E Diel, 1 Nëntor 2026

Mali i Zi angazhon një lobist të njohur për afrimin me administratën e Obamës

Pexh Rif, i cili në kohën e administratës së Presidentit Bill
Klinton ka qenë pjesëtar i Komitetit të SHBA-së për zgjerimin
e NATO-s, vuri në dukje ditët e fundit se, duke pasur
parasysh presionin që vazhdon të ushtrojë Serbia, ai është
gati të lobojë që Mali i Zi të vendosë lidhje me administratën e
Presidentit të porsazgjedhur të SHBA-së, Barak Obama. Lajmi
bëhet i ditur nga gazeta e përditshme "Dan" e Podgoricës, sipas
së cilës qeveria malazeze "ka angazhuar lobistin dhe avokatin e
njohur Pexh Rif që të promovojë politikën e Kryeministrit të Malit
të Zi, Milo Gjukanoviç, tek administrata e Obamës; të vendosë
në mënyrë ekspeditive marrëdhënie mes Podgoricës dhe Uashingtonit
dhe ta ndihmojë qeverinë malazeze që ta fusë vendin
sa më shpejt në NATO". Gazeta në fjalë, duke iu referuar, sikurse
shkruan, burimeve të besueshme, thotë se Rif bën pjesë edhe
në ekipin për Kosovën e pavarur.
Ndërkohë, media dhe qarqet politike në Serbi, me rastin
e angazhimit të Rif si promovues i marrëdhënieve më të mira
mes Malit të Zi dhe SHBA-së dhe përpjekjeve të qeverisë
malazeze që ta fusë vendin sa më shpejt në NATO, shprehin
keqardhjen që Mali i Zi synon ta promovojë politikën e vetë
në Uashington dhe të afrohet me SHBA-në me njerëz që gëzojnë
besimin e Bill Klintonit dhe të bashkëshortes së tij,
Hillari. Instituti i njohur amerikan për studimet politike "Inteligence
online", në një tekst që publikoi ditët e para të shkurtit
të këtij viti, vinte në dukje se veprimet më të fundit të
qeverisë së Malit të Zi (angazhimi i Pexh Rifit) janë pasojë e
presioneve që vazhdon të ushtrojë mbi të (Malin e Zi) Serbia.
"Për shkak të presionit të vazhdueshëm të Serbisë fqinje,
Mali i Zi duhet të vendosë, sa më shpejt që të jetë e mundur,
lidhje me administratën e re të Barak Obamës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›