E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj takim me të rinjtë: Të zhdukim tregtinë me listat e mbyllura të kryetarëve

VLORE- Në vijim të takimeve të drejtpërdrejta me mbështetësit dhe zgjedhësit, Malaj u takua sot me të rinjtë e qytetit të Vlorës. Në takim u diskutua për domosdoshmërinë e angazhimit të tyre për përballimin e sfidave që ka vendi, ku pjesëmarrja në zgjedhje duhet të jetë një detyrim prioritar.

Gjithashtu, takimi shërbeu për t’i qartësuar të rinjtë për domosdoshmërinë e krijimit të një modeli të ri të politikëbërjes në vend dhe për t’i inspiruar ata që të bëhen pjesë e sfidave me të cilat përballet vendi i tyre. Malaj theksoi se që nga momenti i pjesëmarrjes në votime, dhe gjithë karrierën e tyre, profesionale dhe politike, të rinjtë duhet ta ndërtojnë duke i respektuar dhe duke i’u përkushtuar njerëzve, të cilëve i’u kërkojnë votën. 

Populli thotë shpesh se “rruga e shkurtër del më gjatë”, kështu që në qoftë se duan të zhvillojnë më tej një karrierë të suksesshme, të rinjtë duhet të punojnë vetëm me përkushtim dhe pasion, dhe jo ta bazojnë të ardhmen tek rreshtimi në listat servile. Shqipëria nuk ka nevojë për njerëz memecë dhe manekinë, por për njerëz qe e duan dhe i përkushtohen vendit të tyre. Të tillë njerëz të mirë e të ditur Shqipëria ka plot, por ata duhet të jenë promotorë të ndryshimeve pozitive. Ne shpresojmë të jemi disa prej tyre.
Gjatë takimit, Malaj shpërndau edhe disa kopje të librit të mirënjohur “Amazing Grace”, kushtuar William Wilberforce, i cili udhëhoqi fushatën kundër tregtisë së skllevërve në Perandorinë Britanike në fund të shek. XVIII-të, duke hartuar dhe propozuar për herë të parë legjislacionin kundër skllavërisë në parlamentin britanik.
“Ne do të zhdukim tregtinë me listat e mbyllura të kryetarëve”, tha Malaj, në një paralelizëm të qartë me zhvillimet me listat e mbyllura te kryetarëve të partive politike.
Fushata elektorale ka hyrë në 20 ditët e fundit që na ndajnë nga zgjedhjet e 23 Qershorit. Së bashku me ekipin e të rinjve por edhe me fermerë, punëtorë e pensionistë, jemi të angazhuar me shumë përkushtim për zhvillimin e një fushate pozitive, duke ndarë respektin për njëri-tjetrin.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›