Mali i Zi ndalon 8 peshkatarë shqiptarë

Harta
Policia kufitare e Malit të Zi ka ndaluar 8 peshkatarë shqiptarë, të cilët u kapën duke peshkuar në ujërat e shtetit fqinj, në afërsi të vendit të quajtur Syri i Sheganit në pjesën malazeze të liqenit të Shkodrës.
Mësohet se mes peshkatarëve të ndaluar janë edhe 2 minorenë, 17-vjeçari H.A, dhe një 14-vjeçar. Ndërkohë policia bën të ditur vetëm inicialet e peshkatarëve të tjerë, të cilët janë: E.SH, 24 vjeç, F.V, 21 vjeç, F.V, 22 vjeç, E.H 18 vjeç, K.H., 24 vjeç dhe Y.Ç, 53 vjeç. Po ashtu mësohet se janë sekuestruar objektet lundrimi por edhe mjete për peshkim.
Sipas policisë malazeze, ndalimi i peshkatarëve u bë gjatë ushtrimit të kontrollit në Liqenin e Shkodrës me qëllim për të parandaluar gjuetinë e paligjshme e peshkut gjatë kohës që në fuqi është urdhri për ndalim gjuetie. Autoritetet e Malit të Zi e kanë ndaluar peshkimin nga data 1 prill deri në 1 qershor, 15 dite me përpara shtetit shqiptar. Ndaj peshkatarëve shqiptarë është vendosur një gjobë prej 1 mijë eurosh secilit si dhe janë sekuestruar katër varka lundrimi që përdoreshin prej tyre për peshkim.
Peshkatarët që janë të gjithë nga Malësia e Madhe vazhdojnë të mbahen më ambientet e postës kufitare malazeze. Gjatë paradites, në prefekturën e Shkodrës është zhvilluar një takim me strukturat përkatëse për të zbatuar urdhrin e ndalimit të gjuetisë së peshkut në liqenin e Shkodrës, pasi kjo është periudha e shumimit të tij. Në këtë takim, përgjegjësi i trupës së rojeve liqenore ka kërkuar që bashkëpunimet që shkruhen në letër të realizohen në praktikë. Avenir Haxhia ka deklaruar se efektivat që ai drejton janë të pakët në numër dhe nuk kanë mjete për të patrulluar gjithë pjesën shqiptare të liqenit për të mos lejuar peshkimin në këtë periudhë kur ai ndalohet me ligj ndërsa ka shtuar se policia kufitare nuk i përgjigjet kur lajmërohet dhe u kërkohet ndihmë.
Ndërsa drejtori i policisë kufitare të Shkodrës, Akil Kalo ka theksuar se kjo polici ka ndërhyrë në një rast duke çuar në prokurori për procedim dy persona pasi janë kapur duke peshkuar afër vijës së kufirit, ku nuk lejohet ndërsa u është sekuestruar varka, 300 m rrjetë dhe motori i varkës. /A.Dushi/