestin, i cili për ta s’ishte gjë tjetër veçse një përmbledhje kujtimesh, iu drejtuan Ramës duke i kujtuar se imazhin e nxirë të PS-së, s’mund ta përmirësojë me një libër-kurban. “Mendoj se rruga më e mirë për Shqipërinë është ajo e reformave”- ishte paralajmërimi i parë i z.Ayala, duke i lënë në derë Ramës, përgjegjësinë e bllokimit të parlamentit prej dy vitesh me radhë. Momenti kulminant do të vinte gjatë deklaratës së z.Ayala, i cili duke iu drejtuar Ramës, i kujtoi se “e kaluara s’mund të kthehet më”, duke nënkuptuar këtu protestat e dhunshme, demonstratat, grevat, bojkotin dhe bllokimin e parlamentit prej 2 vitesh. “Ajo që kemi parë në të kaluarën, nuk mund të përsëritet më”- tha z.Ayala. Sekretari i Përgjithshëm i Internacionales Socialiste, Luis Ayala theksoi se është kyçe për Shqipërinë, për gjithë aktorët e saj politikë, për të gjitha institucionet e saj, që të ecet përpara me axhendën evropiane. Pra, siç edhe kuptohet Rama jo vetëm që është pritur ftohtë në Bruksel, por edhe ka marrë një shuplakë të merituar nga homologët e tij evropianë, për përgjegjësitë që duhet të mbajë si për bojkotin ashtu dhe bllokimin e parlamentit, çka solli edhe refuzimin e statusit të vendit kandidat në BE. E thënë më shkurt, Ramës po ia mbyllin dyert të gjithë, duke mos i lënë rrugëzgjidhje tjetër, veç citimit të pamfletit Kurban, kudo që shkon.