Mali i Zi çel ambasadën në Prishtinë, por kërkon njohjen e komunitetit malazez pakicë kombëtare

Vujanoviç kushtëzon emërimin e ambasadorëve në Kosovë dhe Malin e Zi
Presidenti malazez, Filip Vujanoviç ka thënë se nuk do të nënshkruajë dekretin për shkëmbimin e ambasadorëve me Prishtinën, derisa Qeveria e Kosovës nuk ua njeh malazezëve statusin e komunitetit kombëtar pakicë. Qeveria e Malit të Zi të enjten e kaluar mori vendimin për hapjen e ambasadës në Kosovë, duke vlerësuar se në këtë mënyrë do të krijohen kushtet për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat. Megjithatë presidenti malazez ka thënë para gazetarëve se vendimi i qeverisë malazeze për hapjen e ambasadës në Prishtinë është i mirë dhe i duhur, por mbetet pranë qëndrimit të mëparshëm se nuk ka shkëmbim të ambasadorëve derisa nuk zgjidhet statusi i malazezëve në Kosovë. “Nuk do ta nënshkruaj dekretin për emërimin e Ambasadorit malazez, as që do të pranoj letrat kredenciale të ambasadorit të Kosovës, derisa malazezëve në Kosovë nuk u njihet statusi i komunitetit kombëtar pakicë dhe të mundësohet përfaqësimi i tyre autentik në parlamentin e Kosovës”, ka thënë Vujanoviç. Presidenti malazez ka thënë se ka marrë premtime të forta nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jajhaga se kjo do ndodhë shumë shpejt. Mali i Zi e ka njohur Kosovën më 9 tetor të vitit 2008.
...