Tahiri: Sekserët në ambasada, bileta falas emigrantëve që të votojnë PD-në
Tiranë- Deputeti socialist Saimir Tahiri ka akuzuar sot kryeministrin Berisha se në bashkëpunim me një kompani ajrore po jep bileta falas për emigrantët me qëllim votimin e tyre për Partinë Demokratike.
Tahiri u shpreh qartë kur tha se pas 23 qershorit, do të nisë një hetim i hollësishëm për të gjithë ata që deputeti socialist i quajti sekserët e pushtetit.
Djemtë dhe vajzat, motrat, vëllezërit, kunetërit, baxhanakët e pushtetit të Saliut të në selitë diplomatike shqiptare, në bashkëpunim me kompaninë BelleAir, monopoli më spektakolar i Lul Bashës, kanë filluar të ofrojnë bileta falas për emigrantët e studentët shqiptare duke i detyruar të votojnë për Sali Berishën dhe ta provojnë këtë duke fotografuar votën e tyre.
Sali Berisha bën mirë ta ketë të qartë se PS, unë dhe kolegët e mi, trupa e komisionerëve dhe vëzhguesve të PS, vetë mbështetësit dhe votuesit e PS, nuk do lejojnë asnjë votues të fotografojë votën.
Ndërsa ata sekserët e votave që kanë dyndur ambasadat, bëjnë mirë ta shënojnë që sot se pas 23 qershorit, iu vjen dita të bëjnë hesapet me drejtësinë për rrjepjen e parave të emigrantëve dhe për çdo veprim të paligjshëm që duke menduar se sot i bëjnë nder pushtetit të Saliut, do i hapin punë të mëdha vetes.
Sa për Belleair, aksionerët dhe drejtuesit e kësaj kompanie, përfshirjen e tyre në këtë skemë manipulimi duke vazhduar rrjepjen e parave të shqiptarëve për shkak të pozitës monopol në treg, ta kenë të sigurtë se pas 23 qershorit do çmontojmë pozita monopol duke kryer një hetim kapilar që nga çmimi i biletave deri te shërbimi ndaj klientit, pagesën e detyrimeve fiskale dhe lidhjet e saj me pushtetin, përfshirë dhe përfshirjen në skemën e dëshpëruar për të manipuluar votat..,- tha Tahiri.
Sipas tij, emigrantët duhet ta kenë të qartë se manipulimi nuk i shpëton ata vetë nga rrënimi i vendit të tyre.
Emigrantët dhe studentët që jetojnë jashtë vendit, e kanë të qartë se një biletë falas për të takuar prindrit, nuk shpëton as ata vetë nga rrënimi i vendit të tyre, as prindrit dhe të afërmit e tyre nga varfëria dhe pasiguria, dhe as të ardhmen e fëmijëve të tyre në shqipëri.
Në Shqipërinë që ne duam të rilindim pas 23 qershorit, duke i kthyer qytetarëve më së pari lirinë për të mos qënë plaçka e rradhës që blen pushteti, duke u shitur shtrenjtë hallet që kanë prej shumë kohësh.
Sali Berisha nuk mund të blejë një biletë për 4 vjet të tjera në pushtet, me koston e lartë që i lë vendit dhe qytetarëve, këtu në shqipëri apo jashtë kufijve. Në 23 qershor do ia presim ne biletën, me çminin e drejtësisë përpara qytetarëve dhe ligjit,- u shpreh Tahiri.
Tahiri u bëri edhe një herë thirrje drejtorëve të shkollave që siç tha ai shantazhojnë mësuesit e fëmijët se do të përballen me forcën e ligjit, ky është angazhimi ynë solemn përballë qëytetarëve,- garantoi Tahiri.