E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekuestrohen 90 kg marijuane, asnjë i ndaluar

ÇANTA E SEKUESTRUAR

GJIROKASTER- Dy operacione antidrogë të zhvilluara gjatë orëve të para të së mërkurës nga strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, janë finalizuar me sekuestron e 90 kg marijuane dhe shpalljen në kërkim të poseduesve të saj. Marijuana, në të dy rastet, do të kalonte në hapësirën lindore të kufirit me shtetin grek dhe transportues të saj kanë qenë tre fshatarë të Nepravishtës në zonën e Libohovës në Gjirokastër. Burimet zyrtare policore kanë precizuar se ka qenë ora 00:05 e të mërkurës, kur specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë Rajonale Policore ishin vënë në dijeni për rrugëtimin e dy të rinjve nga fshati Nepravishtë të cilët ishin duke transportuar marijuanë.

Dy të rinjtë, po transportonin dy çanta shpine të mbushur me marijuanë. Policia ka ndërhyrë menjëherë në zonë por në momentin final, të rinjtë të cilët diktuan policinë mundën të shmangeshin. Arratisja e të rinjve ka shqetësuar policinë e cila u vu në gjendje gadishmërie për ti kapur ata ndërkohë që deri në orët e mbasdites së të mërkurës, nuk ka pasur ndonjë shenjë të vendndodhjes së trafikantëve apo kapjes së tyre.

Në brendësi të çantave me marijuanë, u gjetën 49 pako të mbështjella me letër ngjitëse ngjyrë kafe me peshë të ndryshme ndërkohë që gjithsej sasia shkonte gati 60 kg.

Fill pas këtij operacioni, forcat policore u angazhuan në një tjetër operacion që kishte për objekt, identifikimin dhe kapjen e një tjetër trafikanti narkotikësh që tentonte të kalonte marijuanën drejt Greqisë. Një tjetër banor i Nepravishtës i cili mendohet se është pjesë e grupit të dy të rinjve të arratisur është identifikuar nga forcat policore mbi zonën e banuar të Nepravishtës. Në çantën e transportuar nga ai u gjetën katër pako të mëdha me marijuanë të mbështjella me letër ngjitëse ngjyrë kafe me peshë totale prej 30 kg.

Piro Nase

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›