E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, certifikohen 600 rekrutë, pas fazës së parë të stërvitjes në Bunavi

Rreth 600 rekrutë të rinj, që përfunduan ciklin e stërvitjes bazë u certifikuan dje në një ceremoni që u zhvillua në Qendrën Stërvitore të Bunavisë, 10 km në verilindje të qytetit të Vlorës. Në këtë ceremoni, ku ishin të pranishëm dhe përfaqësues të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, kolonel Drini Nikolla, komandant i Qendrës së Stërvitjes Bazë të Bunavisë u shpreh se në këtë fazë stërvitore, rekrutët e rinj, mësuan përdorimin e armëve luftarake dhe u edukuan me frymën e besimit reciprok, për ti shërbyer Atdheut. Sipas tij, tashmë këta të rinj janë të aftë për të shërbyer në të gjitha strukturat ushtarake, brenda dhe jashtë kufijve të vendit. 600 rekrutët që përfunduan këtë fazë të parë stërvitore do të shpërndahen nesër në të gjitha njësitë ushtarake të Republikës, për të kryer shërbimin e detyruar. Përfundimi i këtij cikli stërvitor, i 18- ti në historinë e Qendrës së Stërvitjes Bazë të Bunavisë, prej krijimit të saj në mars të vitit 2003, përkon me momentin kur vetëm pak ditë na ndajnë nga Samiti i Strasburgut, kur Shqipëria dhe Kroacia do të bëhen anëtare me të drejta të plota në NATO. Qendra e Stërvitjes Bazë në Bunavi është e vetmja e këtij lloji në të gjithë vendin. Në të përgatiten rekrutët e rinj, që vijnë këtu nga të gjitha rrethet dhe zhvillojnë fazën përgatitore bazë për një periudhë 9 javore pas së cilës, shpërndahen në të gjitha repartet ushtarake të Republikës. Mjediset dhe standardet e kualifikimit të personelit që shërben në këtë qendër stërvitore janë ato të NATO-s. Ajo ka një kapacitet përgatitjeje për 1200 rekrutë. Në të zhvillohen cdo vit, 3 faza të stërvitjes bazë, të rekrutëve të rinj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›